E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceka: Kodi të ndryshojë, ndryshe kot që ekzistojmë

 

Drejtuesit e partive politike të mbetur jashtë Parlamentit kërkojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor, nga proporcional rajonal në atë kombëtar, si dhe me një prag prej 2 për qind. Kjo kërkesë u bë prezent dje nga drejtuesit e PAD-së, Neritan Ceka dhe ai i PDK-së, Nard Ndoka. “Është bërë domosdoshmëri ndryshimi i këtij Kodi. Besoj që çelësin për ndryshimin e ligjit zgjedhor tashmë e ka Partia Socialiste, pasi Partia Demokratike nuk ka votat as për zgjedhjen e Kryeministrit dhe jo më për zgjedhjen e Kodit, kjo është shumë e rëndësishme. As PD së bashku me LSI nuk ka votat e mjaftueshme për ndryshimin e Kodit zgjedhor”, thotë Ndoka. Ndërsa Ceka, i cili mbron idenë e pragut prej 2 për qind, kërkon që administrimi zgjedhor, i komisioneve të jetë me përfaqësues apartiak. Vetëm kështu sipas tij, mund të mos kemi interferim të partive politike në procesin e numërimit të votave. Por të dy krerët e PAD-së dhe PDK-së janë të qartë se ky ndryshim i ligjit kërkon një shumicë të cilësuar votash, pasi duhet ndryshuar Kushtetuta. “Ndryshimi i sistemit është pjesa më e vështirë, sepse kërkon 94 vota, meqë sistemi aktual është fiksuar në Kushtetutë. Dhe kjo mund të arrihet nga dy partitë e mëdha politike, si rrjedhim dhe një ndryshim në Kodin elektoral do të përcaktohet nga interesat e këtyre partive. Në të ardhmen, nëse do të qëndrojë ky sistem, nuk ka asnjë kuptim të ekzistojnë më partitë e vogla, partitë e vogla duhen konturuar brenda blloqeve, sepse sistemi i përjashton ato nga konkurrenca”, deklaroi Ceka. Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon ndryshimin e ligjit zgjedhor, duke hedhur idenë e një proporcionali kombëtar me një prag elektoral 2 për qind. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, disa ditë më parë kërkoi që ndryshimi i ligjit zgjedhor mund të kërkojë edhe një përfaqësim real të votave të elektoratit që hidhen për partitë politike. Sistemi aktual, proporcional rajonal, për partitë e vogla u cilësua si i dështuar. Nga votimet parlamentare të 28 qershorit mbetën jashtë Parlamentit PDK, PAD, BLD PDS, PAA dhe PSD, të cilat nuk fituan asnjë deputet për katër vitet e ardhshme. Kjo gjë solli reagimin e ashpër të partive për ndryshimin e garës në zgjedhjet parlamentare, duke kërkuar ndryshimin rrënjësor të Kodit. Por të gjitha partitë e kanë të qartë se ndryshimi i ligjit zgjedhor nuk mund të realizohet pa konsensusin e PS-së, kjo për faktin se ndryshimi i sistemit kërkon 94 vota pro. Socialistët deri më tani nuk janë shprehur për ndryshimin ose jo të Kodit Zgjedhor. Demokratët nga ana e tyre janë pro kërkesës së aleatit të tyre të ri qeverisës, LSI-së, për të ndryshuar një ligj të tillë. Zyrtarë të PD-së janë shprehur pro ndryshimit të ligjit zgjedhor, por në të njëjtën kohë kanë bërë të qartë se një gjë e tillë nuk mund të realizohet pa dhënë votat konsensuale Partia Socialiste. Në Shqipëri asnjë herë nuk është shkuar me të njëjtin Kod Zgjedhor në dy zgjedhje radhazi, partitë politike e kanë ndryshuar atë në këto 6 votime për pushtetin legjislativ.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›