E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu-Toptan: Turqia krah i fortë për Kosovën

Gjatë takimit, Sejdiu vlerësoi rolin mbështetës të z.Toptan, Presidentit dhe Kryeministrit të Turqisë për Kosovën dhe e falënderoi atë për investimet në fushën ekonomike, politike dhe të stabilitetit të Turqisë në Kosovë.

“Turqia ka qenë një krah i fortë me mbështetje edhe në kohën e luftës për ekzistencë dhe për pavarësi dhe në kohën e qenies aleate e përbashkët e forcave të NATO-s për lirinë e Kosovës si dhe në kuadër të vendeve të para që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe që kemi vendosur marrëdhënie diplomatike si dhe në bizneset e shumta që qytetarët e Turqisë dhe shteti turk kanë investuar në Kosovë”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Duke theksuar se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe të Turqisë janë të veçanta, Presidenti Sejdiu vlerësoi kontributin e qytetarët të Kosovës që janë në Turqi dhe të qytetarëve turq që janë në Kosovë.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Madh të Turqisë, Köksal Toptan tha të ketë ardhur në Kosovë për të siguruar se lidhjet ndërmjet dy vendeve bazohen në kulturë dhe histori të përbashkët dhe janë të nivelit vëllazëror.

“Turqia do të vazhdojë edhe më tutje të japë kontributin e saj në ruajtjen e stabilitetit dhe integritetit territorial të Kosovës siç ka qenë deri më tani. Në kohët tona kur demokracia është një vlerë moderne stabilitetin e arritur nuk ka të drejt askush që të kthej prapa dhe të realizojë edhe njëherë një dhembje tjetër e cila është përjetuar më parë”, tha z. Toptan.

Ai premtoi se Turqia do të vazhdojë edhe më tutje të mbështesë angazhimet e Kosovës për paqe dhe qetësi të vendit, dhe në këtë kontest ai foli për mbështetjen e Turqisë për Kosovën në rrugën e inkuadrimit në instancat veri-atlantike si dhe në mbështetjen e rritjes së numrit të njohjeve të reja.

Kryetari i Kuvendit të Madh të Turqisë, Köksal Toptan tha se njëra ndër prioritetet e jashtme të vendit të tij është mbështetja e pavarësisë së Kosovës, si dhe mbështetja në  fushën ekonomike, të shëndetësisë dhe të arsimit. Ai bëri të ditur se ushtarët policët dhe ekspertët e sigurisë nga Turqia, të cilët veprojnë në Kosovë do të qëndrojnë këtu aq sa do të dëshirojë Kosova.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›