E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i Vasilit, tarifat e reja për shërbimet në poliklinika dhe spitale

Nga vizita te mjeku i lagjes e deri te shtrimi në qendrat spitalore
Laureta Rryçi

Ministri i Shëndetësisë ka firmosur një urdhër të posaçëm për tarifat që duhet të zbatojnë gjatë këtij viti të gjitha spitalet e vendit. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë urdhrin e plotë dhe po e boton atë në numrin e sotëm duke sjellë tarifat që do të rëndojnë xhepat e gjithë pacientëve që do të jenë të pasiguruar. Prej disa ditësh, spitalet kanë afishuar tarifat e reja, që pothuajse janë trefish më të larta se ato më parë. Tashmë një pacient që do të kryejë një vizitë të thjeshtë në poliklinikë nuk do të paguajë më 400 lekë, por do të paguajë 1000 lekë. Ndërsa një vizitë te specialisti, pacientit do t’i duhet të paguajë 1500 lekë nga 600 lekë që ka qenë më parë. Po kështu është vepruar me spitalet e nivelit terciar dhe me maternitetet, ku tarifat kanë arritur vlerat maksimale dhe janë bërë të papërballueshme për personat e pasiguruar. Numri i personave të pasiguruar në vend është tepër i lartë, prandaj dhe numri i pacientëve që do të kryejë vizitë me lekë në dorë është shumë i madh. Aplikimi i sistemit të referimit dhe rritja e tarifave ka hasur në kundërshtimin e pacientëve. Ata ankohen se nuk kanë mundësi të përballojnë tarifat e reja për shkak të papunësisë dhe pamundësisë ekonomike që kanë në familjet e tyre. Njëkohësisht edhe vendosja e sistemit të referimit është një lloj pengese dhe tejzgjatje e procedurave, pasi edhe ata që janë të siguruar duhet të presin në radhë për të prerë një faturë për t’u vizituar tek specialisti. Njëkohësisht, kryerja e vizitës tek mjeku i familjes dhe rekomandimi te specialisti për qytetarët do të thotë një procedurë e gjatë dhe pagesë më të madhe për të pasiguruarit. Dalja Publike e Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, i hapi rrugë zbatimit të sistemit të referimit dhe tarifave të reja në spitale. Por, problemi qëndron më tepër tek të papunët dhe familjet me të ardhura të pakta që nuk kanë mundësi përballi të tarifave, si dhe nuk kanë mundësi të paguajnë sigurimet shëndetësore vullnetare. Specialistët e MSH-së, deklaruan se qytetarët duhet të drejtohen pranë organeve të pushtetit vendor nëse janë të varfër, të papunë apo i përkasin një tjetër kategorie në mënyrë që të pajisen me librezë shëndetësore për të marrë shërbimin mjekësor.

7 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›