E Diel, 1 Nëntor 2026

Celulari i katërt, në garë, dhe një kompani shqiptare

Një subjekt shqiptar ka hyrë në garë për blerjen e licencës për nxjerrjen në treg të celularit të katërt. Edhe pse tenderi është cilësuar ndërkombëtar, subjekti vendas nuk ka nguruar të hyjë në garë, i cila pritet të përfundojë brenda muajit dhjetor. Këtë javë, Autoriteti i Komunikimit Elektronik dhe i Postave (AKEP) kishte planifikuar të publikonte datën e tenderit, duke qenë se procedurat që do të ndiqen për zbatimin e saj janë miratuar që më 10 nëntor nga ministri i Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi. Mësohet se në garë mund të paraqesin ofertat e tyre dy kompani të shërbimit të telefonisë mobile, si dhe një sllovene e një britanike. Hedhja në treg e një operatori të katërt, që do të ofrojë shërbimin e thirrjeve celulare, mund të sjellë reduktim më të madh të tarifave, por nga ana tjetër, tregu prej 3.2 milionë banorësh do ta bëjë ofertën e kompanisë për çmimin e blerjes shumë modeste.

Një tjetër "pengesë" për celularin e katërt shihet edhe ligji i ri "Për komunikimet elektronike", i cili, sipas metodologjisë në përllogaritjen e tarifave, nuk u lë shteg kompanive që të fitojnë në kurriz të abonentëve. Megjithatë, institucioni përgjegjës, Ministria e Telekomunikacioneve, prej katër muajsh ka nisur procedurën e zhvillimit të tenderit, që mundëson futjen në treg të një tjetër kompanie celulare, me synim rritjen e konkurrencës dhe uljen e tarifave.

"Kompania, në momentin e paraqitjes së ofertës teknike, duhet të marrë përsipër një gamë shërbimesh me tarifa të reduktuara. Pra, në tender do të fitojë ajo kompani që ofron tarifa të ulëta, si për tregun, ashtu dhe në raport me subjektet e tjera pjesëmarrëse në procedurën e prokurimit publik", është shprehur pak kohë më parë për "Shqip" ministri Olldashi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›