E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, arrestohet oficeri gjyqësor në Durrës

Eshtë tronditur sërish
Prokuroria e Durrësit, këtë
herë nga mitëmarrja. Pas
vënies në qendër të vëmendjes të
kryeprokurorit të dorëhequr të
rrethit pas nisjes së hetimit të pasurisë
së majme të tij, një oficer i
policisë gjyqësore është arrestuar
në flagrancë ndërsa po përfitonte
10 mijë euro për të lehtësuar
pozicionin e një të proceduari
penalisht nga Prokuroria e
Rrethit Gjyqësor Durrës. Oficeri i
policisë gjyqësore, Thoma Marina,
është kapur në një lokal në
plazhin e Durrësit, ku ishte takuar
me ankuesin për marrëveshjen "e
shtrenjtë". Task-Forca në Drejtorinë
e Përgjithshme të Policisë
së Shtetit, e vënë në dijeni nga
personi që do të bënte pagesën,
ka ndërhyrë menjëherë, duke e
kapur oficerin e policisë gjyqësore
me shumën e parave në
dorë. Menjëherë pas kësaj, Marina,
një prej dhjetë oficerëve të
policisë gjyqësore që ka Prokuroria
e Durrësit, është dërguar drejt
Tiranës, ku ka dhënë dhe
shpjegimet për akuzën e ngritur
mbi të. Burimet zyrtare nga Drejtoria
e Përgjithshme e Policisë së Shtetit
bënë të ditur se, nga Drejtoria
Kundër Krimit Financiar në
Drejtorinë e Përgjithshme, në
bashkëpunim me Task-Forcën
Kundër Krimit Financiar dhe Korrupsionit
pranë Prokurorisë së
Tiranës, dje u finalizua
operacioni i koduar "Qetësia e Prishur".
Në përfundim të tij u arrit arrestimi
i 51-vjeçarit Thoma Marina,
lindur në Lushnjë dhe banues
në Durrës, me arsim të lartë,
me detyrë oficer i policisë gjyqësore
në Prokurorinë e Rrethit
Gjyqësor Durrës. Sipas grupit hetimor,
prangosja e tij u bë pasi u
kap në flagrancë për veprat penale
të korrupsionit pasiv nga
persona që ushtrojë funksione
publike, i parashikuar nga neni
259 të Kodit Penal. Nga hetimet
paraprake të kryera me metoda
speciale të hetimit ka rezultuar se
Thoma Marina ka marrë një
shumë prej 10 mijë eurosh për një
çështje penale që kishte në
hetim. Kjo shumë është marrë
për të favorizuar palën në përfundim
të hetimit të dosjes penale.
Në momentin e arrestimit, këtij
personi i është sekuestruar edhe
shuma prej 10 mijë eurosh. Policia
shpjegoi më tej se kjo çështje
kishte të bënte me pronarin e një
toke, i cili po hetohej për një
ndërtim pa leje. Marina dyshohet
se i kishte premtuar se do t‘i
mbyllte hetimin nëse bënte pagesën
e majme. Në këto kushte,
qytetari ka kontaktuar policinë
dhe ka kërkuar ndihmën e tyre,
duke bashkëpunuar për të futur
në kurth Marinën. Pas këtij operacioni,
Policia e Shtetit falënderoi
qytetarët për bashkëpunimin dhe
ftoi ata që të denoncojnë rastet e
korrupsionit përmes numrit telefonik
129, ose duke kontaktuar me
shërbimet përkatëse pranë çdo
drejtorie të policisë në qarqe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›