E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Si i qethnim në Rinas të huajt me flokë të gjata”

 

Afrim Imaj

Mbërrinin në Rinas nga skajet më të largëta të globit dhe iknin duke marrë me vete kujtime të trishta. Mysafirët e huaj të Shqipërisë së viteve të komunizmit, nuk mund ta çonin deri në fund kërshërinë për t’u njohur me njerëzit e “Tokës së shqiponjave” pa u bërë paksa shqiptarë dhe pa u njehsuar me sjelljet e moralin e tyre.E mbërthyer në dramën e izolimit të tejskajshëm, Tirana e banderolave me proletarë e bolshevikë mundohej ta kapërcente atë me ftesa për vizitorë e turistë të shumtë. Teksa shprehte “bujarinë” e pazakontë, kujdesej për përzgjedhjen e tyre sipas standardeve marksiste, ndërkohë që mbante në kontroll gjithë inkursionin e mysafirëve që vinin rishtas në Rinas. Në ditarin e Profesor Agim Popës kujtimet nga vizitat e miqve të Shqipërisë dhe pjesëtarëve të shoqatave të miqësisë, zënë një vend të dukshëm. Më shumë se kaq, ish-funksionari i Komitetit Qendror, ka ruajtur të dokumentuar problematikën e shumtë, që prodhonte veprimtaria e turistëve, që gjendeshin në vendin tonë në siglën e partive simotra dhe të organizatave të tjera me prirje të majta. Në rrëfimin për gazetën “Panorama”, profesor Popa kujton shqetësimin që sillnin në atë periudhë vizitorë të ndryshëm me prirje antikomuniste, liberale e trockiste, por dhe andrallat e mysafirëve me veshje e paraqitje ekstravagante...
 Zoti Agim! Në ditarin tuaj bashkë me shënimet nga takimet me përfaqësues të lëvizjes komuniste ndërkombëtare, zënë një vend të dukshëm dhe ato që kanë të bëjnë me veprimtarinë e shoqatave të miqësisë midis vendit tonë dhe atyre të demokracive popullore. Cili ishte meraku e lidershipit të Tiranës për to?
Shoqatat e miqësisë vlerësoheshin si hallka të rëndësishme të zgjerimit të marrëdhënieve dypalëshe e shumëpalëshe. Në rastin e Tiranës së asaj periudhe dhe sidomos pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, veprimtaria e tyre vlerësohej si një kontribut i vyer për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në botë. Shkurt do të thosha se nëpërmjet tyre synohej për të argumentuar të kundërtën e denoncimit që na bëhej si një vend i izoluar në Ballkan e në Evropë. Pikërisht për këtë arsye sektori i jashtëm i KQ, por edhe strukturat e Ministrisë së Jashtme, e shikonin me përparësi çështjen e këtyre shoqatave, të cilat në pjesën më të madhe shfaqeshin me karakter kulturor...
Si krijoheshin këto shoqata dhe kush i zgjidhte krerët e tyre?
Fillimisht, bërthamat e tyre u ngritën me nismën e krerëve të partive e organizatave komuniste, të cilat u kujdesën për të afruar njerëz e personalitete afër bindjeve të tyre, por edhe dashamirës të Shqipërisë e figurave historike të saj. Me kalimin e kohës rrethi i veprimtarëve të shoqatave u zgjerua me intelektualë, gazetarë dhe artistë të ndryshëm që shfaqnin interes për vendin tonë...
Kryesisht bëhet fjalë për shoqata miqësie me vendet e ish-bllokut lindor...
