Nishani: Heqja e vizave, pas pasaportave biometrike
Ministria e Brendshme përsërit apelin e saj për pajisjen e të gjithë shtetasve shqiptarë me pasaporta biometrike, pasi e konsideron këtë dokument identifikimi si mjetin e vetëm dhe të domosdoshëm për liberalizimin e vizave. Disponimi i një pasaporte biometrike me të gjitha elementet e lartë të sigurisë, është tashmë një kusht themelor për përfitimin dhe liberalizimin e vizave, për të gjithë shtetasit shqiptarë. Në këtë mënyrë, të gjithë ata shtetas shqiptarë, që nuk do të disponojnë një pasaportë biometrike, nuk do të mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave dhe për pasojë nuk do të mund të qarkullojnë pa to në vendet e Bashkimit Europian.
Një fakt të tillë e ka pohuar ministri i Brendshëm, Bujar Nishani i cili nëpërmjet një deklarate mediatike ka theksuar se procesi për pajisjen me pasaporta do të zgjas deri në fund të vitit 2009, nëse do të ecet me të njëjtin ritëm si me atë të pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit. Ndër të tjera, ministri Nishani ka përmendur edhe marrëveshjen e orëve të fundit me të gjithë trupin diplomatik, për njohjen e vizave afatgjata, që një shtetas shqiptar i disponon në pasaportën aktuale. Ndërkaq, pasaporta e re biometrike e prodhuar nga firma franceze Sagem, është një dokument me të gjitha parametrat e lartë të sigurisë. Burime nga kjo firmë, deklarojnë se janë kapacitetet për të prodhuar 20 deri në 30 mijë pasaporta në ditë. Për tu pajisur me një pasaportë të tillë, ministri i Brendshëm shprehet se duhet ndjekur e njëjta procedurë si ajo e pajisjes me kartat e identitetit, ndërsa çmimi real i një pasaporte të re është 6 mijë lekë të reja. Një sqarim më të hollësishëm për pajisjen me pasaportat biometrike, ka dhënë edhe zëdhënësi i policisë së shtetit, Klodian Branko, duke sqaruar se pajisja me pasaportën biometrike bëhet në të njëjtën procedurë dhe në të njëjtën zyrë aplikimi. Nga procesi i liberalizimit të vizave do të përfitojnë vetëm qytetarët që do të jenë të pajisur me pasaportën biometrike. Duke vazhduar të garantojmë kapacitetet e plota për aplikim, i kërkojmë të gjithë qytetarëve ti drejtohen zyrave përkatëse për tu pajisur me këto dokumente të standardeve të larta, ka theksuar Branko. Sipas tij, nëse të gjithë shtetasit shqiptarë do të tregoheshin të vullnetshëm për ta përmbushur këtë standard, brenda një viti shqiptarët do të kenë mundësinë të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Europian. Pajisja me kartën e identitetit është e domosdoshme që çdo qytetar të përfitojë shërbimet dhe realizojë marrëdhëniet me institucionet publike dhe ato private, nënvizoi Branko. Ndërkaq drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti duke i bërë thirrje qytetarëve për t'u pajisur me pasaportat biometrike theksoi se ky dokument mund të merret vetëm nga ata qytetarë që më parë kanë marrë kartat e identitetit. Procedurat për pajisjen me pasaportë biometrike kanë filluar që në janar të këtij viti dhe ky proces po vazhdon.