E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Celulari” zbulon punishten e bombave me telekomandë

07/03/2011  Dy në pranga, prodhonin minat. Dyshohen si “truri” i disa atentateve në Tiranë

TIRANË- Muaj të gjatë hetimesh u finalizuan me zbulimin e punishtes ku montoheshin minat me telekomandë, teksa dy persona u arrestuan si pronarë të këtij aktiviteti kriminal. Policia e Tiranës njofton zyrtarisht se ata janë autorë të ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur në kryeqytet, por nuk jepen detaje rreth tyre. Kështu, mësohet se në kuadër të operacionit policor të koduar “Celulari”, i realizuar përgjatë orëve të vona të dy ditëve më parë nga Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit, u arrit identifikimi, kapja dhe sekuestrimi i një minipunishteje, e cila shërbente për prodhimin e minave me telekomandë nëpërmjet përdorimit të aparatit celularë. Burime të rezervuara policore thanë se për një bombë të tillë C4 çmimi varion nga 1500 deri në 3000 euro. Hetimi është realizuar me aplikimin e gjerë të metodave speciale, ku u arrit kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Artan Hasani, 38 vjeç, lindur e banues në Tiranë dhe Endri Hametaj, 28 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë për “plagosje të rëndë me dashje”.

Hetimet

Gjatë ecurisë së zhvillimit të hetimit ndaj tyre u konkludua se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, si dhe me persona të tjerë (për të cilët për arsye hetimi nuk mund të publikojmë gjeneralitet), dyshohen se janë autorë të disa ngjarjeve të rënda të ndodhura në Tiranë, të cilët përmes përdorimit dhe montimit të mekanizmit të lëndës eksplozive, nëpërmjet aparatit celular, realizonin shpërthimin në distancë me telekomandë. Po ashtu dyshohet se realizohej edhe përdorimi i minave dhe bombave në mënyrë artizanale. Hametaj dhe Hasani dyshohet se janë autorë të disa atentateve të vendosjes së lëndës eksplozive me telekomandë, të ndodhura më parë në Tiranë. Pas një kontrollit të imtësishëm të realizuar në banesën e shtetasit Endri Hametaj, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një minipunishte e ndodhur në afërsi të rrugës së “Elbasanit” në Tiranë, e cila shërbente për prodhimin e minave me telekomandë përmes aparateve celularë. Në lidhje me këtë hetim, masa e arrestit ndaj Hasanit, u mor sepse dyshohet se më datë 03 shkurt 2011 ka tentuar të vrasë me pistoletë bashkëpunëtorin e tij, Hametajn, ngjarje për të cilën po punohet për të sqaruar motivet dhe rrethanat. Po bashkëpunohet me Prokurorinë me synim zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha ngjarjeve me lëndë shpërthyese e eksplozive të ndodhura më parë në Tiranë, apo qytete të tjera të Shqipërisë. Procedimi penal në ngarkim të tyre do të fillojë për konsumim të veprave penale të “vrasjes me dashje”, “trafikimit të armëve dhe municioneve, “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të parashikuara nga nenet 76-22, 278/2 e 3 si dhe 301 të Kodit Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›