Zbulohet dëshmia e gruas së Dajtit në polici, Ekspertiza: Oficerët u vranë nga e njëjta armë
Fatos Mahmutaj
Pas pyetjes së dy të arrestuarve me Dritan Dajtin, organi i akuzës për të plotësuar hetimet paraprake për masakrën e Durrësit ka marrë në pyetje familjarët e Dajtit, bashkëshorten e tij dhe familjarët e saj. Po kështu janë shoqëruar në polici shumë persona, të cilëve pasi u janë marrë deklarimet janë lënë të lirë. Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se Dorela Dajti, bashkëshortja e Dritanit, ka dhënë shpjegime të hollësishme menjëherë pas ngjarjes. Sipas tyre, mësohet se ajo ka pohuar: “Me Dritanin kam bërë një jetë si me një të kërkuar”, ndërkohë sipas dëshmisë së saj, dhënë në organet e hetimit, mësohet se ka pohuar që ditën e ngjarjes kishte udhëtuar nga Tirana për në Durrës në banesën e familjes së tyre në pallatin, para të cilit ndodhi ngjarja. Sipas hetimit, ajo kishte udhëtuar e vetme me një makinë tip BMW dhe kishte mbërritur në Durrës rreth një orë pas ngjarjes, pasi ishte informuar nga televizioni për masakrën. Hetuesit pohojnë gjithashtu se prania e bashkëshortes së Dajtit në Durrës u kishte lehtësuar punë, pasi ajo ka pranuar që ka jetuar me Dajtin, duke bërë që ata të ezauronin punën për mbledhjen e fakteve që do të provonin bashkëjetesën e tyre gjatë arratisë së 38- vjeçarit. Mësohet se gjatë deklarimeve në polici, ajo e cila sipas ligjeve përjashtohet nga përgjegjësia penale, ka pohuar se: “Puna e policisë është ta kapë, ndërsa halli i tij të fshihej”. Po kështu, shoqërimet dhe marrjet në pyetje të familjarëve të Dajtit kanë vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Gjatë mesditës policia e kryeqytetit ushtroi kontroll në banesën e vjehrrit të Dajtit, pasi më parë kishte marrë në pyetje familjarët e bashkëshortes së tij. Ata u shoqëruan për disa orë në polici dhe pas marrjes së deklarimeve u lanë sërish të lirë për t’u kthyer në banesë. Ndërkohë hetuesit gjatë marrjes në pyetje të të arrestuarve dhe dëshmitarëve të tjerë janë përpjekur të gjejnë emra të tjerë bashkëpunëtorësh të Dritan Dajtit, që në fakt mendohet se kanë qenë të shumta. Të njëjtat burime pohojnë se mendohet se të tjerë persona e kanë ndihmuar Dritan Dajtin në lëvizje gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, për të cilët pritet vetëm sigurimi i provave materiale për të kryer prangosjet e tyre dhe dërgimin në paraburgim. Gjithashtu bëhet e ditur se dy të prangosurit si bashkëpunëtorë të Dajtit kanë dhënë mjaft hollësi në lidhje me ngjarjen se si ndodhi ajo, duke u përpjekur të shfajësojnë veten nga krimi i rëndë i së premtes. Mësohet se vetë i akuzuari kryesor ka kundërshtuar t’iu përgjigjet pyetjeve të grupit hetimor.
