Ceka: “Do të bashkohem me PD-në më 2011-n”
Neritan Ceka është shprehur dje se Partia e tij Aleanca Demokratike do të vazhdojë funksionet si forcë politike deri në zgjedhjet lokale të vitit 2011 dhe më pas mund të shkrihet me Partinë Demokratike. Ceka thotë se tashmë Kodi i ri Zgjedhor e bën të pamundur mbijetesën e partive të vogla dhe shkrirja me partitë e mëdha është e vetmja zgjidhje për të ruajtur disa nga vlerat që mbartin këto forca politike.
“Ky ka qenë një opsion edhe para zgjedhjeve, por duke parë se sistemi favorizon partitë që futen në front, pra sa më shumë parti të merrnin pjesë në fushatë elektorale, aq më shumë shanse kishte koalicioni që të fitonte, Aleanca Demokratike qëndroi më vete. Ajo ruajti pavarësinë e saj. Besoj se kjo do të ketë vlerë edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ne nuk mendojmë që procesi i shkrirjes do të kryhet para këtyre zgjedhjeve. Pas atyre zgjedhjeve, në qoftë se do të qëndrojë po ky kod që kemi, atëherë, natyrisht që zgjidhja më e mirë për Aleancën Demokratike është integrimi në PD”, - është shprehur Ceka. Përsa i përket marrëveshjes paraelektorale me PD-në, Ceka thotë se ai ka kontaktuar disa herë me kryeministrin Berisha dhe se vetëm pas mbarimit të negociatave me të gjitha partitë e tjera do të shikohet nëse PAD-ja mund të zërë ndonjë pozicion në qeverisje. “Natyrisht që negociatat kanë filluar përpara. Kemi pasur kontakte me kryeministrin Berisha. Nuk i kemi lënë të gjitha gjërat për në fund, por natyrisht që përsa u përket vendeve të sakta, këto do të përcaktohen bashkë me kontribuuesit e tjerë të koalicionit”, - është shprehur Ceka.
28 Gusht 2009