Kartëmonedhat e vjetra, deri në qershor BSH përgatitet ti nxjerrë nga qarkullimi
Ervin KOÇI
Banka e Shqipërisë ka vendosur të heqë nga qarkullimi dy tipat e vjetra të kartëmonedhës 500-lekëshe, emetim i viteve ’09, ndërkohë që do të vazhdojë të përdoret vetëm prerja dhe emetimi më i fundit. Deri në datën 30 qershor të këtij viti qytetarët mund të përdorin si më parë kartëmonedhën 500-lekëshe, që në pjesën e përparme ka një grua me një luledielli pranë, vlerën të spostuar në të djathtë, kombinuar me një ornamentikë, ndërsa prapa është dhënë një peizazh malor i Shqipërisë. Po kështu, 30 qershori do të jetë afati i fundit edhe për 500-lekëshin që në pjesën e përparme riprodhon portretit e Naim Frashërit, shoqëruar me vlerën në qendër, ndërsa prapa është vendosur një libër, brenda të cilit duket një peizazh malor. BSH-ë jep afat deri në fund të këtij viti për të grumbulluar në banka edhe ato kartëmonedha që kanë mbetur në dispozicion të qytetarëve. Nga fillimi i vitit të ardhshëm, ato do të humbasin çdo lloj vlere ligjore dhe do të përdoret vetëm 500-lekëshi me figurën e Ismail Qemalit, kartëmonedhë me elementë sigurie të cilësisë së lartë, me përbërje pambuku.
Kartëmonedhat e reja
Prerja e kartëmonedhave të ndryshme nga ana e Bankës së Shqipërisë, ka një kosto jo të vogël. Vitet e fundit BSH-ja është kujdesur së tepërmi për cilësinë dhe sigurinë e kartëmonedhave shqiptare, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë dhe elementët e sigurisë së tyre, por edhe duke trajnuar qytetarët se si të ruajnë dhe kujdesen për paranë. Në fillim të vitit të kaluar BSH-ja hodhi në qarkullim kartëmonedhën e re të prerjes 2000 lekëshe, në një kohë që përmirësojë ndjeshëm edhe cilësinë e kartëmonedhës 1000 lekëshe dhe 500 lekëshe. Gjithashtu BSH-ë është kujdesur mjaftë edhe për ruajtjen nga falsifikimi të kartëmonedhave shqiptare, si dhe për mbajtjen në kuota të forta të monedhës vendase kundrejt valutave të huaja.
Kartëmonedhat e vjetra
Dy vitet e fundit BSH-ja nxori nga qarkullimi duke i zëvendësuar gradualisht disa prerje të vjetra kartëmonedhash shqiptare. Kartëmonedhat e prerjes 100 lekë dhe 200 lekë, u tërhoqën nga qarkullimi dhe u zëvendësuan me prerje në monedha hekuri. Sipas zyrtarëve të BSH-së, tërheqja nga qarkullimi i kartëmonedhave të vjetra bëhet në dy faza. Në fazën e parë kryhet heqja e kursit ligjor, çka do të thotë që kartëmonedhat e përcaktuara mund të përdoren si mjet pagese për likuidimin e transaksioneve tregtare dhe shërbimeve deri më datat e lejuara nga BSH-ja. Pas kësaj date ato nuk mund të përdoren më për qëllimet e sipërpërmendura, duke mos u pranuar më si mjet pagese. Bankat e nivelit të dytë janë të udhëzuara që në periudhën 1 janar të 2009 deri më 31 dhjetor të 2010, të pranojnë nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë me këmbim, prerjet e mësipërme, kundrejt vleftës së plotë fillestare (vlerës nominale), me monedha kombëtare të qarkullimit. Ky vendim mbështetet në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”.
INSTAT: Deficiti tregtar në vlerën e 28.2 miliardë lekëve
Shqipëria po del me humbje në tregtinë me fqinjët dhe vendet partnere. Shifrat e fundit të Institutit të Statistikave konstatojnë një thellim të mëtejshëm të deficitit tregtar, tregues që në muajin nëntor 2009 ka arritur vlerën e 28.2 miliardë lekëve. “Në nëntor 2009 u eksportuan 9.6 miliardë lekë mallra me ulje 0.8 % krahasuar me tetor 2009. Gjatë kësaj periudhe importet janë 37.8 miliardë lekë duke shënuar një rritje 0.9 % krahasuar me tetor 2009 dhe ulje 2.9 % krahasuar me nëntor e vitit 2008. Tregtia mbetet e orientuar drejt vendeve europiane. Sipas të dhënave të INSTAT-it, me Bashkimin Europian realizohet 66.4 për qind e shkëmbimeve tregtare. Partnerët kryesorë si për eksportin, ashtu edhe për importin mbeten Italia dhe Greqia.
7 Janar 2010