Patos, miratohet pa të djathtët buxheti
PATOS – Në bashkitë e Qarkut të Fierit është diskutuar dje buxheti për këtë vit. Ndërsa në Fier e Lushnjë, asnjë debat nuk ka penguar me shumicë votash miratimin e tij, e kundërta ndodhi në Patos. Me debate të ashpra mes të majtëve dhe të djathtëve është shoqëruar mbledhja e djeshme në Këshillin Bashkiak të Patosit. Debatet u përqendruan te miratimi i strukturës së re të organikës brenda administratës së bashkisë. Pasi nuk kanë gjetur konsensus mes tyre, 4 këshilltarët e djathtë kanë braktisur mbledhjen. Gjatë mbledhjes së djeshme, nga 25 këshilltarë 7 kanë munguar, duke lënë vetëm në sallë vetëm 14 anëtarë të partive të majta, si: PS, LSI e PDI. Megjithë largimin e këshilltarëve të djathtë, me shumicë të thjeshtë votash kaloi buxheti për këtë bashki, me një vlerë prej 184 milionë lekësh si dhe u miratuan 222 vende pune për të gjithë sektorët e administratës. Pas mbledhjes, kryebashkiaku Bardhi Meli, përfaqësues i LSI-së pohoi se bëhet fjalë për të njëjtën organikë si një vit më parë dhe vjet ishin të njëjtët këshilltarë që e votuan. Ndërsa dje, për Bashkinë e Fierit u votua buxheti prej 732 milionë lekësh, shifër më e lartë se vitin e shkuar, ndërsa në Bashkinë e Lushnjës, në herën e dytë, Këshilli Bashkiak miratoi fondin prej 400 milionë lekësh. m.r