Urbanizimi, shpronësimet në zonat informale, banorët do të kompensohen me vlerën e tregut
Eljona Ballhysa
Për të gjitha banesat që ndodhen në zonat informale, në rast të zbatimit të studimeve urbane, banorët do të kompensohen me vlerën e çmimit të tregut. Kjo parashikohet edhe në ligjin e miratuar nga Kuvendi për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale, si dhe në rregulloren e miratuar nga qeveria për procesin e urbanizimit. Fill pas përfundimit të procesit të legalizimeve, i cili, ashtu sikurse bëri me dije kryeministri Berisha pak ditë më parë, pritet të përmbyllet brenda dy muajve, do të nisë procesi i urbanizimit të zonave informale. Drejtues të ALUIZNI-t bëjnë të ditur se disa projekte urbanistike kanë nisur të ndërtohen në disa zona informale, ndërsa të tjerat janë në proces studimi. Megjithatë, ekspertët sqarojnë se në rast të shpronësimeve publike për efekt të realizimit të projekteve urbanistike, banorët e ndërtimeve informale që kanë përfituar lejen e legalizimit do të përfitojnë kompensim në vlerën e tregut për çdo metër katror që do t’i prishet.
Urbanizimi
Pajisja e banorëve me leje legalizimi do të thotë që kjo banesë është e ligjshme dhe si e tillë do të trajtohet si të gjitha banesat e tjera të ndërtuara në bazë të rregullave të urbanistikës. Kështu, gjatë procesit të urbanizimit të këtyre zonave, në rast se ndonjë nga banesat, për shkak të zbatimit të planit urbanistik do të prishet, kjo banesë do t’i kompensohet pronarit nga shteti. Pronari i kësaj banese do të përfitojë vlerën reale të saj, pavarësisht çmimit simbolik që ai ka paguar për ta bërë pronë të tijën këtë banesë të ndërtuar pa leje. Drejtuesit e ALUIZNI-t kanë bërë të ditur se në rastet e zbatimit të planeve rregulluese do të respektohet ligji për shpronësimet publike. Pra ligji që zbatohet në të gjitha zonat e vendit dhe jo vetëm në zonat informale. Ky ligj parashikon që jo vetëm për banesën, por për çdo centimetër pronë që i merret pronarit për shkak të ndërtimit në një rruge, shkolle, kopshti, spitali etj., pronari do të dëmshpërblehet nga shteti me çmimin real të objektit që ai disponon. Për të kompensuar pronarët e rinj të banesave të ndërtuara pa leje, por që përfitojnë nga procesi i legalizimit, shteti do të bazohet në hartën e vlerës së tokës, e cila është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ligji
Ligji për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale, në Nenin 30 të tij, parashikon mënyrën se si do të realizohet urbanizimi i zonave informale. Sipas ligjit, urbanizimi i zonave informale kryhet në bazë të studimeve urbanistike pjesore në përfundim të procesit të legalizimit. Hartimi i studimeve urbanistike pjesore bëhet ose porositet nga njësitë e qeverisjes vendore. Në çdo rast studimet urbanistike duhet të respektojnë planet e miratuara nga KRRT-ja e bashkisë ose komunës, të hapësirave dhe shesheve publike, për investime në rrugë, infrastrukturë dhe objekte social-kulturore. Këshilli i qarkut miraton, me vendim të posaçëm, studimin urbanistik për territorin e zonave informale.
Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave ka miratuar rregulloren e urbanizimit të zonave informale, e cila do të nisë të zbatohet fill pas përfundimit të procesit të legalizimit. Procesi i urbanizimit fillon në një zonë që është legalizuar plotësisht dhe të gjithë pronarët e ligjshëm kanë marrë kompensimin financiar. Atëherë bëhet studimi urban. Në studimin urban, në qoftë se në të gjithë zonën diku cenohet një pronë, një avlli, një mur, ekzistojnë rregullat e ekonomisë së tregut dhe dëmshpërblimi do të realizohet në bazë të vlerave të tregut. Pra, do të zbatohen rregullat e urbanistikës sikur të ishte një zonë e zakonshme. Qytetari, prona e të cilit do të cenohet nga urbanizimi, do të dëmshpërblehet me vlerën e çmimit të tregut jo vetëm për shtëpinë, por edhe për avllinë, edhe për oborrin, pra për çdo dëm.
10 Gusht 2009