E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehu reagon ndaj akuzave të opozitës për tragjedinë e Butrintit



Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokrate të Re, Tritan Shehu, reagoi dje ndaj akuzave të opozitës lidhur me ngjarjen tragjike në Butrint. Shehu është shprehur për mediat se nuk duhet të përdoren për politike ngjarje të tilla tragjike. Më tej ai theksoi se qeveria ka bërë luftë me zero tolerancë ndaj trafiqeve të paligjshme dhe kjo ngjarje është sporadike. “Loja me fatkeqësitë e me vdekjen është një lojë shumë cinike dhe aspak demokratike. Nëse ka fushë ku kjo qeverisje ka pasur sukses të plotë është lufta kundër trafiqeve. Deklarata e Edi Ramës më kujtoi një tjetër vdekje, atë të biznesmenit Kosta Trebicka. Të kërkosh të krijosh kapital politik me vdekjen, në fakt realisht bën efektin e kundërt. Së paku duhet pasur guximi më vonë që të pranohet e vërteta dhe përgjegjësia”, - është shprehur Shehu. Deputeti Shehu, duke shprehur keqardhje për ngjarjen e rëndë, theksoi se gjithsesi “Shqipëria nuk mund të kthehet në një vend me tela me gjemba, ndërkohë që qytetarët duhet të ndërgjegjësohen që të mos ndërmarrin veprime të rrezikshme”.

Senati i Rumanisë ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Senati i Rumanisë ratifikoi dje Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO duke u bërë i gjashti vend që miraton këtë protokoll brenda një muaji. Ky ratifikim, është cilësuar nga Kuvendi i Shqipërisë si shprehje e mbështetjes së vendeve të NATO-s dhe të BE-së, ndaj një partneri serioz si Shqipëria. “Ky është vlerësim jo me fjalë por me vepra, me votë pro Shqipërisë në NATO”,- shkruhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit. Rumania ratifikon këtë protokoll pas Senatit amerikan, ku Dana Perino, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, e quajti rezultat të progresit të jashtëzakonshëm të Shqipërisë ratifikim që u votua unanimisht edhe nga parlamenti i Hungarisë, ai i vendeve baltike dhe i Polonisë. Me anë një letre falënderimi, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, i shprehu mirënjohjen deputetëve dhe senatorëve rumunë si dhe miqve të saj, Presidentit të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Rumanisë, Bogdan Olteanu, dhe Presidentit të Senatit të Rumanisë, Nicolae Vacaroiu, për impenjimin e tyre në futjen e shpejtë në axhendën parlamentare të këtij ratifikimi dhe për besimin e tyre tek Shqipëria dhe reformat e realizuara.

Ministri i Arsimit, Beja: “Kemi mungesa në klasa, do t’i marrim me qira”

Ministri i Arsimit, Fatos Beja, ka raportuar dje në Komisionin Parlamentar për Arsimin dhe Mjetet e Komunikimit Masiv mbi fillimin e vitit të ri shkollor. Gjatë fjalës së mbajtur ministri ngriti si shqetësim mungesën e klasave, veçanërisht në qytetet e mëdha, ku ka dhe popullsi të lartë. Ai bëri të ditur se për këtë shkak Ministria do të përpiqet të gjejë ambiente për t’i marrë me qira. Sipas tij, deri tani janë marrë rreth 21 ambiente me qira nga Ministria e Arsimit për të realizuar procesin e mësimdhënies, kryesisht për shkollat nëntëvjeçare në Tiranë. “Është ulur numri i nxënësve në klasa për shkollat e mesme për shkak të futjes së sistemit të shkollave nëntëvjeçare. Por kjo ka krijuar probleme për shkollat nëntëvjeçare, pasi kemi mungesa në klasa dhe kjo ka sjellë vështirësi. Problematik në këtë aspekt mbetet kryesisht arsimi në Tiranë dhe në qytete me popullsi të lartë. Për këtë arsye po shohim mundësinë e marrjes së ambienteve me qira. Aktualisht kemi marrë rreth 21 ambiente me qira në Tiranë”,- është shprehur Beja. Ministri i Arsimit e cilësoi këtë një problem të trashëguar nga vitet e kaluara për shkak se nuk është investuar në ndërtimin e shkollave të reja. Ai bëri të ditur se rreth 40% e shkollave në të gjithë vendin kanë nevojë që të rikonstruktohen. Ministri hodhi poshtë pretendimin e deputetëve të opozitës se në të gjitha shkollat bëhet mësim me tre turne. Ai bëri të ditur se në mbarë vendin vetëm në 16% të shkollave bëhet mësimi me dy turne, ndërsa në 81% të shkollave mësimi zhvillohet vetëm paradite. Ai gjithashtu e cilësoi arritje të qeverisë rritjen e pagave të mësuesve, ndërsa premtoi se vitin e ardhshëm pagat e tyre do të dyfishohen. Po kështu, deputetët e opozitës ngritën shqetësimin për arsimin e lartë, që nuk i krijon mundësi të gjithëve që ta ndjekin. Por Beja bëri të ditur se nga 43 mijë maturantë, tashmë 33 mijë prej tyre i kanë të gjitha mundësitë për të ndjekur arsimin e lartë.

22 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›