E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat për qeverinë, postet e panegociueshme të PD-së



Eljona Ballhysa
Përveç postit të kryeministrit janë pesë poste ministrash që janë cilësuar si të panegociueshme për demokratët. Në një kohë kur negociatat mes palëve kanë arritur kulmin e tyre, jo vetëm midis demokratëve me Lëvizjen Socialiste për Integrim, por edhe me partitë aleate të koalicionit të djathtë, gjithnjë e më shumë duket se po vështirësohen bisedimet. Megjithëse kryeministri Berisha është shprehur gjatë një prononcimi publik se përveç postit të kryeministrit, çdo post tjetër është i negociueshëm, burime informacioni pranë tij bëjnë të ditur se janë jo pak, por pesë ministri nga të cilat demokratët nuk do të heqin dorë. Jo vetëm pesë dikastere ministrore, por edhe posti i kryetarit të Kuvendit bën pjesë në listën e institucioneve të panegociueshme. Pikërisht kjo duket se i ka vështirësuar bisedimet me palëve. Berisha duhet të shpërblejë me disa poste LSI-në, e cila ka kërkuar dikastere të rëndësishme, por të kënaqë edhe orekset për pushtet të aleatëve të tij, të cilët, megjithëse kanë një përfaqësim minimal në Kuvend, kërkojnë portofola ministrorë. Nga ana tjetër, Berishës i duhet të mbajë dhe premtimin elektoral për një qeveri në dietë, sikundër i duhet të ruajë ekuilibrat brenda Grupit Parlamentar të PD-së dhe të bëjë një përfaqësim të ekuilibruar të tij në qeveri.
Ministritë
Janë pesë ministritë më të rëndësishme që nuk do të lëshohen nga demokratët. Sipas burimeve, Berisha nuk do të pranojë të futet në bisedime me asnjë parti përsa i përket Ministrisë së Jashtme, asaj të Brendshme, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Transporteve. Që të pesta këto përbëjnë pesë shtyllat e qeverisjes së vendit dhe të realizimit të programit politik të një qeverie. Që të pesta tregojnë pushtetin e partisë që është në maxhorancë. Ministria e Jashtme ka një rëndësi të veçantë përsa i përket objektivit parësor, që është integrimi i vendit në strukturat e Bashkimit Europian dhe si e tillë nuk mund t’i jepet ndonjë aleati. Ministria e Brendshme ka në kontroll strukturat e Policisë, shërbimet sekrete dhe pushtetin vendor. Është ky një tjetër dikaster që nuk do të negociohet nga demokratët. Ministria e Financave është një ndër sektorët më kyçë që zbaton programin ekonomik të partisë në pushtet. Programi ekonomik ndryshon nga njëra parti në tjetrën dhe për këtë arsye PD-ja nuk ka se si t’ia japë drejtimin e kësaj ministrie ndonjë aleati. Ministria e Drejtësisë po ashtu është mjaft e rëndësishme, pasi lidhet jo vetëm me hartimin e kuadrit ligjor në bazë të cilit funksionon shteti, por sepse është institucioni kyç që bashkëvepron me pushtetin gjyqësor, me Prokuroritë, me Presidentin e Republikës, që ka në varësi Agjencinë e Pronave, Agjencinë e Legalizimeve e një sërë institucionesh të tjera dytësore. Ministria tjetër në listën e të panegociueshmeve është ajo e Transporteve. PD-ja ka shpallur si një ndër prioritetet e qeverisjes ndërtimin e sa më shumë segmenteve rrugore, ndaj dhe drejtimi i këtij dikasteri merr një rëndësi të veçantë për këtë parti, aq më tepër kur është ministria që ka pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit. Burimet gjithashtu pohojnë se dy ministri janë në pikëpyetje përsa u përket negociatave. Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Ekonomisë, që të dyja dikastere të rëndësishme, shikohen si në mëdyshje për PD-në për t’ua lënë aleatëve. Ndërsa ministritë e tjera, ashtu sikurse shprehen dhe burimet, janë nxjerrë në ankand nga PD-ja për aleatët.
Kuvendi
Duket se posti i kryetarit të Kuvendit nuk do të lëshohet lehtë nga demokratët. Drejtimi i institucionit më të rëndësishëm ligjbërës shikohet si prioritet nga demokratët për ta drejtuar edhe gjatë katër viteve të ardhshme. Burimet bëjnë të ditur se ky post mbetet një ndër pikat e forta të negociatave mes dy partive kryesore të koalicionit qeverisës. Ndërsa flitet për një kërkesë të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të marrë timonin e drejtimit të Legjislativit, burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se ky post duhet të mbahet nga forca kryesore për shkak se mundëson miratimin e nismave qeverisëse. Gjatë katër viteve të kaluara drejtimi me dorë të hekurt i Kuvendit nga nënkryetarja e PD-së, Topalli, arriti miratimin e shumë nismave qeverisëse, si dhe bllokimin e disa dekreteve presidenciale, të cilat nuk gëzonin mbështetjen e maxhorancës. Kryetari i Kuvendit ka në dorë të përfshijë në axhendën e punimeve të seancës nismat ligjore për të cilat Këshilli i Ministrave është i interesuar t’i kalojë sa më parë për miratim. Po kështu, kryetari i Kuvendit arrin të manovrojë në atë mënyrë që të vonojë përfshirjen në axhendë të kërkesave të partive opozitare për interpelancë më kryeministrin apo ministra të ndryshëm të qeverisë. Kryetari gjithashtu përcakton kohën se kur duhet të shqyrtohen dekretet e presidentit dhe ka në dorë bllokimin e tyre ashtu sikurse ndodhi më dekretet e presidentit Topi për emërimin e gjashtë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, vetëm sepse nuk gëzonin pëlqimin e maxhorancës demokratike. Demokratët mendojnë se është në favorin e PD-së në rast se posti i kryetarit të Kuvendit i përket kësaj force politike.

Postet e panegociueshme
Kryeministër
Kryetar Kuvendi
Ministër i Jashtëm
Ministër i Brendshëm
Ministër i Financave
Ministër i Drejtësisë
Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit

Në pikëpyetje
Ministër i Mbrojtjes
Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës

Në “ankand”
Zëvendëskryeministër
Ministër i Shëndetësisë
Ministër i Integrimit, zëdhënës qeverie
Ministër i Arsimit dhe Shkencës
Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›