E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha pret ambasadorët e vendeve të Konferencës Islamike

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, priti dje në një takim të veçantë ambasadorët e vendeve të Organizatës së Konferencës Islamike të akredituar në Tiranë. Zyra e shtypit pranë Ministrisë së Jashtme bëri të ditur se gjatë këtij takimi ministri Basha i ka falënderuar ambasadorët e Arabisë Saudite, Egjiptit, Iranit, Libisë, Palestinës dhe Turqisë për mbështetjen që qeveritë e këtyre vendeve dhe të gjithë anëtarët e Organizatës së Konferencës Islamike i dhanë rezolutës së paraqitur nga Shqipëria për Kosovën në Ministerialin e Damaskut, më dt. 23-25 maj. Duke e konsideruar këtë rezolutë si sukses për organizatën dhe shprehje të solidaritetit të saj ndaj Kosovës, ministri Basha tha se ajo është e një rëndësie të veçantë, pasi, ndër të tjera, organizata prej 57 shtetesh vlerëson se zhvillimet e fundit në Kosovë, pra pavarësia e saj dhe ndërtimi i institucioneve, kanë kontribuuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Gjithashtu, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka vlerësuar gatishmërinë e shprehur nga të gjitha vendet anëtare të organizatës për të mbështetur Kosovën dhe ekonominë e saj dhe thirrjen që Ministeriali i Damaskut i drejtoi nëpërmjet rezolutës gjithë bashkësinë ndërkombëtare që të vazhdojë të mbështesë forcimin e Kosovës. Gjatë bashkëbisedimit me ambasadorët, ministri i Jashtëm, Basha, duke ju referuar edhe takimeve në Damask me homologët e tij, shprehu bindjen se miratimi i kësaj rezolute do t‘i hapë rrugë njohjes së pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike. Pak ditë më parë, Konferenca Islamike ishte në qendër të debateve të ditës, për shkak të shqyrtimit të rezolutës për Kosovën. Përfaqësuesit e shtetit serb, konkretisht ministri i Punëve të Jashtme, i propozoi këtij organizmi që të mos shprehej për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Paralelisht me kreun e diplomacisë serbe loboi edhe ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ndonëse në krahun e kundërt. Pas mbylljes së punimeve të konferencës, përfaqësuesit serbë deklaruan se kishin arritur të dilnin pozitiv nga ky aktivitet, duke amenduar rezolutën.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›