E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: “Punimet e Kongresit do të jenë të hapura dhe transparente”

Zëdhënësja e Kryesisë: “Transparenca në Kongres për të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit”

Shaban Sulçe
Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, hodhi poshtë pretendimet e anëtarit të Kryesisë, Ben Blushi, sipas të cilit punimet e Kongresit të Jashtëzakonshëm të 29 gushtit do të jenë të mbyllura dhe aspak transparente. Gjatë një deklarate për shtyp, ku ka bërë publike disa nga vendimet e Kryesisë së PS-së, Kodheli tha se punimet e Kongresit do të transmetohen direkt për publikun, të paktën për dy çështje kryesore: fjalimet që kanë të bëjnë me nxjerrjen në dritë të fakteve për deformimin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe platforma që do të paraqesin kandidatët për kreun e Partisë Socialiste. “Në mbledhje u ra dakord që t’i sigurohet publikut transparencë e plotë për dy çështje kryesore për të cilat është thirrur Kongresi i Jashtëzakonshëm. Së pari, për të vërtetën e krimit elektoral të 28 qershorit duke u dhënë mundësinë shqiptarëve të shohin një pjesë të provave dhe fakteve që pohojnë katëcipërisht deformimin e procesit zgjedhor dhe të rezultatit që rrjedh prej tij. Së dyti, transparencë e plotë për platformat politike të kandidatëve që do të konkurrojnë për kryetar të PS-së, duke mundësuar transmetimin e drejtpërdrejtë edhe të kësaj seance për publikun”, - tha zëdhënësja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli.

Ndryshimet statutore

Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste theksoi gjithashtu se shumica e Kryesisë është kundër ndryshimeve statutore, të cilat kërkohen në kushtet e emocionalitetit të konkurrimit politik. Sipas Kodhelit, këto ndryshime duhet të bëhen pas Kongresit dhe me një proces analize gjithëpërfshirës. “Në Kryesi mbizotëroi mendimi që është e nevojshme kryerja e një reforme statutore dhe e rregullave që normojnë funksionimin e Partisë Socialiste, e cila nuk duhet të jetë e diktuar nga ndërhyrje pjesore dhe në kushtet e emocionalitetit të konkurrimit politik. Kryesia në shumicë gjykoi dhe konkludoi se Kongresi duhet t’i hapë rrugë një procesi analize, konsultimi dhe debati të gjerë në parti rreth kësaj reforme, proces i cili brenda një afati të arsyeshëm t’i paraqitet Kongresit të ardhshëm për miratim”, - vijoi Kodheli.

Gara
Zëdhënësja e Kryesisë së PS-së foli gjithashtu edhe për garën për kreun e Partisë Socialiste. Sipas saj, Kryesia ka shprehur vullnetin e plotë për të mbështetur dhe administruar procesin e konkurrimit. “Kryesia shprehu vullnet të plotë për të mbështetur dhe administruar një proces konkurrimi ndërmjet kandidatëve për kryetar të PS-së konform Kodit Zgjedhor të partisë, duke u garantuar akses të plotë të gjithë kandidatëve nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në të gjithë piramidën e strukturave që do të merren me organizimin e këtij procesi; pra votimin, numërimin dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve përmes rregullave dhe kushteve të njëjta dhe të barabarta për secilin nga kandidatët. Kryesia shprehu bindjen se Kongresi do të jetë një tjetër shprehje e maturisë dhe përgjegjshmërisë politike të delegatëve të këtij forumi shumë të rëndësishëm të PS-së”, - tha zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli.

Pretendimi i Blushit
Anëtari i Kryesisë, Ben Blushi, së bashku me kandidatin për kreun e PS-së, Arben Malaj, lëshuan akuza të forta në drejtim të Kryesisë së Partisë Socialiste dhe vendimeve të marra prej saj. Sipas Blushit, Kryesia vendosi që punimet e Kongresit të zhvilloheshin të mbyllura, ashtu siç ndodhi edhe me punimet e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. “Kryesia nuk iu përgjigj kërkesës sonë për proces transparent. Kjo do të thotë se do të shkojmë në Kongres me dyer të mbyllura dhe ky është vendimi i pashkruar i Kryesisë, duke përsëritur Asamblenë e do kohëve kur anëtarëve të Kongresit u hiqet e drejta për të folur para publikut, për të lënë atë që pretendohet se ka pasur vjedhje në zona të caktuara. Ne kërkuam që delegatët të shprehen të lirë për të paraqitur versione të ndryshme përsa u takon zgjedhjeve. Kjo do të thotë se do të shkojmë në Kongres me dyer të mbyllura dhe publiku nuk do të shohë si funksionon PS-ja dhe si në PS ka njerëz që mendojnë ndryshe. Kishim dhe kërkesa të tjera përsa i takon mënyrës së organizimit dhe procesit në parti, i cili që sot ka disa elemente që duhen marrë në konsideratë dhe janë shqetësuese. Kongresi nuk premton ndonjë gjë të madhe për të ardhmen e PS-së”, - ka deklaruar Blushi pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS-së.

Gjika: “Islami, kryekrimineli i zgjedhjeve të 28 qershorit”. Islami: “Gjika ia shiti Vlorën Berishës”

Akuza dhe polemika midis kundërshtarëve dhe mbështetësve të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Protagonistë të këtyre përplasjeve kanë qenë sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Kastriot Islami dhe kryebashkiaku socialist i Vlorës, Shpëtim Gjika. Duke parë qëndrimet kundër Ramës, Gjika ka akuzuar Islamin si përgjegjësin kryesor të humbjes së zgjedhjeve nga Partia Socialiste. Madje, Gjika e ka cilësuar Islamin si kryekriminelin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndaj këtyre akuzave, deputeti socialist është kundërpërgjigjur mjaft ashpër. Sipas Islamit, kreu i Bashkisë së Vlorës ka përgjegjësinë kryesore për shitjen e votave dhe procesit zgjedhor në këtë qark, kryeministrit Berisha. Islami e akuzoi gjithashtu Gjikën se është i përfshirë në afera korruptive me kandidatë të Partisë Demokratike në qytetin e Vlorës. “Kryetarë të bashkive socialiste, për fatin e keq, që kanë probleme me Drejtësinë, e para; e dyta, që nuk kanë realizuar objektivin elektoral; e treta, në Vlorë gjëmon lajmi jo vetëm midis socialistëve, por midis gjithë popullit të Vlorës, që kryetari i Bashkisë bashkëpunon ngushtë me ish-deputetë të PD-së në ndërtimet që bëhen në Vlorë. E fundit, një nga arsyet e mosrealizimit të këtyre objektivave është fakti që ky kryetar ka shitur në favor të një kandidati në pozicionin 4 të PD-së votat e PS-së, meqenëse janë bashkëpunëtorë dhe në ekipin e futbollit të Vlorës”, - ka deklaruar Islami.

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›