Ekspertiza e armëve,Dajti vrau të katër policët
Etleva Delia
Ekspertimi balistik i armëve të gjetura në vendin ku mbetën të vrarë 4 oficerët e policisë në Durrës, ka përcaktuar si autor të vetëm të ekzekutimit të tyre, Dritan Dajtin. Krahasimi i predhave të fishekëve që janë gjetur në trupat e policëve, me kalibrat e armëve të sekuestruara, ka çuar në një përfundim paraprak ekspertët e kriminalistikës. Burime nga Laboratori i Kriminalistikës, në Ministrinë e Brendshme, thanë se rezultatet nuk janë përfundimtare, pasi duhet të bëhen krahasimet edhe me armët e policëve, por paraprakisht veprimet e Dajtit, ditën e premte në Durrës, pothuajse janë përcaktuar. Dy, nga tre armët që janë ekzaminuar në laborator, rezultojnë të jenë të 39-vjeçarit Dritan Dajti. Mësohet se ai ka qëlluar mbi policët me të dyja pistoletat, tashmë të sekuestruar. Në përfundim të këqyrjes së automjetit tip “Tuareg”, rezulton se nga brenda saj është qëlluar gjashtë herë. Ndërsa pjesa tjetër e plumbave që kanë dalë nga dy armët e Dajtit, janë derdhur nga jashtë makinës. Nga goditjet në hapësirën përpara pallatit ky strehohej Dajti e deri në vendin ku ai është plagosur, ai ka qëlluar edhe dy punonjësit e tjetër të policisë, duke i lënë të vdekur. Plumbi i parë që ka dalë nga arma e Dritan Dajtit, nga xhami i mbrapëm anësor i makinës “Tuareg”, ka qëlluar duke lënë të vdekur oficerin Fatos Xhani. Pas krahasimit të lartësisë nga toka e gjurmës në xhamin e makinës, ku ka dalë plumbi dhe vendit ku është qëlluar drejtues Xhani, rezulton se ai në momentin që është goditur ka qenë shumë pranë makinës dhe në këmbë. Kjo pasi plumbi e ka goditur në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Pas një të shtëne tjetër nga brenda makinës, plumbi i tretë ka qëlluar për vdekje oficerin Altin Dizdari. Pas vrasjes së tij, Dritan Dajti ka qëlluar edhe 3 herë të tjera nga brenda makinës. Në momentin që “lufta” sapo kishte filluar, ka dalë nga automjeti, Ledion Mara, i cili ndodhej në sediljen e parë të makinës. Sapo ka filluar të vrapojë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, me një pistoletë që e mbante gjatë gjithë kohës në gatishmëri për sulm, oficeri Kastriot Feska i ka dalë nga pas dhe i ka kapur duart që ta arrestojë. Ky ka qenë një moment fatal për Kryeinspektor Feskën, pasi Dritan Dajti, i cili kishte dalë nga makina menjëherë pas Marës, duke dashur të çlirojë mikun e tij, ka goditur me një plumb të vetëm pas shpine oficerin. Sipas ekspertëve i njëjti plumb që është goditur Feska, ka përshkuar trupin e tij dhe ka plagosur edhe Ledio Marën. Burimet sqaruan se deri tani është përcaktuar vetëm momenti i plagosjes së Marës, pasi plumbi i parë me të cilin është goditur i është nënshtruar ekspertizës, ndërsa plumbat që i kanë shkaktuar vdekjen, janë ende pjesë e ekspertimit balistik. Ndërkohë, teksa ka lënë të vdekur në vend edhe Kastriot Feskën, Dritan Dajti ka tentuar të largohet me dy pistoleta në të dy duart. Ka qenë Saimir Duçkollari, i cili i ka prerë rrugën për ta arrestuar, por edhe ai ka pësuar të njëjtin fat si kolegët e tij. Edhe Kryeinspektor Duçkollari ka mbetur i vrarë, pasi ka qëlluar një herë në drejtim të Dajtit. Arrestimi i Dritan Dajtit ka ardhur pas goditjes ndaj tij edhe nga dy plumba të tjerë, nga kolegët e katër oficerëve të vrarë, të cilët ishin pjesë e operacionit dhe që fatmirësisht i shpëtuan masakrës së të premtes në Durrës. Menjëherë pas tij është arrestuar edhe Ergest Xhoxhi, vëllai i gruas së Dritan Dajtit, i cili mësohet se nuk ka marrë asnjë plumb gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Dritan Dajti, Ergest Xhoxhi dhe Elvis Karoli përballë drejtësisë
Krimet e Rënda vlerësojnë sot masat e sigurisë për të arrestuarit
Gjykata e Krimeve të Rënda vlerëson sot masën e sigurisë për 3 të arrestuarit e masakrës së Durrësit. Mësohet se Dritan Dajti dhe kunati i tij Ergest Xhoxhi do të përballen me togat e zeza për masakrën e Durrësit, ku padyshim akuzat do të bien drejtpërsëdrejti mbi Dajtin. Ndërkohë mikut të tij, Elvis Karolit, i cili u arrestua në Tiranë disa orë pas ngjarjes, do t’i komunikohet masa e sigurisë për mbajtje pa leje të armëve luftarake. Sipas burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, thanë se dy prokurorët e çështjes, Ardian Nezha dhe Eugen Beci, kanë formuluar akuzën “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, për Dritan Dajtin. Ndërsa mësohet se do të kërkohet masa e sigurisë “burg pa afat”, për të tre të arrestuarit. Drejtësia shqiptare ka dhënë edhe dy vendime të mëparshme për Dajtin. Dënimi i parë me 20 vjet burg është dhënë për një vrasje dhe një grabitje, ndërsa dënimi i dytë është dhënë për largimin e tij nga vendi i vuajtjes së dënimit. Tashmë Dritan Dajtit do t’i duhet të përballet me drejtësinë, si i dyshuari kryesor për ekzekutimin e katër oficerëve të policisë, Fatos Xhanit, Altin Dizdarit, Kastriot Feskës dhe Saimir Duçkollarit. Pas gjashtë vitesh në arrati Dajti u arrit të arrestohet dhe të dalë para gjykatës, vetëm pas ngjarjes tragjike që ndodhi rreth orës 14:00 të së premtes, në plazhin “Iliria” të Durrësit. Personi më i kërkuar në Shqipëri u arrestua vetëm pas një “lufte” me policinë dhe përfundimit tragjik të saj, edhe pse misioni i operacionit u arrit, Dajti u prangos. e.d.