Shoqatat e miqësisë me ish-vendet e demokracive popullore, kuptohet zinin pjesën më të madhe, por ndërkaq në Shqipërinë e epokës së komunizmit operuan mjaft shoqata nga vendet perëndimore si Spanja, Franca, Norvegjia, Suedia, madje edhe me Ekuadorin e Kilin. Pati një periudhë, sidomos pas vdekjes së Enverit që interesi i grupeve nga vendet perëndimore u rrit ndjeshëm, aq sa institucionet tona e patën të vështirë t’i përgjigjeshin fluksit të madh të kërkesave të tyre...
Për çfarë vështirësish e keni fjalën kur gjithçka përballohej nga vetë shoqatat?
Nuk është fjala këtu për çështjet financiare, por për vështirësitë në monitorimin e veprimtarisë së tyre gjatë vizitave në vendin tonë. Shqipëria e asaj periudhe përjetonte gjendje kritike me varfëri, vuajtje, persekucion e diskriminim shoqëror. Në këto kushte duhej që syri i të huajve të kapërcente pa i parë. Duhej bërë ç’është e mundur për t’u fshehur atyre kontrastet e thella fshat-qytet, qendër-periferi, veri-jug etj. Pa folur këtu për sprovat e shumta gjatë ballafaqimit të miqve me njerëz të zakonshëm, me të rinj, punëtorë, fshatarë, nxënës shkollash etj. Ishte koha kur duhej të demonstroheshim ata që nuk ishim, kur duhej të dëshmonim se ishim populli më i lumtur në Evropë, se kishim mirëqenien më të lartë etj., etj. Kjo padyshim nuk ishte e lehtë. Sidoqoftë, ajo që dukej sheshit nuk mund ta mbulonim, se nuk mbulohet dielli me shoshë...
Gjithsesi, në shënimet tuaja pak i referoheni këtyre vështirësive, ndërkohë që shkruani se herë pas here jeni shqetësuar nga sjellja e vizitorëve, ndër të cilët siç shpreheni keni konstatuar fashistë, trockistë, antishqiptarë etj...
Kanë kaluar shumë vite qysh nga ajo kohë. Aq sa më kujtohet, shokët që merreshin drejtpërdrejt në terren me grupet e vizitorëve herë pas here na informonin për fërkime të ndryshme me pjesëtarë të veçantë të tyre, të cilët vinin nga ana e anës për të vizituar Shqipërinë. Kishte ndër ta provokatorë, tinëzarë e dashakeqë. Kishte sakaq dhe njerëz me pikëpamje fashiste, trockiste e liberale. Së paku kështu i vlerësonim në atë kohë...
Kush ishin zyrtarët që monitoronin në terren veprimtaritë e vizitorëve të huaj?
Ishte një organizim kompleks që për kohën vlerësohej si çështje delikate me rëndësi. Në planin zyrtar, kuptohet mbulohej nga strukturat e Ministrisë së Jashtme. Ndërkaq, fund e krye prezent në këtë çështje ishte Ministria e Brendshme, por ndryshe nga zyrtarët e tjerë, prania e tyre ishte e fshehtë. Shumë herë punën e “syrit vigjilent” e bënte përkthyesi, madje dhe shoferi i alturizmit, por në mjaft raste pjesë e monitorimit ilegal bëhej shoqëruesi apo ciceroni.
Si operonit me vizitorët e huaj që identifikoheshin si provokatorë, trockistë, fashistë e antishqiptarë?
Me siklet, se ishte një punë delikate ku ballafaqimi me ta nga momenti në moment mund të sillte pasoja të pariparueshme. Në këndin e detyrës time, mbaj mënd që pasi i evidentonim si raste, komunikonim me krerët e shoqatave dhe ata të partive komuniste në mënyrë që në vijim të bënin kujdes në përzgjedhjen e elementëve, që sillnin si turistë në Shqipëri. Po kështu sektori i Ministrisë së Jashtme porosiste trupin tonë diplomatik për t’i studiuar me hollësi listat e vizitorëve, të cilët i pajiste me vizë turistike. Gjithsesi, edhe përtej këtyre përpjekjeve, nuk mundëm të parandalojmë tërësisht dyndjen e elementëve të padëshirueshëm siç i vlerësonim atëherë.
