Ceka: Fitorja e zgjedhjeve është një domosdoshmëri
Presidenti i PAD-së, Neritan Ceka, vijoi takimet e tij elektorale në zonë e Dumresë në Qarkun e Elbasanit. Gjatë bashkëbisedimit me banorët e kësaj zone, kreu i Aleancës Demokratike siguroi se ka një projekt të veçantë në program për zhvillimin e kësaj zone. Koalicioni "Aleanca e Ndryshimit" do të bëjë të mundur shfrytëzimin e resurseve të mrekullueshme turistike të kësaj zone, duke hapur kështu sa më shumë vende pune. "Gjithashtu, ne do të ndihmojmë fermerët duke kompensuar blerjen e farërave, plehrave dhe naftës në 4 vitet e ardhshme", nënvizoi Ceka. Gjithashtu, kreu aleancist u ndal edhe në Komunën e Quksit. Gjatë kësaj vizite Ceka ka zhvilluar një takim me maturantët e shkollës së mesme të Karkavecit, ku ka prezantuar edhe prioritetet e Aleancës Demokratike për arsimin dhe zonën e Qarkut të Elbasanit.