Berisha: Qeveria, me numra të njëjtë celulari
Në qershorin e këtij viti, Kryeministri Berisha kërkoi që e gjithë administrata të ketë shërbimin e një kompanie celulari, duke pretenduar më pak shpenzime. Kompania që do të ofrojë e vetme shërbimin celular do të përzgjidhet me anë të tenderit në bazë të tarifave që do të ofrojë. Kërkesa e Kryeministrit Berisha duket se do të bëhet realitet, pasi Ministria e Telekomunikacionit është duke përgatitur procedurat për gjetjen e kompanisë celulare që do të ofrojë tarifën më të lirë. Në fjalën e tij, Berisha theksoi se është e domosdoshme që për administratën që të përdorë operatorë me një çmim të lirë. "Është e domosdoshme hapja e tenderit për përzgjedhjen e operatorit të telefonisë celulare për abonimin e administratës shtetërore. Kompania që do të ofrojë çmimin me të leverdishëm do të ketë abonentë të gjithë punonjësit e administratës që dëshirojnë", pati deklaruar Kryeministri. Po kështu, kreu i qeverisë propozoi që në këtë paketë të administratës të përfshihen edhe ndërmarrje të tjera publike.