E Diel, 1 Nëntor 2026

Cenaj të tregojë ku i ka fshehur paratë e shqiptarëve

PIRAMIDAT

Ish kreu i Këshillit Mbikëqyrës, Farudin Arapi, pohon se dokumentet e firmës “Cenaj” janë zhdukur dhe askush nuk ka dijeni për transfertat e parave

TIRANË- Pas ekstradimit të Lefter Cenajt nga Greqia, njeriu që ka hetuar më shumë për të, ish- kreu i Këshillit Mbikëqyrës së Firmave Piramidale, Farudin Arapi kërkon që prokuroria të merret me paratë në shtetin helen. “Transfertat e afro 9 milionë $ nëpërmjet agjentit grek Apostolos Kavalaros (Vavilis), si dhe kontratat e lidhura me kompaninë greke duhet të jenë objekt i hetimeve të prokurorisë shqiptare”,- pohoi dje Arapi në intervistën e dhënë për “Shekullin”. Sipas tij, kryerja e hetimeve dhe hapja e proceseve gjyqësore jo vetëm që do të rrisë përqindjen e vlerës së rikthimit të parave të kreditorëve por do të hedhë dritë mbi shumë aktivitete të errëta të kësaj kompanie, kryesisht në vitet 95-96.

Z. Arapi dje është bërë ekstradimi i një prej drejtuesve të firmave piramidale, Lefter Cenaj. A mendoni se sjellja e tij në Shqipëri do të ndikojnë edhe në rikthimin e parave të cilat thuhet se ekzistojnë në shtetin fqinj?

Sigurisht që ekstradimi i një prej drejtuesve të skemave piramidale në Shqipëri duhet përshëndetur. Pikësëpari jo vetëm për të vuajtur dënimin për të cilin e janë shprehur gjykatat shqiptare por më së shumti edhe për të hedhur ditë mbi aktivitetin e kësaj kompanie që duhet thënë se ende ka shumë mistere rreth saj. Cenaj ka kryer një vepër penale në shtetin grek dhe është dënuar atje më 8 vjet heqje lirie ndërsa në Shqipëri ai do të kryejë dënimin për mashtrimin që i ka bërë shqiptarëve. Pra do të ballafaqohet me veprimtarinë reale për të cilën janë ndëshkuar të gjithë bosët e ish-skemave piramidale dhe ndoshta tani mund të evidentohet e gjithë veprimtaria e shoqërisë që ai ka drejtuar. Rasti i Cenajt deri më tani ka qenë unikal pasi e gjitha veprimtaria e firmës së tij piramidale është e rrethuar nga enigma. Institucionet shqiptare nuk kanë pasur asnjë akses për të kontrolluar këtë firmë. Madje as ne si Grup i Mbikëqyrjes nuk kemi pasur asnjë akses mbi këtë person për faktin se ai ndodhej përtej kufijve të shtetit Shqiptar. Kështu që ekstradimi dhe ballafaqimi i tij mund dhe duhet të hedhë dritë mbi veprimtarinë e kësaj firme siç janë transferimi i parave si dhe aseteve të saj. Për të hedhur dritë mbi aktivitetin e kryer nga kompania ”Cenaj” unë dua të deklaroj se llogaritë që kemi evidentuar ne, por që ishin transferuar në Greqi ishin të boshatisura. Evazioni fiskal për të cilin ai është dënuar në Greqi është se ai ka transferuar para nga Shqipëria në bankat greke dhe më pas i ka tërhequr prej aty për t’i transferuar sërish, por këtë herë në CASH.

Z. Arapi sa ka qenë vlera financiare e këtyre transfertave që ju keni mundur të evidentoni aso kohe?

Nga dokumentacioni që ne kemi mundur të verifikojmë dhe kjo ka qenë e dokumentuar, ka qenë 8.9 apo 9 milionë dollarë.

Nga eksperienca juaj mendoni se ekzistojnë mundësi që të rikthehet kjo vlerë në Shqipëri dhe sa për qind mund të rritet vlera e rikthimit të parave të kreditorëve?

