E Diel, 1 Nëntor 2026

"Celulari i 4-ët, 10 lekë/minutë"

Hedhja në treg e shërbimit të katërt të telefonisë mobile do të sjellë automatikisht ulje të tarifave me rreth 10 lekë për minutë. Metodologjia e re, si dhe rritja e konkurrencës në treg do t‘u krijojë mundësi të tjera shqiptarëve që të flasin më lirë. Gara është bërë e ashpër, tani që "Deustche Telekom" është tërhequr, duke u lënë stafetën dy kompanive lider në Britani dhe Slloveni. Në këtë pikë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare-AKEP pranon se në garë mund të marrin pjesë kompani edhe nga Italia, Franca apo Arabia. Kreu i AKEP, Ilir Shehu, duke folur për "Shqip" paraqiti disa detaje rreth tenderit që do të zhvillohet në fund të janarit 2009, duke garantuar një rezultat pozitiv. Negociatat e forta mes AKEP dhe Ministrisë së Telekomunikacioneve nxorën fitues Entin Rregullator, i cili kërkoi që kompania të shpallej fituese jo në bazë të çmimit të ofruar për licencën, por për tarifën e shërbimit. Ndërkohë që Ministria e Telekomunikacionit kishte kërkuar çmimin e shitjes, AKEP merr miratimin edhe nga Kryeministria që të përdorte si kriter kyç tarifën e shërbimit të celularit, si e vetmja mundësi për uljen e kostos për konsumatorët. "Përfundimi i tenderit për celularin e katërt do të sjellë patjetër ndikim në treg, ndërsa AKEP parashikon një çmim mesatar prej 10 lekësh për minutë, duke iu referuar edhe metodologjisë së re, të miratuar së fundmi në shtator 2008", tha Shehu.

Tregu

Prej afro 10 muajsh, në tregun vendas, operojnë tri kompani celulari, konkurrenca e të cilave ka sjellë reduktim të tarifave deri me 15 lekë për minutë. AKEP pretendon se reduktimi i kostos për bisedat telefonike erdhi si pasojë e ndryshimeve në ligj, por vetë kompanitë preferojnë t‘ia "dedikojnë" konkurrencës. Tani kur kanë mbetur edhe tri javë nga zhvillimi i tenderit për celularin e katërt në treg, situata për konsumatorët paraqitet më pozitive. Shqipëria numëron rreth 2.5 milionë abonentë, në një kohë që në treg pritet të shtohet dhe një kompani tjetër celulare, duke e çuar numrin në katër. "Aktualisht jemi në fazën përfundimtare të zhvillimit të tenderit. Kemi rënë dakord me Këshillin e Ministrave për zhvillimin sektorial të sektorit, ndërsa me Ministrinë e Telekomunikacionit është konkluduar mbi kriteret e përzgjedhjes së kandidatit", thotë Shehu. Sipas tij, ka pasur mjaft interes nga kompani të ndryshme, lider në tregun e telefonisë, ndërsa dokumentet për të marrë pjesë në tender janë shkarkuar direkt nga faqja zyrtare e internetit. "Ajo që është e sigurt mbetet tarifa e ulët për bisedat celulare që do të ofrojë celulari i katërt. Ne do t‘i vendosim këtë kusht dhe jo çmimin për të blerë thjesht licencën", sqaron kreu i AKEP. Megjithatë, ajo që mbetet e pasqaruar ende qëndron fakti i hezitimit nga ana e MPPTT-së për të dalë në tender me çmim dhe jo me garë për tarifat. Pak kohë më parë, ministri Olldashi shpjegoi për "Shqip" se, procesi do të ishte i vështirë për vetë tregun që ofron Shqipëria. Më shumë sesa një çmim të leverdishëm, për ministrin Olldashi sukses më vete do të ishte si fillim prania e kompanive në tender, ndërsa sa për rezultatin final, si do që të jetë, padyshim që tregu do të gjendej me ndryshime të mëdha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›