Pra, sjellja e të huajve që vizitonin vendin tonë shikohej me lente të mprehtë...
E vërteta është se jo vetëm sjellja dhe reagimet e të huajve, ishin objekt i “vigjilencës” së autoriteteve shtetërore. Një aspekt po kaq delikat ishte paraqitja e jashtme, sidomos veshja dhe flokët e mysafirëve që vinin rishtas në vendin tonë. Ishte një periudhë si ajo pas festivalit të 11 të këngës në RTSH dhe Plenumit të IV të KQ, ku u dënua Fadil Paçrami e Todi Lubonja, kur kjo çështje doli prioritare...
Po si mund të ndërhynin autoritetet te paraqitja dhe veshja e turistëve?
Problemet me paraqitjen ekstravagante dhe veshjet moderniste, siç tipizoheshin në zhargonin e kohës, ishin jo vetëm të mprehta, por për nga efektet negative vlerësoheshin më të rrezikshme se profili politik i vizitorëve. Pasi, sipas gjykimit të kohës, një trockist apo një neofashist, në të gjitha rrethanat kishte mundësi të komunikonte në një rreth të ngushtë njerëzish, ndërkohë që vizitorët me paraqitje ekstravagante ekspozoheshin publikisht para mbarë opinionit. Pikërisht për këtë, çështja vlerësohej shumë serioze...
Si vepronit me pjesën e të huajve që paraqiteshin me një pamje të tillë?
Unë nuk kam qenë pjesë e strukturave që operonin drejtpërdrejt për këtë problem, por nga aq sa merrja vesh nëpërmjet marrëdhënieve të punës, isha në kontakt të shqetësimit të tyre. Mënyrat si vepronin, ishin disa, duke filluar nga këshilla me takt e deri te reagimet e rrepta sipas rastit...
Çfarë keni parasysh me termin “reagime të rrepta”?
Padyshim këtu nuk është fjala për qortim shoqëror, por për veprim detyrues përtej vetëdijes së vizitorëve. Një lloj presioni si me thënë për t’i unifikuar me kodin e sjelljes tonë, me normat e “moralit komunist e proletar”. “Vigjilenca” për këtë startonte që në kontaktin e parë sa zbrisnin në Rinas.
Dikush që vinte me minifund apo një tjetër me mjekër, nuk lejohej ta kalonte Rinasin?
Thashë që punohej individualisht me çdonjërin. Kishte që nuk dëgjonin dhe detyroheshin të ktheheshin nga kishin ardhur. Pjesa më e madhe bindeshin dhe gjenin mënyrën për të riparuar çfarë të mundnin pa dalë nga aeroporti. Mjaft gjëra riparoheshin aty. Në Rinas me sa mbaj mënd ishte instaluar dhe një berber për “qafëleshët” siç u thoshim atëherë djemve me flokë të gjata...
Në Rinas pra qetheshin turistët me flokë të gjata...
E kam kujtuar gjithnjë me humor një rast të tillë me mikun tim Sal Sheshi, i cili ka disa vite që ka ndërruar jetë. Sa kishte zbritur në aeroport një gazetar gjerman me të shoqen, kur zyrtari që e priti, teksa e pa me mjekër dhe flokë të gjata e drejtoi te berberi. Deshi nuk deshi iu bind urdhrit. Dora e berberit ishte “e rëndë” dhe kur doli shkoi menjëherë tek e shoqja për të mësuar opinionin për paraqitjen e re. “Bukur, bukur”, i tha ajo duke i hequr qimet e mbetura nga qafa. Ç’bukuri moj?, iu hakërrye ai që   nuk i pëlqeu pamja nga pasqyra. Mos bërtit, të lënsha zotin, ja bëri ajo me buzën në gaz...
vijon nesër