Shanset e rikthimit do të varen nga procedurat që do të ndjekë shtetit shqiptar. Presidenti i kësaj kompanie rezulton të ketë kryer një sërë kontratash dhe kontratat janë një proces i procedurave civile. Ato kontrata kanë mbetur të parealizuara. Është ende shpejt të gjykohet për shanset e rikthimit të parave të kreditorëve. Kjo sepse në radhë të parë duhet të dihen kontratat reale që presidenti i kësaj firmë ka bërë me ish- firmat greke, vlerat financiare të tyre dhe kushtet me të cilat janë lidhur këto kontrata. Deri më tani asnjë prej nesh nuk hodhi dritë mbi këto kontrata sepse nuk është gjendur dokumentacioni i plotë. Tashmë që Cenaj është përballë autoriteteve shtetërore duhet të bëjë me dije të gjitha transfertat që ka bërë për kontratat që nuk janë realizuar. Mbi këtë bazë, Avokati i Shtetit mund të fillojë proceset gjyqësore civile ndaj përfituesve të këtyre kontratave për të bërë të mundur rikthimin e atyre parave që është e mundur të rikuperohet, sepse duhet të kemi parasysh që ka kaluar dhe një kohë e gjatë. Pra pikësëpari duhet të nisë hetimi pikërisht nga gjetja e këtyre kontratave reale dhe më pas të flitet për rikthim parash. Unë them se jo vetëm organet shtetërore por as edhe ne nuk mund të zbulonim këto kontrata që ka nënshkruar Cenaj me firmat greke në cilësinë e presidentit.

Pra ju thoni se gjithçka është e mundur vetëm në bazë të bashkëpunimit të Cenajt?

Duhet parë bashkëpunimi i organeve të shtetit si dhe atyre civile. Në bashkëpunim më prokurorinë mund të hidhet dritë mbi dokumentacionin që nuk është gjendur për transferuat bankare si dhe të kontratave reale. Mbi këtë bazë të fillojnë procedurat gjyqësore civile me shtetin grek. Ajo që unë di është se kanë ekzistuar 5 apo 6 kontrata që kanë qenë të evidentuara nga ne dhe duhet të ishin zgjidhur për të filluar më pasprocesin e rikthimi të parave. Kur Lefter Cenaj është larguar nga Shqipëria, përveç transferimit të parave është zhdukur edhe pjesa më e madhe e dokumentacioneve të kësaj shoqërie. Ajo që thuhej se dokumentacioni është djegur në zyrat e kompanisë ”Cenaj” unë nuk besoj të jetë e vërtetë dhe nuk është. Kështu që ekstradimi i tij ka rëndësi pikësëpari që japë llogari për organet e hetimit për të zbardhur episodet që kanë qenë pikëpyetje të mëdha të kësaj kompanie. Pra duhet që z. Cenaj të shpjegojë apo të vërë në dispozicion me akses të plotë të organeve shtetërore të asaj pjese të dokumentacioneve që nuk është gjendur kur ai është larguar nga Shqipëria dhe që ndoshta i ka marrë me vete.

Ku u zhdukën paratë e firmave shqiptare

Ish- kreu i Këshillit Mbikëqyrës së Firmave Piramidale, Farudin Arapi ka pohuar dje për “Shekullin” se nga 110 milion $ të firmave, shteti ka mundur që të marrë vetëm 7 milionë. Firma “Cenaj” kishte transferuar një sasi të konsiderueshme në Greqi, shtatë milionë $, “VEFA” në Zvicër dhe në Luksemburg, 17 milionë dollarë, po kështu edhe “Silva”, 12 $, ndërsa kompania “Leka” që në tetor të 96-tës kishte gjendje 7.6 milion $. Por këto para nuk janë gjetur më pasi bankat kanë ruajtur konfidencialitetin e poseduesve të llogarive bankare. “Unë kam bindjen se pavarësisht nga vështirësitë që ka gjurmimi për të marrë informacionin nëpërmjet bankave private për shkak të respektimit të konfidencialitetit, mendoj se elementët e zbulimit se ku kanë përfunduar këto para janë të plota për të hetuar”,- tha Arapi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›