Ceka: “Rama të kërkojë falje për manipulimin e çështjes Trebicka”
Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike deklaroi dje se kryetari i PS-së Edi Rama duhet të kërkojë falje publike për manipulimin e vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka. “Edi Rama duhet t’i kërkojë falje publikut për mënyrën si u trajtua nga opozita vdekja e biznesmenit Kosta Trebicka. Kam qenë kundër protestës së opozitës për këtë ngjarje dhe PAD-ja nuk u bashkua me atë proteste, duke deklaruar se është e parakohshme dhe nuk mund të manipulohet mbi vdekjen e një personi derisa Prokuroria nuk ka dhënë mendimin e saj përfundimtar. Dhe në këtë drejtim Rama duhet t’i thotë ‘më fal’ publikut”, - është shprehur Ceka. Në cilësinë e nënkryetarit të Kuvendit, ai deklaroi se nuk i duket normale kalimi i debateve që hap shtypi menjëherë në sallën e Kuvendit, pasi krijojnë spekulime. “Nuk më duket normal kalimi i menjëhershëm në Kuvend i debateve që hap shtypi. Kjo krijon pështjellim, e nxit dhe vetë shtypin për prodhime lajmesh të parakohshme, por nga ana tjetër krijon një imazh jo të mirë të politikës shqiptare dhe kjo është kosto që e paguan i gjithë publiku”, - është shprehur nënkryetari i Kuvendit, Ceka.
22 Tetor 2008