“Celi 3”, Instituti Italian hap regjistrimet për kandidatët e 2009-s
Jonida Tashi
Instituti Italian i Kulturës hap regjistrimet për t’iu nënshtruar provimit të gjuhës italiane më 6 mars të këtij viti, për kandidatët që nuk e kanë marrë certifikatën “Celi 3” në vitin 2009. Sipas njoftimit zyrtar të këtij Instituti, regjistrimet do të jenë të hapura deri në datën 19 janar 2010. Gjatë kësaj periudhe, kandidatët që nuk kanë mundur të marrin në provimin e datës 6 mars 2009 Certifikatën e njohjes së gjuhës italiane “Celi3- Niveli B2”, të lëshuar nga Universiteti për të Huajt i Peruxhia-s, mund të regjistrohen për t’iu nënshtruar provimit më 6 mars të këtij viti.
Kandidatët
Instituti Italian i Kulturës në Tiranë ka përcaktuar edhe kandidatët për student në Itali që kanë të drejtë të futen në provimin e 6 marsit 2010. Sipas njoftimit zyrtar, kanë të drejtë të regjistrohen për provimin e marsit, të gjithë studentët që: kanë kaluar vetëm një provë të njohjes së gjuhës italiane me shkrim ose me gojë, në provimet e marsit dhe nëntorit 2009; zotërojnë një njohje të nivelit superior të gjuhës italiane pasi kanë tre vite që studiojnë. Instituti Italian i Kulturës rithekson se certifikata e njohjes së gjuhës italiane “Celi 3” ose ndonjë certifikatë tjetër analoge e lëshuar nga universitet italiane janë kushti kryesor për t’u pranuar kërkesa për studime në Itali gjatë vitit akademik 2010-2011. Përveç kësaj, pranimi i studentëve të huaj në universitetet italiane kryhet duke u bazuar edhe në numrin kuotave të pranimit që do të përcaktohen në shtator nga Ministria Italiane e Arsimit dhe e Universiteteve.
Kurset
Kurset parapërgatitore, të organizuara nga Instituti i Kulturës nuk janë të detyrueshme, por ata janë shumë të rekomandueshëm për të kaluar provën e parë për të nisur vitin e ardhshëm akademik studimet në Itali. Pajisja me Certifikatën e Njohjes së Gjuhës italiane – Niveli 3 (që i përket nivelit B2 i Quadro Comune Europeo di Riferimento per le Lingue) përbën një nga kushtet e preferueshme dhe të domosdoshme për t’u bërë i mundur pararegjistrimi në universitetet italiane. Marrja e provimit të gjuhës është prova e parë që duhet të kalojë një maturant për të nisur studimet në Itali. Fillimisht secili prej aplikantëve duhet t’i nënshtrohet testimit paraprak të gjuhës italiane, që bëhet me qëllim që çdo i ri që dëshiron të ndjekë studimet e larta në Itali të dijë nëse e zotëron mjaftueshëm këtë gjuhë. Në të kundërt, të rinjtë mund t’i nënshtrohen kurseve të gjuhës italiane për ta zotëruar më mirë atë. Pas përfundimit të konkursit kalohet në provimin e gjuhës. Në bazë të kalimit të këtij provimi do të mund të procedohet më tej në aplikimin për të filluar studimet në universitetet italiane.
Rregullat për provimin e 6 marsit 2010
Provimi i dytë për certifikatën “Celi 3” do të zhvillohet në datën 6 mars të këtij viti. Provimi do të zgjasë katër orë. Në momentin e hyrjes në provim, duhet të paraqesin:
Për të rriturit: dokumentin e identifikimit ende të vlefshëm (pasaportë të firmosur, kartë identiteti ose patentën e re ). Për minorenet: dokumentin e identifikimit ende të vlefshëm (pasaportë të firmosur, certifikatë me fotografi ); laps të zi (është i ndaluar përdorimi i stilolapsit). Po ashtu, Instituti Italian i Kulturës sqaron se gjatë zhvillimit të provimit është e ndaluar futja në ambientet e provimit të çfarëdolloj materiali (libra, fletore, fjalorë etj, ) si dhe celularë. Për pjesëmarrjen në provimin e gjuhës çdo maturant duhet të paguajë një faturë prej 55 eurosh si taksë regjistrimi te Instituti Italian i Kulturës dhe certifikimi i gjuhës bëhet nga Universiteti për të Huajt i Peruxhia-s në Itali. Ndërsa kostoja për studentin që do të përsërisë vetëm një provë është 40 euro.
Provimi përfshin pesë prova
1. A Prova e leximit
2. B Prova e shkrimit
3. C Prova e linguistikës
4. D Prova e dëgjimit
5. E Prova e të folurit
Tarifa e regjistrimit
Për pjesëmarrjen në provimin e gjuhës çdo kandidatët duhet të paguajë një faturë prej 55 eurosh si taksë regjistrimi pranë Bis Bankës
Ndërsa kostoja për studentin që do të përsërisë vetëm një provë është 40 euro
7 Janar 2010