Agim Popa: Ato që nuk hodha në ditar
Një “Ardhsh i bardhë” në Reç për të ziun Abeli nga Kolumbia

Kishte ardhur Abeli, lideri i Partisë Komuniste të Kolumbisë dhe në vazhdim të vizitës në Shqipëri, sipas porosisë së Ramiz Alisë e shoqërova në festën e Reçit në Shkodër. Ishte një ditë e bukur dhe herë pas here mysafiri i largët gjatë rrugëtimit kërkonte për të ndaluar në vende të ndryshme. Kur mbërritëm në Reç festa sa kishte filluar. Na dolën përpara organizatorët e saj dhe si u përshëndetëm na njohën me planin e festës duke na ftuar drejt podiumit. Në hyrje të tij, një burrë i moshuar, njëri ndër veteranët e njohur të zonës, teksa i dha dorën Abelit, i uroi mirëseardhjen në zhargonin e zonës “Ardhsh i bardhë miku im!!”
Sakaq kolumbiani u kthye nga unë për të marrë vesh çfarë i kishte thënë malësori i thyer në moshë. Aty për aty ia përktheva fjalë për fjalë, por me dyshimin se nuk do t’ia zinte fillin. “Më uron të vij i bardhë si bora, apo jo?” ja bëri me fytyrë nga mua Abeli. Po, i pohova pa e zgjatur. “I thuaj këtij burri të nderuar, vazhdoi pastaj, se sa herë kam me ardh, i zi kam me qenë!”. Mjaftoi kaq dhe u ndez e qeshura. Miku nga Kolumbia që me sa dukej nuk e kuptonte sensin e humorit në këtë rast na shikonte në sy. Ishte diçka spontane, po gjithsesi e bukur. Në fakt Abeli ishte krejt i zi, por nuk kishte tipare negri. Më ka ndodhur me të diçka e tillë edhe një herë tjetër. Ishim duke lundruar me një anije të vogël në Durrës. Abeli mbante një aparat fotografik dhe në një moment ia zgjati Dashnor Dervishit, duke i thënë të bënte disa shkrepje për t’i pasur kujtim. Dashnori mori aparatin disa çaste me radhë filloi të sillet sa nga njëri skaj te skaji tjetër i anijes. Po ti shkrepe, se na plase!, i tha Abeli që ishte vendosur te krahu im. Kërkoj një pozicion të përshtatshëm, se u bie hija në fytyrë dhe del poza e zezë, shpjegoi me çiltërsi Dashnori. “Mos u lodh gjatë, i tha Abeli, po shkrepe aty ku je, se ngado të më fotografosh, fytyra e zezë ka me më dalë”.

Popa: Telashet e martesave të indonezianëve me shqiptaret

“Telashet me të huajt nuk kishin të mbaruar!” Nuk mjaftonin bindjet antikomuniste dhe veshjet ekstravagante të majft prej tyre, por një periudhë kohë u bënë shqetësim dhe martesat e vajzave të Tiranës me shumë syresh. Në ditarin e Agim Popës, përshkruhen dhjetra të tilla, madje dhe me të huaj me ngjyrë.
Më shumë se lidershipin shqiptar këto lloj dashiurishë kishin vënë në hall krerët e partive të tyre, siç ishte rasti i delegacionit të Indonezisë, i cili mbriti enkas në Tiranë për të parandaluar këtë dukuri që, “cenonte vet revolucionin”...

13.11.1973
Takim me krerët e lëvizjes komuniste të Indonezisë
Shoku Surasto: Gjatë kësaj periudhe kemi pasur një incident tragjik: përfaqësuesi i delegacionit tonë në Vietnam, shoku Xhamhari, aty nga mesi i vitit 1970 vrau veten. Ai në vitin ‘67 kishte vizituar Shqipërinë. Ne nuk e kemi aprovuar vetëvrasjen që në thelb është tradhti ndaj partisë e revolucionit.
Shoku Behar: Edhe ne kështu do ta quanim.
Shoku Surasto: Pasi ndalet në shqetësimet e indonezianëve që vazhdojnë të punojnë në uzinën “Enver”, në “Radio Tirana”, në Kombinatin e Traktorëve, në spitale dhe të atyre që vazhdojnë studimet politike dhe ato të tjera..
“Kemi shqetësim martesat me shqiptaret. Delegacioni indonezian është kundër martesave të shokëve indonezianë me femrat shqiptare dhe me të huaja të tjera. Ky ka qenë edhe mendimi i palës shqiptare. Por praktika po tregon se këto lloj martesash kanë qenë e zorshme për t’u evituar…”
Shoku Behar Shtylla: KQ i Partisë është duke e rishikuar qëndrimin e vet për këtë çështje dhe është i mendimit që dhe delegacioni indonezian ta rishikojë pozitën e vet.
Shoku Surasto: Delegacioni mbi bazën e situatës konkrete të shokëve indonezianë në Kore, Vietnam, Shqipëri, Kinë etj., e rishikoi pozitën e vet dhe arriti në këto konkluzione. Ai rekomandoi sa të jetë e mundur më tepër indonezianët të mos martohen jashtë me të huajt, dukë vënë çështjen e përgjithshme atë të revolucionit mbi atë personale të familjes. Sa për shokët që qëndrojnë jashtë për një kohë të gjatë, po pati ndër ta që duhet të martohen, në çdo rast duhet parë konkretisht (Në rast se ky shok ka ose jo detyra urgjente për t’u kthyer në atdhe) Po pati detyrë të tillë, nuk justifikohet martesa e tij. Po nuk pati detyra urgjente le të martohet. Shokët indonezianë që do të qëndrojnë në Shqipëri dhe e kanë urgjente martesën, në çdo rast duhet ta bëjnë atë me pëlqimin e KQ të PPSH-së. Politikisht martesa mos të jetë në dëm të revolucionit. Fëmijët që do të lindin deri në moshën 18 vjeç do të jenë në përgjegjësinë e prindërve, pastaj secili le të zgjedhë nënshtetësinë e vet.
Ata që janë të martuar dhe e kanë familjen në Indonezi të mos lejohen të martohen këtu. Po u desh të kthehet në atdhe për çështjen e revolucionit, duhet të bjerë në marrëveshje me gruan që ajo dhe fëmijët të qëndrojnë në Shqipëri. Secili shok në jetën e përditshme ta shkrijë veten në familjen shqiptare.

