Ndryshimi i pragut të TVSH-së, 5 mijë biznese të vogla dorëzojnë licencat
Ervin KOÇI
Hyrja në fuqi e ligjit për uljen e pragut vjetor të xhiros së biznesit të vogël nga 8 në 5 milionë lekë në vit, ka bërë që mbi 5 mijë biznese në të gjithëve vendin të mbyllin aktivitetin. Pasojat negative për ekonominë dhe të ardhurat e buxhetit, janë paralajmëruar që në fillim të muajit dhjetor 2009. Shumë subjekte private nisën procedurat për mbylljen ose ndryshimin e licencës që vitin e kaluar, ndërkohë që kishin paralajmëruar edhe autoritetet tatimore për këto veprime. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve flasin për rreth 5 mijë subjekte private të vogla, të cilat kanë deklaruar mbylljen e aktivitetit. Numri mund të jetë më i madh po t’i referohemi situatës kritike që po kalon ekonomia. Administrata tatimore ka ngritur grupe pune të posaçme për të përballuar procesin e kalimit të bizneseve në sistemin e ri tatimor. Ligji i miratuar nga qeveria ka hyrë në fuqi që më 1 janar dhe afati për regjistrim shkon deri më 15 janar 2010. Nga data 1 janar, tatimet kanë nisur regjistrimin e bizneseve me xhiro mbi 5 milionë lekë, duke i futur në procedurën e pagesës së 20 për qind TVSH. Për të pasur një menaxhim sa më pozitiv, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, u ka shpërndarë degëve nëpër rrethe udhëzimin mbi procedurën që duhet ndjekur.
Metodat e bizneseve
Për t’iu shmangur detyrimeve të reja administrative me TVSH-ë, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve të vogla kanë preferuar të mbyllin aktivitetin, duke kërkuar çregjistrim në QKR-ë dhe Tatime. Mbyllja e aktivitetit dhe hapja një biznesi të ri që ndryshon nga i vjetri vetëm nga emri, i çliron subjektet nga detyrimi për të paguar TVSH-në. Edhe pse konsiderohet një taksë që nuk e rëndon direkt biznesin, shkalla tatimore 20 për qind shikohet nga subjektet e vegjël si barrë e rëndë që çon në faliment. Kalimi në TVSH-ë rrit disa detyrime administrative, si bilanci, numri i punonjësve apo ekonomisti, por jo taksat direkte, pasi ato do të vijojnë të jenë të njëjtat. Administrata tatimore parashikon se ligji i ri i TVSH-së prek rreth 13 mijë biznese të vogla, me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë. Këto biznese si dhe të tjerat me xhiro deri në 8 milionë lekë do të vijojnë të jenë subjekte të vogla nën administrimin e njësive vendore. Ulja e pragut bëhet thjesht për zgjerimin e skemës së TVSH-së. Megjithatë një problem i madh vazhdon të mbetet bilanci dhe llogaritja e të ardhurave, pasi subjektet e njësive vendore kanë punuar me sistemin e bashkive dhe tani që kalojnë me TVSH u duhet të futen në të tjera procedura, të panjohura për to. Çregjistrimi i 4 mijë subjekteve mund të konsiderohet një proces normal i stadit të biznesit, por në rastin konkret ekspertë të ndryshëm e shikojnë si mjet për t’iu shmangur ligjit të ri.
Procedurat e reja
Bizneset që tejkalojnë ose parashikohet të tejkalojë 5 milionë lekë për këtë vit kalendarik janë të detyruar të kërkojnë të regjistrohen për TVSH-në që nga 1 janari i vitit 2010, brenda 15 ditëve. Deklarimi i parë për TVSH-në për tatimpaguesit e regjistruar në janar 2010 do të jetë më 1-14 shkurt 2010. Edhe pse ndryshon status, biznesi që kalon me TVSH-ë do të vazhdojë të mbajë të njëjtin numër identifikimi të personit të tatueshëm (NIPT). Kjo kategori tatimpaguesish do të vazhdojë të jetë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale për biznesin e vogël, taksës vendore pranë bashkive apo komunave dhe për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore si dhe TAP-in, detyrimi ndaj të cilit për deklarim do të vazhdojë të jetë çdo tre muaj.
Bien të ardhurat në buxhet, shkak evazioni fiskal
Të dhënat e buxhetit të shtetit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto paraqesin një përkeqësim të dukshëm te të ardhurat. Qeveria pati planifikuar të arkëtonte 26.1 për qind të PBB-së në formën e taksave dhe tatimeve, por në aktin normativ rezulton se këto të ardhura do të jenë vetëm 24.5 për qind. Në një situatë të tillë, çdokush mund të mendojë se vitin e shkuar evazioni fiskal është rritur me mbi 100 milionë euro. Në fakt, ekspertët thonë se është shifra e Prodhimit të Brendshëm Bruto e gabuar. Qeveria ka parapëlqyer të vlerësojë gjithmonë të lartë PBB-në, gjë që nuk është shoqëruar me rritje në të njëjtën masë në të ardhurat e buxhetit. Për vitin 2009, qeveria ka vlerësuar rritjen ekonomike në masën 5.8 për qind. Në fakt, të ardhurat e buxhetit tregojnë se rritja e PBB-së këtë vit nuk ka qenë më shumë se 1-2 për qind.
IOM, ulen me 3 për qind dërgesat e emigrantëve
Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit (IOM) ka publikuar këto ditë statistikat e të ardhurave të emigrantëve për vitin 2009. Sipas këtyre të dhënave emigrantët shqiptarë gjatë vitit 2009 kanë transferuar në Shqipëri më pak para se në vitin 2008. Sipas IOM-it, 39 % e emigrantëve shqiptarë konfirmojnë se dërgojnë para në shtëpitë e tyre të paktën çdo gjashtë muaj, ndërsa 19 % e tyre pohojnë se e bëjnë këtë gjë çdo tre muaj. Sipas statistikave të sapo publikuara të IOM-it, dërgesa e parave nga emigrantët shqiptarë është zvogëluar gjatë vitit 2009 me 3% duke i krahasuar ato me vitin 2008, ku kjo shumw ishte rreth 200 milionë euro. Gjatë viti 2009 të ardhurat e emigrantëve në Shqipëri përbënin 9.6 % të prodhimit të përgjithshëm bruto, ndërsa gjatë vitit 2008 përbënin 12.3 % të tij. Rënia, sipas ekspertëve të IOM, është pasojë e efekteve të krizës ekonomike globale.
7 Janar 2010