E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceka: “Do të shkrihemi me PD-në nëse nuk ndryshon Kodi Zgjedhor”



Partia Aleanca Demokratike do të shkrihet në Partinë Demokratike në rast se nuk ndryshon Kodi Zgjedhor dhe sistemi zgjedhor. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryetari i kësaj partie, Neritan Ceka. Në një prononcim për mediat Ceka u shpreh se opsioni i shkrirjes së partisë së tij me Partinë Demokratike është diskutuar edhe para zgjedhjeve parlamentare. Ai shprehet se në rast se nuk ndryshon Kodi Zgjedhor dhe sistemi zgjedhor, PAD-ja do të shkrihet me Partinë Demokratike pas zgjedhjeve lokale.
“Personalisht mbështes sistemin zgjedhor proporcional kombëtar ku të kenë mundësi të përfaqësohen komunitetet e vogla, si agrarët, liberaldemokratët, socialdemokratët, republikanët e të tjera parti të vogla. Në rast se nuk merret në konsideratë ndryshimi i sistemit zgjedhor, natyrisht që mbetet i hapur opsioni i shkrirjes së PAD-së me Partinë Demokratike. Pra nëse vazhdojmë me këtë kod, atëherë mendoj se shkrirja me PD-në do të vijë menjëherë pas zgjedhjeve lokale”, - është shprehur kryetari i PAD-së, Neritan Ceka. Nga ana tjetër Ceka kundërshton dispozitën në Kodin Zgjedhor që detyron partitë e vogla që nuk kanë kapërcyer pragun elektoral, të kthejnë partitë e marrë nga KQZ-ja për fushatë. Ceka shprehet se ky nen është antikushtetues dhe se ka marrë mbështetjen e Berishës për ta ndryshuar këtë nen. “Mendoj që neni është antikushtetues, që në momentin që i jep të drejtë KQZ-së që të përjashtojë partitë nga zgjedhjet. Këtë të drejtë mund ketë vetëm Gjykata Kushtetuese. Nuk është normale që partitë e mëdha kanë marrë vota nga partitë e vogla, dhe partitë e vogla të paguajnë paratë. Ne po bisedojmë me partitë e koalicionit. Unë kam biseduar dhe me kryetarin e PD-së dhe kam marrë mirëkuptimin e tij për ta ndryshuar këtë nen ose për ta zgjidhur mes koalicionit këtë çështje”, - është shprehur kryetari i PAD-së.

17 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›