Socialistët kërkojnë nxjerrjen e përgjegjësve për masakrën e Durrësit
Eljona Ballhysa
Tiranë - Socialistët kërkojnë nxjerrjen e përgjegjësive për masakrën e ndodhur në Durrës pak ditë më parë, ku humbën jetën në krye të detyrës katër punonjës të Policisë së Shtetit. Gjatë ditës së djeshme, deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, ngarkoi me përgjegjësi qeverinë, e cila, sipas tij, edhe pas 8 ditësh nga tragjedia nuk ka nxjerrë asnjë përgjegjës moral, politik apo ligjor për këtë ngjarje të rëndë. Sipas Bushatit, kjo situatë është pasojë e gjendjes kritike në të cilën ndodhet vendi i mbetur pa shtet.
Deklarata e Bushatit vjen pas deklaratave të njëpasnjëshme të Partisë Socialiste, e cila çdo ditë ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes, nxjerrjen e përgjegjësve si dhe ka akuzuar Partinë Demokratike për bashkëpunim me kriminelët. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS-së, Arta Dade, u shpreh pak ditë më parë se PS-ja disponon prova dhe fakte që vërtetojnë bashkëpunimin e PD-së me kriminelët gjatë fushatës zgjedhore dhe nxjerrjen jashtë burgjeve të shumë eksponentëve të krimit. Vetëm dy ditë më parë, zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, u shpreh se PS-ja ka prova që vërtetojnë se kriminelë të rrezikshëm kanë shoqëruar ministrat në fushatë. Ndërsa dje, Ditmir Bushati, akuzoi kreun e qeverisë, Sali Berishën, duke e cilësuar atë njeriun që grabiti votat më 28 qershor me ndihmën e kriminelëve të rrezikshëm.
Deklarata
“Kanë kaluar 8 ditë nga vrasja tragjike e katër policëve në detyrë dhe për fat të keq pushteti i grabitur i Sali Berishës ende nuk ka nxjerrë asnjë përgjegjësi për ngjarjen, por vazhdon të abuzojë më kokëfortësi me kodin e vdekjes. Partinë Socialiste nuk e emocionon asnjë deklaratë me fjalor rrugaçëror dhe shpifje të ulëta që vijnë nga njeriu që grabiti votat e shqiptarëve në bashkëpunim me kriminelë të lëshuar enkas nga burgjet. Jemi këtu për të ritheksuar se vrasja e katër policëve të pafajshëm është shprehje e gjendjes kritike të një vendi të mbetur pa shtet, ku pushteti punon vetëm për pasurimin e një familjeje dhe ku shërbëtorët e ligjit ndjehen të pambrojtur nga dora e kriminelëve dhe jeta e qytetarëve shqiptarë është çdo ditë edhe më e pasigurt”, - është shprehur deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, i cili shtoi se PS-ja do të vazhdojë të jetë zëdhënëse e shqetësimit të qytetarëve shqiptarë dhe se do të kërkojë me ngulm zbardhjen e tragjedisë. “Partia Socialiste do të vazhdojë të jetë zëdhënëse e shqetësimit qytetar duke kërkuar me ngulm përgjegjësitë dhe përgjegjësit politikë, moral e ligjorë të kësaj ngjarjeje tragjike”, - është shprehur Bushati.
PD, reagimi
Partia Demokratike i ka cilësuar deklaratat e PS-së si shkelje të kodit të vdekjes dhe përdorim për qëllime politike të ngjarjes tragjike. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, u shpreh dy ditë më parë gjatë një deklarate për shtyp se Rama po e përdor politikisht vrasjen tragjike të katër punonjësve të Policisë së Shtetit. “Aktin terrorist të Dritan Dajtit dhe rënien në krye të detyrës së 4 inspektorëve të Policisë, Edi Rama, me moralin e tij më të ulët, pa prishur pushimet e tij, u përpoq çdo ditë ta shfrytëzojë për qëllime politike. Njeriu që ushqen shpirtin me humbjen e jetës së të tjerëve, që nuk ka asnjë kod moral e që nuk lë asnjë rast të vetëm pa dhunuar kodim më të lashtë e më të paprekshëm të këtij kombi, kodin e vdekjes. Ky bastard i nomenklaturës hoxhiste i lejoi vetes të shpallë të rënët në krye të detyrës si viktimat e korrupsionit dhe jo të rënë nga akti terrorist i Dritan Dajtit dhe që nga dita e premte e deri sot çdo ditë nxjerr në konferenca shtypi duke shpifur dhe trilluar monstruozitete që vetëm mendja e tij mund të krijojë”, - është shprehur zëdhënësja e PD-së.
17 Gusht 2009