E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i LDNJ, Karamelo, përshëndet koalicionin PD-LSI

Kryetari i Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Ligoraq Karamelo, përshëndeti vendimin e Konventës Kombëtare të LSI-së, për të realizuar bashkëqeverisjen e vendit me koalicionin fitues të zgjedhjeve të 28 qershorit "Aleanca e Ndryshimit", të kryesuar nga Partia Demokratike. Karamelo theksoi se Partia e tij e respekton dhe e mbështet këtë vendim të LSI-së, që sipas tij ishte një lëvizje e drejtë për qeverisjen e vendit. "Ne mbështesim idenë dhe synimet madhore të kësaj qeverisje për integrimin e vendit në BE, përballimin e krizës globale, ruajtjen dhe stabilitetin e vendit si dhe vazhdimin e reformave në sektorët kyçë në përputhje me dëshirat e çdo shtetasi shqiptar", u shpreh Karamelo. Sipas tij,  LDLNJ, si pjesëtare e koalicionit "Aleanca Socialiste për Integrim", rikonfirmon besimin se realizimi i prioriteteve thelbësore të programit  të kësaj qeverie të integrimit do të ndikojë në rritjen e standardeve në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut, të minoriteteve dhe të grupeve në nevojë, për të realizuar mbi të gjitha  dëshirën e çdo shtetasi shqiptar për të qenë i lirë dhe i barabartë me çdo qytetar të vendeve të Bashkimit Europian. Karamelo shprehu besimin e tij dhe të partisë që ai drejton se bashkëqeverisja ndërmjet Partisë Demokratike dhe LSI, do ti japë Shqipërisë mundësinë e një zhvillimi sa më të shpejt drejt Bashkimit Evropian, si dhe do të realizojë reformat në vend për zhvillimin e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›