Drejtoria e Rrugëve, 62 tenderë për një muaj
Deklarata e Kryeministrit Berisha, tri ditë më parë në Kuvend se qeveria po përgatitet të ndërtojë rreth 250 akse rrugore kishte pasur një pjesë të së vërtetës. Ashtu si institucionet e tjera, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve është lejuar nga qeveria që të kryejë brenda datës 31 dhjetor mbi 62 tenderë për projektim, studim, asfaltim dhe ndërtim rrugësh. Nga këto, rreth 45 objekte kapin vlerën e përafërt që shkon në 15 miliardë lekë. Bie në sy aksi Milot-Fushë-Krujë, i cili zë peshën më të madhe të financimit (rreth 4.5 miliardë lekë), në kuadër të prioritetit për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Zhvillimi i këtyre tenderëve dhe lidhja e kontratave do të rriste padyshim vëllimin e kryerjes së investimeve, të cilat në fund të vitit do të rezultojnë të larta. Duke u nisur nga niveli i ulët i investimeve tek institucionet e tjera, qeveria ka thirrur për "ndihmë" Drejtorinë e Rrugëve, e cila vetëm nga 10 përqindëshi i disbursimit të kontratave me firmat fituese (gjithnjë nëse nuk ka ankesa), do t‘ia arrijë qëllimit të rrisë në mënyrë fiktive investimet. Kostoja më e madhe e një rruge nuk e kalon 500 milionë lekëshin, ndërsa të tilla janë të renditura disa. Ndër veprat që mund të përmenden janë Tepelenë-Vlorë, Kuçovë-Cërrik, Dhërmi-Vuno, Rruga e Porto Romanos, Durrës (rreth 1 miliard lekë), Milot-Fushë Krujë, Theth-Valbonë, Klos-Bulqizë, Tiranë-Durrës, etj. Për ndërtimin e rrugëve, qeveria ka akorduar rreth 50 miliardë lekë, që do të përdoren në 2009-ën.