E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, rrëzohet buxheti i bashkisë

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Braktisja e mbledhjes nga të djathtët dhe mohimi nga dy anëtarë të LSI-së dështon votimin e buxhetit në Bashkinë e Korçës. Mbledhja e Këshillit Bashkiak për të vendosur mbi mënyrën e ndarjes së parave për këtë vit në qytetin juglindor ka përfunduar me debat politik. Kryebashkiaku Niko Peleshi ka lëshuar akuza ndaj LSI-së, duke e cilësuar shkaktare për pasojat e mbledhjes së djeshme dhe mos pranuar as diskutimin e rendit të ditës.
Sapo është çelur mbledhja e paralajmëruar prej ditësh ka nisur me një deklaratë të këshilltarëve të djathtë. Ky grupim, i përfaqësuar nga këshilltari Pëllumb Beqiri, ka nënvizuar se rendi i ditës ishte shumë i ngarkuar dhe se miratimi i buxhetit me shpejtësi nuk ishte serioz dhe bindës. Në emër të këshilltarëve të djathtë ai kërkoi që të bëhej analiza e buxhetit të vitit të kaluar, të diskutohej e miratohej struktura e pagave të administratës, niveli i taksave dhe tatimeve dhe prioritetet e investimeve dhe mandej të diskutohej e miratohej buxheti për vitin 2009. Duke përfunduar ai u shpreh: “Ju rekomandojmë të reflektoni sa më parë, mbasi për mosmiratimin e buxhetit përgjegjësia është juaja”. Në prani të 35 këshilltarëve kryetari i Bashkisë Niko Peleshi ka sqaruar se ligji në fuqi parashikon, që analiza e buxhetit të vitit të kaluar të bëhet pas miratimit të buxhetit të 2009-ës, ndërsa tre kërkesat e tjera ishin të renditura në rendin e ditës para miratimit të buxhetit. Këshilltarët e djathtë, pas një konsultimi mes tyre, duke e cilësuar qëndrimin një pozicion teknik dhe aspak politik, deklaruan largimin nga mbledhja, duke shprehur gatishmërinë për të ridiskutuar brenda javës. Kështu në sallë mbetën 18 këshilltarët e koalicionit të majtë, prej të cilëve 3 këshilltarë të LSI-së, 1 i PAD-së dhe 14 të PS-së. Pikërisht në këtë moment kryetari i grupit të këshilltarëve të LSI-së, Riza Ashimi ka deklaruar se buxheti i hartuar nga administrata e Bashkisë dhe i shqyrtuar në komisionin përkatës nuk ishte bindës dhe i argumentuar. “Ne, - u shpreh Ashimi, - jemi këtu në sallë, nuk dolëm jashtë si këshilltarët e djathtë, sepse qëllimi ynë nuk është të bojkotojmë miratimin e buxhetit. Duam që disa tregues të tij të rishikohen, ndaj të mos e miratojmë sot”. Duke afruar mendimin për të rishikuar disa tregues ai afroi konsensusin e tij për të diskutuar e vendosur tre pikat e para të rendit të ditës, që kërkonin vendimmarrje për strukturën e pagave, miratimin e prioriteteve të investimeve dhe të tatim-taksave. Kryetari i Bashkisë Niko Peleshi e ka hedhur poshtë propozimin e Ashimit, duke e quajtur të panevojshëm. Ai është shprehur se kontestimi i kësaj force politike për buxhetin e hartuar ka filluar, që dy javë më parë në komision dhe media, gjë që u shfrytëzua nga të djathtët për të bllokuar votimin e tyre pro buxhetit. Sipas Peleshit, miratimi i paketës fiskale të tatim-taksave kërkon 3/5 e votave të këshilltarëve, çka sanksionon edhe votimin e këshilltarëve opozitarë. Duke mos e pasur këtë kuorum Peleshi nuk tregoi interes për propozimet që i afroi grupi i LSI-së. Njëherësh ai është hedhur në sulm ndaj LSI-së, duke akuzuar 2 këshilltarë të saj, (i treti ishte prononcuar pro qëndrimit të këshilltarëve socialistë), si persona që nuk gjykojnë e veprojnë me kokën e tyre dhe në interes të banorëve të qytetit, por inspirohen dhe u binden urdhrave të drejtuesve të lartë të partisë së tyre. Duke iu kujtuar të pranishmëve traditat e qytetarisë të përfaqësuesve të banorëve të Korçës prej mëse një shekulli, Peleshi ka bërë thirrje që përfaqësuesit e forcave politike të braktisin urdhrat nga lart dhe të mendojnë, gjykojnë dhe votojnë pro interesave të qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›