E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceka: PAD mund të shkrihet me PD

Pas shkrirjes së PD-së me PDR-në përpara zgjedhjeve elektorale, Partia Aleanca Demokratike është duke menduar shkrirjen me selinë blu. Kodi i ri Elektoral fillon të japë kështu frytet e tij, teksa pranë gjirit të PD-së pritet të afrohet shumë shpejt edhe Neritan Ceka. "Tendenca e kodit është t‘i bashkojë partitë, të krijojë dy grupime të mëdha, qoftë federativ, qoftë të unifikuar, por kjo është një çështje që do diskutohet në kuadrin e qeverisjes së ardhshme. Mendoj se kjo është e mundshme për të gjitha partitë, qoftë nga e majta, qoftë nga e djathta, megjithatë është ende herët të flasim", u shpreh kryetari i PAD-së, Ceka. Rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit pritet të sjellë shumë surpriza politike jo vetëm për partitë e mëdha, por edhe për ato të vogla. Pasiguria që partitë e vogla kanë në këto zgjedhje, si pasojë e Kodit të ri Elektoral, do të sjellë një valë shkrirjesh. Genc Pollo dhe Tritan Shehu ishin të parët që menduan t‘i bashkohen Partisë Demokratike pas shumë vitesh divorc dhe të braktisin subjektin e tyre partiak, Partinë Demokrate Reformatore. Pas zgjedhjeve, kjo mund të pasohet me shkrirjen thetër që rikthen Neritan Cekën në "shtëpinë e vjetër" pas kaq shumë vitesh. Në prononcimin për median, Ceka u shpreh se kjo nuk është shtruar si një alternativë e programit zgjedhor, por Kodi i ri Elektoral do të detyrojë shumë parti të vogla të bashkohen si të vetmen zgjidhje. Kryetari i PAD-së ka firmosur pak ditë më parë një marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, ku i është premtuar edhe një post qeveritar në rast se mazhoranca aktuale arrin të sigurojë një mandat të dytë pas 28 qershorit. Ceka figuron të ketë bashkëqeverisur edhe me të majtën gjatë tetë viteve pushtet, nga viti 1997 deri në 2005.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›