Celibashi: Sistemi rajonal proporcional ka nevojë për përmirësime

Sistemi rajonal proporcional, i aplikuar për herë të parë në Shqipëri nxori fitimtar koalicionin qeverisës mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Megjithëse i kritikuar nga shumë aktorë të tjerë politikë, ky sistem në vetvete ka pasur si qëllim fitimin e dy partive të mëdha politike dhe eliminimin e partive të vogla. Rezultatet e aplikimit në Shqipëri, për herë të parë, të sistemit zgjedhor rajonal proporcional janë të qarta. Ky sistem nxori nga përfaqësimi në Parlament 29 parti nga 35 që u futën në garë, dhe la vetëm 6 prej tyre.
Ish kryetari i KQZ-së dhe ekspert për sistemet zgjedhore Ilirian Celibashi ka shprehur nevojën e një qeverisje të fortë, ku sipas tij proporcionale nuk e garantojnë këtë. Por ai thekson se janë pikërisht sistemet maxhoritare ato, që ofrojnë një qeverisje të fortë, të qëndrueshme dhe krijojnë mundësi edhe për një opozitë të fortë ndaj qeverisë. Realiteti shqiptar, konfiguracioni i Parlamentit dhe i qeverisë Berisha- Meta në provë, tregojnë që modeli spanjoll i sistemit rajonal proporcional, që u aplikua në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ka nevojë për adaptime dhe përmirësime. Por, që kjo të ndodhë duhet të ndryshojë Kushtetuta e Shqipërisë. Nëpërmjet një interviste dhënë për DW, Celibashi ka theksuar se dobia dhe vlerësimi i këtyre rezultateve do të varet nga përgjigja e pyetjes thelbësore: A u përkthye drejt vota dhe vullneti i qytetarëve të Shqipërisë? A donin qytetarët e Shqipërisë këtë Parlament dhe këtë qeveri? Sipas tij, nëse i jepet pozitive kësaj pyetjeje, kjo do të thotë që ky sistem zgjedhor ka funksionuar mirë. Ndërkohë që përgjigja konkrete e kësaj pyetjeje kërkon kohën e vet. Shqipëria ka nevojë të këtë një qeveri të fortë, përfaqësuese dhe në përgjithësi, sistemet proporcionale nuk e garantojnë këtë. Janë sistemet maxhoritare ato që ofrojnë një qeverisje të fortë, të qëndrueshme dhe krijojnë mundësi edhe për një opozitë të fortë ndaj qeverisë. Një opozitë e fortë, e qëndrueshme ka mundësi të realizojë reforma të thella, që për vende si Shqipëria në tranzicion e sipër, apo në përfundim të tranzicionit, janë komponent i domosdoshëm i zhvillimeve ekonomike dhe politike, shprehet Celibashi. Në lidhje me reduktimin e përfaqësimit të partive të vogla në Parlament, ish kreu i KQZ-së, nënvizon se gati 30 për qind e interesave të elektoratit në Shqipëri, nuk përfaqësohet nga dy partitë e mëdha, PD- PS. Në këtë drejtim ai shton se Shqipëria ka një veçori për shkak të stadit të zhvillimit të saj politik dhe ekonomik, ku ende nuk kanë ndodhur shtresëzimet e mëdha social- ekonomike, që më pas i grupojnë njerëzit në disa alternativa politike të qëndrueshme. Të cilat përmbushin interesat e këtyre grupeve, si ndodh ne vendet me demokraci të zhvilluar, ku funksionon demokracia dhe ekonomia e tregut, ku grupet sociale janë të konsoliduara dhe nuk kanë nevojë të kenë shumë parti, vijoi ai. Ndër të tjera, Celibashi theksoi se kushtet në të cilat ndodhet aktualiteti shqiptar, e bëjnë disi të parakohshëm për vendin tonë sistemin dy partiak PD PS. Sipas tij, varianti më i mirë do të ishte ekzistenca e disa partive që rreshtohen me të majtën, të djathtën, madje edhe qendrën. Realiteti shqiptar, konfiguracioni i Parlamentit dhe i qeverisë Berisha- Meta në provë, tregojnë që modeli spanjoll i sistemit rajonal proporcional, që u aplikua në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ka nevojë për adaptime dhe përmirësime. Një kërkesë e tillë kohët e fundit pas përfundimit të zgjedhjeve është ngritur kryesisht nga forcat politike të partive të vogla, të cilat u eliminuan tërësisht si pasojë e këtij sistemi. Por, që kjo të ndodhë duhet të ndryshojë Kushtetuta e Shqipërisë. Për fat të keq, dy palët PD PS, që e miratuan atë me konsensus, nuk parashikuan që përmirësimet të ndodhnin pa ndryshuar Kushtetutën, me një shumicë të cilësuar votash në Parlament ose ndryshe me 2/3 e parlamentit, përmes një procesi normal legjislativ.