Shqipëria në prag të epidemisë gripale
Shkon në 10 mijë numri i të prekurve nga virozat gripale. Dyndje në urgjenca e poliklinika. Ky është bilanci javor nga mjekët e familjes dhe ata të spitaleve. Vendi ynë duket se është në prag të një epidemie gripi. “Shifrat tregojnë një rritje të ndjeshme nga java në javë. Ka një rritje me 30 për qind, numri i të prekurve, krahasuar me dy javë përpara. Mund të themi se jemi në prag të një epidemie, që në vendet e tjera të Evropës ka qenë e pranishme që në muajin janar”, pohojnë specialistët e ISHP. Sipas tyre, në vendin tonë qarkullojnë tre viruse gripi, të cilat si në çdo vit kanë mbërritur nga vendet aziatike dhe që vaksina anti grip i përmban. Ndërkaq nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, rezulton se dy muajt e fundit janë 10 fishuar shtrimet e pacientëve në spital e dyfishuar vizitat te mjeku i familjes. “Konsumi i medikamenteve të tërhequra nga farmacia është rritur me 15 për qind. Ndërkaq, është rritur ndjeshëm numri i kërkesave për t’u ekzaminuar dhe diagnostikuar”, vërejnë specialistët. Deri tani, pavarësisht se çdo ditë në urgjenca paraqiten rreth 400 persona, nuk kemi të bëjmë me raste të mirëfillta gripi. Këtë vit epidemia e përvitshme e gripit mund të quhet me plot gojën e vonuar. Po t’i referohesh rasteve në Evropë dhe situatës në të njëjtën periudhë kohore të vitit të kaluar, shqiptarët këtë vit kanë pasur imunitet më të fortë. Virusi që prej disa javësh ka “pushtuar” shtetet fqinje, nuk ka goditur masivisht. Vjet epidemia gripale filloi që në muajin nëntor, duke arritur në janar e shkurt deri në 30 mijë të prekur në javë. Këtë konstatim e kanë bërë edhe specialistët, të cilët pohojnë se kryerja e vaksinës nga një numër më i lartë qytetarësh ka pasur ndikimin e saj. Ajo që këshillohet nga mjekët është marrja e vitaminave dhe një dietë e shëndetshme ushqimore. Simptomat e para të gripit janë këputje, dhembje koke, dhembje kyçesh, temperaturë, djegie të fytit, apo edhe shqetësime gastro-intestinale. Për fëmijët e vegjël, mjekët këshillojnë shmangien sa më shumë të antibiotikëve, në rastet kur janë prekur nga viroza. ”Këto medikamente duhet të merren vetëm me recetën e specialistit”, pohojnë ata. Sipas tyre, duhet që me të vegjlit të tregohet më shumë kujdes pasi nga një grip i thjeshtë mund të kalojnë edhe në ftohje me pasoja të rënda për shëndetin. Sakaq, bluzat e bardha u bëjnë thirrje qytetarëve që të drejtohen te mjeku i familjes me t’u shfaqur shenjat e para të gripit, që fillon me dhimbje koke, temperaturë të lartë, marrje mendsh, në disa raste me diarre dhe të vjella. Por në fakt situata aktuale tregon se mjeku i familjes anashkalohet në të tilla raste dhe të sëmurët i drejtohen menjëherë spitalit. Edhe atëherë kur nuk kanë nevojë për më shumë se disa këshilla, që mund të vihen fare mirë në zbatim edhe në shtëpi, pa konsultimin me mjekët e ambulancës. z.ll