Koçi: Nishani të japë dorëheqjen, përgjegjësit për ndjekje penale
Ish- ministri i Brendshëm, Petro Koçi, në një prononcim për median fajëson strukturat drejtuese të larta të uniformave blu për ngjarjen e rëndë të ndodhur, në të cilën humbën jetën katër policët gjatë aksionit për të arrestuar shumë të kërkuarin Dritan Dajti. “Duke u nisur nga të dhënat paraprake, kemi të bëjmë me një mangësi të theksuar profesionale. Organizimi dhe drejtimi i këtij operacioni përmban përgjegjësi të mëdha, të cilat duhen identifikuar. Mendoj që përveç masave administrative, në rang të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, duhet të kemi dhe një reflektim të përgjegjshëm dhe serioz nga ana e Ministrit të Brendshëm, i cili pas kësaj ngjarje mendoj se duhet të japë dorëheqjen”, tha Koçi. Sipas tij, ngjarja është një pasojë e pashmangshme e mangësive në organizim, drejtim dhe ekzekutim të forcave të rendit shqiptar dhe për këtë arsye dikush duhet të përgjigjet. “Kjo ngjarje na çon në atmosferën e viteve 1997-1998, ku ambientin publik nuk e sundonte ligji dhe drejtësia, po krimi dhe bandat”, deklaroi Koçi. Ish-ministri i Brendshëm në periudhën ’98-’99 ka qenë edhe i ashpër në lidhje me ndëshkimin që mund të kenë mbi ato që kanë urdhëruar këtë operacion. Sipas Koçit, duhet të ketë një analizë dhe të nxirren përgjegjësitë e duhura. “Mendoj gjithashtu se në radhët e policisë, përveç shkarkimeve duhet të ketë dhe ndjekje penale për drejtuesit e operacionit. Ka pasur mangësi të mëdha profesionale, dhe për këtë duhen identifikuar përgjegjësitë konkrete dhe për pasojë dhe masa të shpejta e të rrepta administrative së pari, gjithashtu pas një procesi hetimor besoj se duhet të ketë edhe pasoja të tjera”, deklaroi Koçi.