Minatorët: 60 vjeç dilni ju z. Berisha në pension, jo minatorët e rraskapitur

Vendimi i fundit i Qeverisë për uljen e moshës së pensionit në 5 vite për minatorët është cilësuar si antisocial dhe antinjerëzor nga vetë minatorët. Kryesia e Sindikatës së Minatorëve jo vetëm nuk e ka pranuar, por e ka denoncuar me forcë këtë vendim, i cili sipas tyre kryhet në një ngutje krejtësisht të pajustifikueshme nga një qeveri, së cilës i ka mbaruar mandati dhe është në detyrë vetëm për vendimet e emergjencës dhe çështje që kanë të bëjnë me krijimin e qeverisë së re.
Përse kjo ngutje krejt e papritur e këtij kryeministri kukull, që për thuajse tre vjet me radhë nuk konsumoi një minutë të vetme për të diskutuar me minatorët mbi kërkesat e tyre, por fshihej gjithnjë prapa perdeve gjatë 53 protestave tona, nga të cilat 16 janë zhvilluar pikërisht para dritares së Kryeministrit, shkruhet në një komunikatë për shtyp, të sindikatës së minatorëve. Më tej minatorët detajojnë në komunikatë se mosha me të cilën Kryeministri Berisha i nxjerr në pension, përkon me moshën në të cilin ata vdesin. Vështirë se ka mbetur ende ndonjë shqiptar, i cili nuk e ka marrë vesh akoma, që jetëgjatësia mesatare e minatorit shqiptar është vetëm 60 vjeç. Vetëm kryeministri jonë, të cilit ne ja kemi prezantuar me dhjetëra herë kërkesat tona në lidhje me moshën e pensionit, nivelin financiar të tij, bazën logjike dhe juridike të kërkesave etj, nuk e ditka këtë gjë. Ndryshe, nëse e di dhe megjithatë kërkon të na nxjerrë në pension 60 vjeç, qenka kriminel ai dhe të gjithë ministrat e tij, pasi kërkojnë të na nxjerrin në pension të vdekur, vijohet më tej në komunikatën e sindikatës së minatorëve, e cila mendon se ngutja e Berishës ka me sa duket vetëm një qëllim, ta vërë Lëvizjen Socialiste për Integrim para faktit të kryer përsa i përket kërkesave të minatorëve, në mënyrë që për qeverinë e përbashkët PD-LSI çështja e minatorëve të quhet një çështje e trajtuar, pra e mbyllur dhe që kështu të mos kërkohet nga LSI ridiskutimi dhe miratimi i Statusit të Minatorit, sipas opsioneve të projektligjit, që LSI kishte futur në Kuvend vitin e kaluar dhe që u rrëzua me forcën e papërgjegjshme të kartonit nga mazhoranca e Berishës. Sindikata e minatorëve mendon e ngutja e Berishës provon qartazi se ndryshe nga sa pretendon ai, objektivat programore të PD me LSI, të paktën në fushën Sociale ndryshojnë si nata me ditën. Ne i kërkojmë vendosmërisht Berishës, që të mos tallet më me fatet e minatorëve dhe të mos nëpërkëmbë edhe më shumë të drejtat tona të ligjshme, pasi ne nuk kërkojmë kocka, që nuk i ha as qeni, por vetëm atë që na takon, atë që ligji na e jep, por që Berisha na e mohon, thuhet në komunikatën e sindikatës së minatorëve, e cila e paralajmëron gjithashtu kryeministrin Berisha, se në përputhje me vendosmërinë e minatorëve në të gjitha strukturat e tyre, shumë shpejt pas krijimit të qeverisë së re, do të përballet me ekstremizimin e protestave të minatorëve