Miratohet kontrata për celularin e katërt
Komisioni Parlamentar për Tregtinë dhe Veprimtarinë Prodhuese miratoi dje me shumicë votash licencën e operatorit të katërt celular në treg. Anëtarët e komisionit kërkuan shpjegime rreth projektligjit të miratuar më parë nga Këshilli i Ministrave. E pranishme në komisionin parlamentar ishte drejtoresha e Politikave të Telekomunikacionit, Alketa Mukavelati, e cila paraqiti procesin e hartimit të kontratës për shërbimin e celularit të katërt në treg. "Në tender pati disa oferta, duke filluar nga 1 milion, 5 milionë dhe deri në 7.2 milionë euro. Procesi ka qenë i hapur dhe transparent", u shpreh Mukavelati. Duke vlerësuar të gjitha kriteret financiare dhe teknike, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, përzgjodhi si kompani fituese Post-Telekom Kosovën, e cila do të bashkëveprojë me një grup investitorësh shqiptarë. PTK ofroi vlerën më të lartë, 7.2 milionë euro dhe ka përvojë të gjatë në tregun e telekomunikacioneve. Relatori i projektligjit, deputeti Ilir Bano, e vlerësoi kontratën e miratuar nga qeveria, duke e lidhur me faktin se hyrja në treg e celularit të katërt do të sjellë efekte pozitive në uljen e tarifave për bisedat, nisur nga konkurrenca e lartë. Edhe nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Tregtinë dhe Veprimtarinë Prodhuese paraqiti vlerësime pozitive, duke inkurajuar kompaninë fituese që të hyjë sa më shpejt në treg, nga ku pritet ulje të konsiderueshme të tarifave celulare.
Fillimisht, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pas hapjes së tyre dhe bërjes publike të ofertës financiare dhe teknike, skualifikoi shoqërinë "Univers", duke rrezikuar dështimin e procedurave për përzgjedhjen e operatorit të katërt të telefonisë së lëvizshme, megjithëse deri atëherë afati i paraqitjes së ofertave ishte shtyrë disa herë për të mundësuar një pjesëmarrje sa më të gjerë e cilësore në këtë tender. Ministria e Telekomunikacionit e përzgjodhi fitues PTK-në, jo vetëm nga oferta e lartë monetare dhe nga kushtet teknike, por më së shumti nga fakti se në tarifat për bisedat, kompania paraqiti nivelet më të ulëta.
Tani i mbetet Kuvendit të Shqipërisë që ta miratojë kontratën në seancë plenare dhe më pas procesi kalon për dekretim nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.