Propozimi për Grupin Parlamentar, Kryesia shmangu debatet për postet
Kryesia e Partisë Socialiste, në mbledhjen e saj të dy ditëve më parë, ka hedhur poshtë një nga propozimet që mund të shkaktonte rritjen e tensioneve dhe përçarjeve të mëtejshme brenda radhëve të Partisë Socialiste. Kërkesës së bërë nga mbështetësit e Blushit dhe njëkohësisht kundërshtarët e Ramës për mbledhjen e Kryesisë së PS-së i ishte bashkëngjitur edhe propozimi për diskutimin për ndarjen e posteve dhe organizimin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Kjo pikë dukej shumë e çuditshme, duke qenë se kërkesat e tjera për zhvillimin e mbledhjes kishin të bënin me përgatitjet për Kongresin e Jashtëzakonshëm të 29 gushtit dhe diskutimet për ndryshimet statutore. Por, kërkesa për organizimin e Grupit Parlamentar ka fshehur në vetvete një “hile politike”. Ndonëse në pamje të parë kërkesa mund të dukej thjesht një procedurë normale dhe që tentonte organizimin e Grupit Parlamentar, brenda saj fshiheshin qëllime, të cilat synonin të nxisnin edhe më shumë pakënaqësinë ndaj kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Kjo pasi shumë prej figurave kryesore të PS-së pretendojnë të caktohen në këto poste duke filluar nga posti i nënkryetarit të Kuvendit, te kryetari i Grupit Parlamentar, nënkryetarët apo sekretarët e grupit. Duke qenë se jo të gjithë pretendentët do të përmbushin qëllimet e tyre, ata do të mbeteshin të pakënaqur dhe një gjë e tillë mund t’i shtynte automatikisht drejt grupimit të kundërshtarëve të kreut të Partisë. Gjithsesi, Kryesia e Partisë Socialiste është treguar mjaft e kujdesshme në këtë pikë, duke shmangur debatin e parakohshëm në lidhje me këtë çështje. Kryesia e PS-së ka vendosur që diskutimet për organizimin e Grupit të ri Parlamentar t’i bëjë kur të nisë punimet Kuvendit i ri. “Kjo është një procedurë që ndodh gjithmonë, prandaj është një çështje që nuk ekziston. Grupi Kuvendor i Partisë Socialiste do të ketë drejtues të rinj”, - thuhet në vendimin e marrë nga Kryesia e Partisë Socialiste.
28 Gusht 2009