E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Komision hetimor për vrasjen e policëve

 

ADI SHKEMBI

Organizimi i aksionit të policisë për të kapur Dritan Dajtin në Durrës, ku mbetën të vrarë katër oficerë të forcave blu, pritet të hetohet nga Kuvendi i ri. Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Lutaj tha dje se në shtator pasi të konstituohet Parlamenti i ri, do t’i kërkojë grupit parlamentar të ndërmarrë iniciativën për hetimin e kësaj çështje. Gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama”, anëtari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, në Parlamentin aktual, tha se pjesë e këtij hetimi do të jenë edhe dy ngjarje të tjera, të cilat nuk janë zbardhur akoma, vrasja e deputetit Fatmir Xhindi, një muaj para nisjes së fushatës elektorale si dhe atentati ndaj gjyqtarit Ardian Nuni. Lutaj akuzon në të njëjtën kohë policinë se nuk po bën transparencë mbi këto ngjarje. “Ngjarja e Durrësit është në hetim dhe ai sapo ka filluar. Deri tani kemi vënë re një mungesë të transparencës së policisë për disa ngjarje siç është ajo e vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, apo atentati ndaj gjyqtarit Ardian Nuni dhe tani në fund me ngjarjen e vrasjes së katër policëve në Durrës. Kur të konstituohet Parlamenti, në raport edhe me ecurinë e hetimeve, unë do t’i propozoj grupit parlamentar ngritjen e një komisioni hetimor”, u shpreh Lutaj. I pyetur se cili do të jetë objekt i hetimit të këtij komisioni parlamentar, deputeti i PS-së, tha se duke parë edhe atë çka do të arrihet deri në shtator, ai do të kërkojë shpjegime me organizimin e forcave të rendit para këtij aksioni, si dhe përgjegjësinë për vrasjen e katër policëve. “Si objekt i punës së komisionit do të jetë veprimtaria e policisë si për vrasjen e Fatmir Xhindit, si për zbardhjen e atentatit ndaj Nunit, ashtu edhe për vrasjen e katër policëve. Për sa i përket kësaj të fundit unë do të kërkoj hetim për mënyrën e organizimit të operacionit dhe përgjegjësitë e vrasjes së katër policëve. Strukturat e policisë nuk po flasin, nuk e dimë se çfarë do të nxjerrë hetuesia dhe prokuroria, por në raport me atë çka ato do të publikojnë, unë do të caktoj edhe objektin e hetimit”, vijoi më tej Lutaj. Hetimi i vrasjes së katër forcave të rendit në qytetin e Durrësit, si dhe vrasja e deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi dhe atentati ndaj Nunit pritet të shënojnë edhe komisionin e parë hetimor që do të ngrihet në Parlamentin e ri. Pak orë pas vrasjes PS akuzoi Kryeministrin Berisha, pushteti i të cilit, sipas selisë është i kalbur nga korrupsioni dhe qeveris kundër vullnetit të shqiptarëve. “Kryetari i Partisë Socialiste thekson se ngjarje të tilla kaq ekstreme nxjerrin në pah dobësitë po kaq ekstreme të një pushteti të kalbur nga korrupsioni dhe të kthyer thjesht në funksion të qëllimeve dhe nevojave të oborrit familjar e klanor që sundon Shqipërinë jashtë vullnetit të lirë të popullit shqiptar”, bëri të ditur zyra e shtypit e PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›