E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehi: “Zgjedhje të parakohshme në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale, zgjidhja e krizës politike”

Eljona Ballhysa
Themelues i Partisë Demokratike, kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, një ndër politikanët e skenës politikë gjatë këtyre 20 viteve, Dashamir Shehi ka komentuar në një intervistë për “Albania”-n situatën politike në vend. Duke iu referuar krizës politike të shkaktuar nga kontestimi i rezultatit të zgjedhjeve nga ana e opozitës dhe kërkesës për hapjen e kutive të votimit, Shehi mendon se zgjidhja ekziston në rast se ka vullnet politik. Ai sugjeron ose hapjen e kutive të votimit duke e cilësuar normale transparencën e procesit zgjedhor, ose mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale. Sipas Shehit, kjo do t’i kursente vendit para, tension politik dhe do t’i jepte fund krizës në vend. Politikani Shehi në këtë intervistë gjithashtu komenton rolin e Presidentit të Republikës në këtë situatë, sugjeron ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe komenton zhvillimet brenda PD-së.

Zoti Shehi, viti 2010 e gjen vendin në kulmin e një krize politike. Opozita ka njoftuar se do të vazhdojë bojkotin e Kuvendit dhe protestat, ndërsa nga ana tjetër, maxhoranca nuk jep asnjë dritë jeshile për të dalë nga kjo situatë. Sipas jush, si pritet të jetë ky vit për shqiptarët?

Askush nuk ka një zgjidhje të afërt apo një ide të qartë si do të shkojnë gjërat, pasi rrethanat janë të tilla sa është e kotë të bëjmë parashikime. Unë po mundohem të bëj analizën si një person i angazhuar politikisht. Gjykoj se kjo krizë e ka zgjidhjen. Mjaftojnë që personat të kenë vullnetin dhe dëshirën e mirë, nga të dyja kampet. Mendoj se duhet të bëhet transparenca e zgjedhjeve. Duhet të hetohet procesi zgjedhor dhe me këtë bie justifikimi dhe pretendimi i opozitës për të mos qenë në Parlament. Situata më pas do të kthehet në normalitet. Sigurisht, në një normalitet alla shqiptarçe, ku problemet do t’i ketë brenda. Por do të kthehemi në një gjende ku opozita do të jetë pjesë e Parlamentit dhe kjo qeveri që është sot do të vazhdojë brenda rregullave demokratike të mbyllë mandatin e vet për aq kohë sa do të jetë i vlefshëm. Por, për aq kohë sa këtu do të fshihen të gjithë pas gishtit duke thënë që këtu kemi një vendim gjykate dhe nuk mund të hapim kutitë, unë gjykoj se nga ana e maxhorancës ky është një justifikim dhe një pretekst i kotë.

Pra ju mendoni se duhet të hapen kutitë?

Sipas meje duhet të hapen dhe opozita të hyjë në Parlament, pastaj koha do të tregojë se si do të shkojnë zhvillimet e mëtejshme.

Por a nuk përbën kjo një precedent të rrezikshëm, ashtu sikurse thotë kryeministri Berisha, që Kuvendi merr atributet e gjykatave?

Parlamenti i ka të gjitha atributet. Parlamenti ndonjëherë është edhe mbi gjykatat, pasi nëpërmjet ligjeve të Parlamentit funksionojnë gjykatat dhe nëpërmjet Parlamentit emërohen krerët e gjykatave. Të pretendosh që gjykata qenkësh një korpus ekstra, nuk është e drejtë, pasi nga Parlamenti burojnë të gjitha institucionet që mund të jenë të pavarura. Kështu që Parlamenti i ka të gjitha mundësitë, por ne gjithashtu kemi një Gjykatë Kushtetuese që mjafton të marrë një vendim pozitiv për hapjen e kutive dhe evitohet edhe ky impas konstitucional që pretendojnë disa të tjerë. Unë mendoj se mjetet kushtetuese dhe ligjore janë të gjitha, mungon vetëm dëshira politike për t’i hapur.

Në kushtet kur nuk ka një dialog politik dhe kur opozita ka njoftuar sërish protesta, si e shikoni situatën kur të dyja palët mbajnë qëndrime ekstremisht të kundërta ndaj njëri-tjetrit?

Unë mendoj se opozita ka gjithë të drejtën të bëjë protesta, pasi në ditën kur nuk do të bëhen më protesta, atëherë do të kemi një regres në fushën e demokracisë. Mos harrojmë se edhe PD-ja vetë ka protestuar në rrugët e Shqipërisë për gati një dekadë dhe mendoj se ajo mund të ketë qenë aktiviteti më i rëndësishëm politik i saj jashtë jetës parlamentare. Nuk shikoj absolutisht asnjë gjë të keqe. Përtej hapjes së kutive opozita tani proteston për problemet e korrupsionit, krizës ekonomike, problemet energjetike etj. Dhe kjo në vend që të bëhet në Parlament, bëhet në sheshe. Sigurisht që në situatën e sotme nuk ka asnjë shans të bëhet në Parlament. Shpresoj që nëpërmjet një kompromisi dhe dialogu mes maxhorancës dhe opozitës që duhet të jetë permanent në Shqipëri, mendoj se do të zgjidhet kjo situatë. Por, pretendimet që vendi do të ecë përpara pa pasur opozitë dhe qeverisë duhet t’i lëmë dorë të lirë të qeverisë sipas qejfit të vet, ky është një pretendim i vjetër dhe nuk ka më vlerë në demokraci. Të thuash sot në mes të Europës që nuk ka problem se nuk kemi opozitë, vetëm se ke 4-5 deputetë më tepër, unë mendoj se ky është dëmi më i madh që po i bëhet sot demokracisë. Shqipëria me dekada është qeverisur pa opozitë dhe me urdhër nga lart, por nëse do të vazhdojmë të mendojmë në këtë lloj mënyre, i bie që të kthehemi 20 vjet pas.

