Ceka: Rama të largohet nga PS, të veprojë si Nano
Bledar Hoti
Edi Rama duhet të japë dorëheqjen nga kreu i Partisë Socialiste, duke vepruar në të njëjtën mënyrë si paraardhësi i tij, Fatos Nano, pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2005. “Edi Rama do të vazhdonte në kulturën demokratike të krijuar nga kryetari i mëparshëm, Fatos Nano, pra që nuk quante më tragjedi dorëheqjen dhe për të krijuar edhe atë kulturë që është tipike evropiane”, tha Ceka për TV Klan. Ndërsa debatet në lidhje me faktin se PS-ja ka sulmuar vendimin e LSI-së për të marrë pjesë në qeverisje, Ceka i konsideron si tipike të mentalitetit të politikës së vjetër. “Është një shprehje tipike e politikës së vjetër. T’i ndash kampet me hendeqe të pakalueshme dhe të mos kuptosh se partitë janë në garë për të qeverisur dhe jo për të qëndruar në opozitë dhe për të kuptuar se e majta shqiptare nuk e ka emrin vetëm PS, mendoj se më shumë se xhelozi është megallomani. “Rama harron se Lufta Nacionalçlirimtare ka mbaruar”, theksoi kryealeancisti. Presidenti i Aleancës Demokratike e cilëson si të kushtëzuar qeverisjen e re mes PD-së dhe LSI-së, por vlerëson vendimin e marrë nga lideri i LSI-së. “Z. Meta ka marrë vendimin e duhur në kohën e duhur. LSI ka kohë që lufton për të qenë pjesë e pushtetit. Ka shprehur gjithmonë një dëshirë për të promovuar integrimin dhe mbi të gjitha një kulturë të re demokratike, që nuk e ndan me një hendek të pakalueshëm të majtën nga e djathta. Besoj se shpreh pjesën më progresiste të së majtës dhe veprimi që ka bërë është krejt në logjikën evropiane të koalicioneve”, u shpreh Ceka në lidhje me koalicionin e ri qeverisës. Sipas tij, votimi tregoi se të kemi një qeverisje të ekuilibruar, këtë e kërkoi elektorati shqiptar. Për faktin se si do të funksionojë një koalicion i tillë, presidenti i AD-së theksoi se elektorati diktoi që në të ardhmen të ketë një qeverisje të ekuilibruar dhe që t’i afrohet sa më shpejt Evropës. “Dhe ne kemi qenë opozitarë me Berishën atë kohë. Mendoj se kjo pjesëmarrëse në qeverisje jo vetëm që rrit spektrin, por rrit edhe një kualitet në qeverisje, merr dhe angazhon një pjesë të së majtës progresiste në një program që nuk është vetëm i majtë, por edhe i qendrës, ka aspekte të gjëra sociale dhe aspekte shumë të gjera në integrim. Në këtë drejtim përfshirja e një pjese progresistësh është një zgjidhje shumë e mirë”, theksoi Ceka. Sipas tij, një vëmendje duhet t’i kushtohet reformave në vend si dhe procesit të integrimit të vendit.