E Diel, 1 Nëntor 2026

Konstitucionalistët, të enjten në Kuvend për kufizimin e imunitetit



Eljona Ballhysa
Konstitucionalistët më të njohur dhe përfaqësues të grupeve të interesit do të diskutojnë në Kuvend rreth çështjes së kufizimit të imunitetit. Nënkryetari i Kuvendit, Ylli Bufi, i cili është mandatuar nga Këshillit për Legjislacionin që të hartojë amendimet kushtetuese, bëri të ditur për gazetën “Albania” se ditën e enjte do të zhvillohet mbledhja e parë. Të pranishëm, sipas tij, përveç dy përfaqësuesve të partive të mëdha, pra Ylli Bufit dhe Ilir Rusmalit, do të jenë konstitucionalistët më të njohur të vendit dhe përfaqësues të grupeve të interesit. Bufi bëri të ditur se palët do të paraqesin propozime dhe mendime për mënyrën e ndryshimit të Kushtetutës përsa i përket çështjes së kufizimit të imunitetit të deputetëve. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Ylli Bufi, u shpreh se PS-ja tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin e saj, që mbështet kufizimin e imunitetit të deputetëve, por për të realizuar këtë më parë duhet të dëgjohen propozimet e palëve të interesuara në këtë proces. Nga ana tjetër, PD-ja, e cila është iniciatorja e kësaj nisme, ka shprehur qëndrimin se përveç kufizimit të imunitetit të deputetëve, kërkon dhe kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve dhe të aktorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë. Por kjo pikë është kundërshtuar nga disa ligjvënës të Kuvendit të Shqipërisë, ndaj dhe mbetet ende për t’u diskutuar.
Vendimi
Pak ditë më parë, Këshilli për Legjislacionin në Kuvendin e Shqipërisë vendosi që të ndryshohet Kushtetuta përsa i përket kufizimit të imunitetit të deputetëve. Këshilli i Legjislacionit konstatoi se “nismat e ndërmarra deri tani në lidhje me çështjet e imuniteteve nuk kanë prodhuar rezultatin e dëshiruar”. Më tej Këshilli për Legjislacionin vendosi që dy anëtarët e tij, përfaqësuesi i PS-së Ylli Bufi dhe përfaqësuesi i PD-së Ilir Rusmali, të hartojnë draft-amendamentet për kufizimin e imuniteteve. Këto amendamente më pas do t’u jepen grupeve parlamentare për nënshkrim, për të vazhduar më tej me procedurat e Rregullores së Kuvendit për rishikimin e Kushtetutës. “Këshilli për Legjislacionin shpreh besimin se, me vullnetin e përbashkët të të gjitha grupeve parlamentare, kjo sfidë do të përfundojë me sukses”, - përfundon njoftimi për shtyp. Megjithatë, në vendimin e Këshillit për Legjislacionin nuk bëhet e ditur nëse kufizimi i imunitetit do të realizohet vetëm për deputetët, apo edhe për gjyqtarët. Pikërisht të dyja këto kategori parashikohen në Kushtetutë që janë mbrojtur nga imuniteti.
Ndryshimi
Kushtetuta parashikon në nenin 73 të saj që deputetët janë të mbrojtur nga imuniteti. Kjo do të thotë që Prokuroria e Përgjithshme nuk mundet të hetojë një deputet pa marrë “lejen” nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo procedurë është ndjekur për dy deputetë dhe ministra të qeverisë “Berisha”. Për ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, i cili po hetohet për kontratën e rrugës “Durrës-Kukës” dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili po hetohet për tragjedinë e Gërdecit. Pikërisht për të dy këta persona më parë ka pasur një kërkesë nga Prokuroria e Përgjithshme për heqjen e imunitetit. Kjo kërkesë është shqyrtuar nga Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve në Kuvend dhe më pas është miratuar heqja e imunitetit nga ligjvënësit. Amendimi i Kushtetutës pritet të sjellë pikërisht ndryshimin e kësaj pike, duke i hapur rrugën Prokurorisë së Përgjithshme që të hetojë lirshëm deputetët pa pasur nevojë që të kërkojnë “lejen” e Kuvendit. Megjithatë, ende nuk dihet nëse palët nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës do të parashikojnë dhe kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve.

22 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›