E Diel, 1 Nëntor 2026

Celulari i 4-ët, fiton ai që ofron çmimet më të lira

 

Fabiola Çela

Kompania që do të ofrojë tarifat më të ulëta të bisedave telefonike, do të ketë më shumë mundësi për të fituar tenderin për operatorin e katërt celular në vend. Më 20 shkurt do të zhvillohet tenderi për dhënien e licencës së katërt celulare në vend. Në fakt ky tender ishte parashikuar të zhvillohej më 23 janar, por bordi drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka marrë vendimin për shtyrjen e tij për gati një muaj. Kjo shtyrje ka ardhur si rezultat i kërkesave që kishin bërë në Ministrinë e Telekomunikacioneve disa kompani të huaja, që kërkonin më shumë kohë për të plotësuar dokumentacionin për këtë garë. Sipas ekspertëve të kësaj ministrie, vlerësimi i ofertave do të kryhet në bazë të çmimit të ofertës, kohës së mbulimit me shërbim në shkallë gjeografike, tarifës së shportës së shërbimeve si dhe në bazë të aftësive dhe eksperiencës që ka kompania. Vlerësimi në këtë tender do të kryhet në bazë të pikëve. Kriteri që ka më shumë pikë është pikërisht tarifa e shportës së shërbimeve ose e thënë ndryshe tarifat e bisedave telefonike. Pra, kompania që do të ofrojë çmimet më të ulëta do të fitojë plot 45 pikë. Ndërsa për sa i përket çmimit minimal të ofertës, kompania që do të marrë pjesë në tender duhet të ofrojë 5 milionë euro. Ofertuesit, të cilët kanë ofruar në ofertën e tyre një çmim më të vogël se 5 milionë euro, në kriterin “çmimi i ofertës” do të skualifikohen. Sipas kushteve të vendosura nga AKEP, kompania që do të fitojë tenderin ndërkombëtar është e detyruar të fillojë ofrimin e shërbimit për publikun brenda një periudhe prej 6 muajsh nga data e marrjes së autorizimit individual. Me marrjen e autorizimit kompania fituese është e detyruar që të zbatojë planin për shtrirjen dhe konfigurimin e rrjetit që do ndërtohet për mbulimin me shërbim, ofrimin e shërbimeve të deklaruara. Aktualisht në tregun vendas të telefonisë celulare operojnë tre kompani. Me hyrjen e operatorit të katërt në treg konsumatorët do të kenë mundësi që të komunikojnë mes tyre me tarifa më të lira se tani. Në fakt që me hyrjen në treg të operatorit të tretë tregu konsiderohet i maturuar. Madje edhe vende të tilla si Franca dhe Britania e Madhe nuk kanë më shumë se katër operatorë, por tarifat janë shumë më të lira për shkak të kontrollit të tyre nga entet rregullatore. Pikërisht në kuadër të përmirësimit të tregut, qeveria ka miratuar tashmë metodologjinë e rregullimit të tarifave të operatorëve të telefonisë celulare dhe Albtelekom, duke vendosur çmime tavan për kompanitë. Sipas kësaj metodologjie janë reduktuar me 20 për qind shpenzimet e konsumatorëve gjatë vitit 2008 si dhe do të ketë një reduktim prej 20 për qind brenda këtij viti.

Pikët sipas kritereve të vlerësimit

    Çmimi i ofertës            0-20

    Koha e mbulimit me shërbim
    në shkallë gjeografike             0-20

    Tarifat e shportës së shërbimeve    0-45

    Aftësitë dhe eksperienca        0-15

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›