Si e shikoni ju rolin e Presidentit në këtë situatë?

Të them të drejtën, roli i Presidentit më duket i vakët. Presidenti nuk e ka përmbushur të gjithë hapësirën e vet kushtetuese, se ka ushtruar autoritetin kushtetues që ka kryetari i shtetit për të zgjidhur këtë lloj hendeku të madh. Unë e di shumë mirë që mundësitë kushtetuese të Presidentit janë të kufizuara, pasi u bënë ndryshimet kushtetuese që ia zvogëluan dhe më tej hapësirat. Por unë shpresoj që Presidenti të kthehet në funksionin e vet kushtetues dhe të ndërhyjë për të gjitha çështjet, dhe jo më në një krizë të tillë, e cila është pa dyshim një ndër më të mëdhatë që kemi pasur në dekadën e fundit.

A mendoni se këtë krizë e krijoi Kodi Zgjedhor dhe sistemi i ri elektoral që polarizoi politikën shqiptare?

Unë gjykoj që këtë krizë jo vetëm që e krijoi Kodi Zgjedhor, por edhe shumë probleme të tjera do të mbeten permanente në Shqipëri në rast se nuk ndryshohet Kodi. Ky Kod solli mungesën e një qeverisjeje të qëndrueshme, sepse rezultatet në Shqipëri janë pak a shumë të njëjta 50 me 50, një më pak, një më shumë, por gjithmonë do të kemi një qeverisje të paqëndrueshme, edhe sikur të mos kemi këto kontestime zgjedhore. E dyta, Kodi e copëtoi Shqipërinë në rajone dhe prodhoi dhe forca lokale që nuk kanë ndonjë peshë në politikën shqiptare, por që faktorizohen në dëm të atyre që janë forca kombëtare. E treta, ky Kod nuk siguroi përfaqësimin popullor, shumica e votave shkoi në një krah, shumica shkoi në një krah tjetër, nuk siguroi as atë që duhet të ishte elementi kryesor i një Kodi të ri Zgjedhor, votën e lirë dhe transparencën e votës. Pas 20 vjetësh ne vazhdojmë të kemi kontestimin e zgjedhjeve, vazhdojmë të kemi komisionerë partiakë, pra nuk kemi një KQZ të pavarur politikisht. Nga kjo pikëpamje ky është Kodi që solli krizën. Unë gjykoj se ky Kod duhet të ndryshohet dhe them që zgjedhjet e tjera do të ishin një gabim fatal për politikën shqiptare në rast se bëhen me këtë Kod, pasi brenda Kodit ka një tharm antidemokratik që për një demokraci të re, siç është kjo shqiptarja. Kodi eliminoi pluralizmin në Shqipëri dhe prodhoi bipartitizmin, që do të thotë se për traditën që kemi ne në Shqipëri prodhoi pushtetin e dy personave.

Në rast se nuk hapen kutitë mendoni se vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe si e shikoni ju këtë zhvillim?

Unë gjykoj se zgjedhjet e parakohshme në këtë situatë që jemi sot do të ishte zgjidhja më e mirë. Pas një viti janë zgjedhjet lokale dhe për mendimin tim të bashkohen dhe të zhvillohen në një ditë edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Vendit do t’i kurseheshin shpenzime të panevojshme dhe fushata miliardere, siç janë bërë kohët e fundit. Do t’i kursehej dhe një situatë tensioni e krize që i shoqëron zgjedhjet në Shqipëri. Sepse ne, dhe kur bëjmë zgjedhje lokale, megjithëse populli do të zgjedhë drejtuesit vendorë, fushata përqendrohet vetëm te dy kryetarët e partive dhe ne praktikisht në bëjmë zgjedhje politike dhe jo lokale. Ndaj për këtë radhë mendoj së zgjedhjet parlamentare të bëhen në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale. Në këtë mënyrë do të kishim dhe një verifikim të pretendimeve që janë sot, të kësaj maxhorance, e cila pretendon se ka pas votën e popullit dhe të kësaj opozite që mendon se është vjedhur vota e popullit shqiptar.

Si një nga themeluesit e Partisë Demokratike, si i shikoni zhvillimet brenda saj duke pasur parasysh Kuvendin Kombëtar dhe zgjedhjet për Këshillin Kombëtar?

Unë them se kjo fjala zhvillim nuk është e duhura për situatën brenda PD-së. Aty nuk ka absolutisht asnjë lloj zhvillimi, aty ka konsolidim të pushtetit të një personi të vetëm që është kryetari i partisë, pjesa tjetër është administrim normal i jetës partiake që u bë gati 15 vjet që administrohet në të njëjtën mënyrë. Kongresi nuk prodhoi asnjë ide të re, s’ka prodhuar as personazhe të reja politike, them personazhe për ata që e ngjisin karrierën me këmbët e veta. Unë gjykoj se ai ishte më shumë një takim elektoral me simpatizantët e vet, sesa një kongres pune.

Brenda këtij muaji është thënë se do të bëhen zgjedhjet për Kryesinë dhe Sekretariatin, a mendoni se duhet të ketë ndryshim në kupolën drejtuese të PD-së?

Ndryshime mund të ketë, por do të jenë sipërfaqësore, thjesht një fasadë politike. Pushteti i vërtetë është i përqendruar në dorën e Berishës dhe do të vazhdojë të jetë i tillë. Të tjerat nuk ndryshojnë gjë.

7 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›