Çelësi i apartamentit të Dajtit, në çantën e tij
Ndër objektet e shumta me rëndësi për grupin hetimor, që është sekuestruar në vendin e ngjarjes, është edhe çanta e dorës që mbante Dritan Dajti. Aty janë gjetur kartat e policisë të falsifikuara, me fotot e tij dhe me emër tjetër, celularët e tij, të cilët do të përdoren për zbardhjen e tabulateve telefonike, si dhe një çelës apartamenti. Ky ishte çelësi i apartamentit në zonën e plazhit, ku dyshohej se strehohej Dritan Dajti. Gjithçka u provua që ishte e tillë, pasi çelësi ishte ekzaktësisht i atij apartamenti, pasi dera u hap me të. Nga kontrolli i banesës, policia nuk gjeti asnjë objekt komprometues që ta ngarkonte më tepër Dritan Dajtin, madje sipas burimeve nga policia brenda apartamentit nuk u gjet asnjë person tjetër, bashkëpunëtor apo familjar i tij, ndryshe nga çfarë pretendohej para se të bëhej kontrolli.
Akuza paraprake: Policët u vranë për shkak të cilësive të veçanta
TIRANE - Dritan Dajti, autori i masakrës së të premtes në zonën e Durrësit, do të hetohet për vrasje në rrethana të cilësuara. Në bazë të materialeve të grumbulluara nga hetimet paraprake, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur ndaj 38-vjeçarit Dajti akuzën “vrasje në rrethana cilësuese ndaj policit, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura”. Kjo akuzë ndaj Dajtit rëndohet nga fakti që ai e ka konsumuar katër herë, në bashkëpunim me kunatin e vet Erges Xhoxhi. Kurse për të arrestuarin Elvis Karoli, i cili u kap në Tiranë, mesnatën pas ngjarjes është ngritur akuza e ndihmësit në bashkëpunim për vrasjen e katër oficerëve të policisë. Po kështu për të tre të arrestuarit është shtuar edhe akuza e mbajtjes pa leje të armëve luftarake si edhe mjeteve për përdorim policor. Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se akuza në ngarkim të Dajtit është mbështetur në nenin 79/dh të Kodit Penal, nen, sipas të cilit, nëse gjenden fajtorë mund të marrin dënime që nisin nga 20 vjet burg e shkojnë deri në mbyllje përjetë në qeli. Fakti që ndaj Dajtit janë ngritur këto akuza, sipas hetimit ka të bëjë me analizimin e hollësishëm të rrethanave të ngjarjes dhe provave të mbledhura në vendin e krimit. Sipas tyre, policët kanë qenë në krye të detyrës për arrestimin e të shumëkërkuarit Dajti, ndërsa janë konfrontuar me armë me të. Organi i hetimit pohon gjithashtu se policët janë qëlluar nga Dajti që në momentin e parë që i kanë drejtuar atij armët, çka është vlerësuar si rrethanë rënduese për të arrestuarin 38-vjeçar. Po kështu edhe vrasja e dy policëve të tjerë, dhe plagosja e një qytetari dhe shokut të tij, ka rënduar më tepër pozitën e tij përballë ligjit. Gjatë paradites së sotme pritet që prokuroria t’ua komunikojë akuzat në gjykatë tre të arrestuarve, ndërsa nuk dihet nëse gjendja shëndetësore do e lejojë apo jo Dajtin për të marrë pjesë në seancën gjyqësore. fa.ma.