Ramiz Alia, belgëve: Mos na çoni vizitorë provokatorë e trockistë
10.4.1975 F. Lefabre, fletë për ndihmën që i ka dhënë PPSH lëvizjes komuniste në Belgjikë dhe vlerëson rolin e lidershipit shqiptar në luftën kundër revizionizmit dhe imperializmit. Ndër të tjera flet për shoqatën e miqësisë me Shqipërinë. “Ajo u krijua nga Partia duke aktivizuar shokun Vanderlinden, militant i vjetër i partisë, dhe avokatin Vegel, u shpreh Lefabre. Tani që Vanderlinden është i sëmurë ne sugjeruam që në kryesi të hynte shoku Delforzh. Shoqata ka një asamble ku tani Vegel ka futur gati gjysmën e pjesëtarëve të saj nga radhët e një organizate tjetër që hiqet si e majtë, por është vegël e borgjezisë. Anëtarët e saj i përkasin shtresës së aristokracisë dhe janë kryesisht fëmijë të familjeve të milionerëve. Ky është fakti i parë. Vegel refuzoi para disa kohësh për të dërguar në Shqipëri një grup marksist-leninist nga ata të Sharleroit, ndërsa më pas dërgoi 100 vetë nga organizata tjetër, që mesa kemi marrë vesh kanë bërë gjeste provokuese në vendin tuaj. Ne kemi krijuar shumë organizata regjionale të miqësisë me Shqipërinë, por Vegel jo vetëm nuk i njeh, por bën të pamundurën që mos t’i lërë të vijnë në vendin tuaj. Vegel desh dërgoi në Shqipëri një trockist të njohur Desodrë, por ne e pikasëm dhe e kthyem mbrapsht.
Ramiz Alia: Ne duhet të jemi vigjilentë e mos t’i bëjmë asnjë lëshim ideologjisë borgjeze, që do të ishte një minë me sahat. Kjo në kushtet e vizitorëve është e rëndësishme, pasi ne duhet të ndodhemi në sulm kundër imitimit të modës së huaj...Lufta kundër ndikimeve të huaja është një luftë për jetë a vdekje për ne. Përsa i përket shoqatës së miqësisë ne themi se është në interes të revolucionit te ne që Shqipëria socialiste të ketë sa më shumë miq, por miqtë më të mirë për ne janë M-L e vërtetë. Ne jemi të interesuar që të gjithë miqtë të bëjnë propagandë për Shqipërinë dhe për socializmin. Sa për shqetësimet që kanë lindur me shoqatën e Belgjikës, ato duhen vlerësuar. Me sa duket Vegel ka tendencën të përkrahë devijatorët, ne nuk do të biem në këto pozita. Vjet u ndaluam turistëve të dërguar prej tij të dalin si grup. As nuk lejuam të vinte një trockist këtu. Po të ketë raste të tjera na njoftoni të mos i lëmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›