Greqia ekstradon Lefter Cenajn, bosin e piramidave
TIRANË- Rikthehet në Shqipëri me pranga në duar, Lefter Cenaj, ish-bosi i firmës piramidale “Cenaj & CO”. Njeriu i dënuar për vjedhjen e më shumë se 5.7 miliardë lekëve të reja do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykatat shqiptare pasi ka kaluar disa vite burg në Greqi për një tjetër krim. 61-vjeçari Lefter Cenaj nga Vlora është dënuar nga gjykata, më datë 10 shkurt të vitit 2003, me 10 vite burgim pasi u shpall fajtor për veprën penale të mashtrimit me anë të firmave piramidale.
Ekstradimi
Tetë vjet pas njoftimit nga homologët grekë për prangosjen e ish-bosit të firmës piramidale “Cenaj & CO”, drejtësia Shqiptare mundi të kryente ekstradimin e tij. Kështu rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, Cenaj ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, dhe iu dorëzua drejtorisë së përgjithshme të burgjeve. Ai do të vuajë 10 vjet burgim, dënim të cilën e mori në mungesë në vitin 2003. Burime zyrtare nga policia e shtetit thanë se u bë i mundur ekstradimi i ish-bosit të firmës piramidale “Cenaj & CO”, pomarrja e parave, që 61-vjeçarit i janë konfiskuar në bankat Greke. Për kthimin e parave të ish-bosit, pak muaj më parë bëri një kërkesë zyrtare zvministri i Drejtësisë gjatë një vizite në Greqi. Por duket se miliardat e Cenajt do të mbeten në Greqi, ndërsa policia e Shtetit mundi të sillte në qelitë Shqiptare, Lefter Cenaj.
Ish-bosi Cenaj
Lefter Cenaj akuzohet se ka mashtruar me vlerën financiare 5.734.415.506 lekë për 25.537 herë. Vjelja e parave të personave të ndryshëm e ka zanafillën në vitin 1995 kur Lefter Cenaj hapi një kompani të quajtur “Cenaj & CO” me anë të së cilës filloi të mblidhte para në formën e huamarrjes nga publiku. Ky i fundit u mashtrua nga premtimet e Cenajt se do të hapte aktivitete të mëdha që do të kishin fitim të trefishtë. Por dy vjet më vonë pikërisht në vitin 1997, kjo firmë rezultoi piramidë. Ajo u fundos bashkë me paratë e më shumë se 25 mijë personave. Fill pas dështimit të kompanisë “Cenaj & CO”, presidenti i saj Lefter Cenaj zhduket nga Shqipëria. Mësohet se ai gjeti strehim në Greqi, ku tërhoqi dhe paratë e publikut duke i mbyllur në llogaritë bankare në shtetin helen. Pas tri viteve liri në Greqi, 61-vjeçari arrestohet nga policia Greke, ndërsa në vitin 2003 emri i tij i shtohet listës së personave të shumëkërkuar nga policia Shqiptare. Kërkesa për ekstradimin e Cenaj u aprovua nga pala greke, gjë e cila u realizua ditën e djeshme.
Lefter Cenaj akuzohet se ka mashtruar me vlerën financiare 5.734.415.506 lekë
Numri i personave që janë mashtruar nga Lefter Cenaj është 25.537 njerëz
Viti kur Lefter Cenaj ka krijuar kompaninë e quajtur “Cenaj & CO” është 1995
Zyrtarët shqiptarë kanë kërkuar ndër vite që të rimarrin paratë por përgjigjet e palës greke kanë qenë negative
---------------------------------------------Greqia mban 30 milionë $ të Piramidave shqiptare
TIRANË- Pak muaj më parë, shteti shqiptar i kërkoi Greqisë t’i rikthejë paratë që Lefter Cenaj, ish-bosi i firmës piramidale “Cenaj & Co” ka transferuar në llogaritë bankare atje. Kërkesa u bë e njohur gjatë takimit që zv/ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, pati me zyrtarë të lartë në Athinë. Halimi bëri të ditur se krahas ripërsëritjes së kërkesës për ekstradimin e Cenajt, palës greke iu kërkua të identifikohen llogaritë bankare që ai ka transferuar atje dhe të rikthehet, me qëllim që të shlyhen kreditorët shqiptarë. Por kjo kërkesë ka mbetur pa përgjigje pasi konventat ndërkombëtare parashikojnë që paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal t’i mbesin shtetit që i sekuestron. Një kërkesë të tillë ia pati bërë palës greke edhe ish- prokurori i përgjithshëm, Theodhori Sollaku, katër vite më parë. Në një vizitë zyrtare që Sollaku pati në Greqi kërkoi me ngulm që paratë e piramidave, të bllokuara nga shteti grek t'u ktheheshin kreditorëve shqiptarë. Asokohe, Sollaku ka mësuar se në bankat greke janë të ngrira plot 30 milionë dollarë të piramidave shqiptare, për të cilat prokurorët grekë dyshojnë se rrjedhin nga aktivitete kriminale të Alimuçajt dhe Cenajt në vendin tonë. Prokuroria greke kishte proceduar penalisht ish-bosët shqiptarë të piramidave, Vehbi Alimuçaj dhe Lefter Cenaj për pastrim parash, pasi dyshohej se ata kanë transferuar para në Greqi nëpërmjet Apostolis Vavilis, me qëllimin e vetëm pastrimin e tyre. Por gjatë takimit me homologun grek, Sollaku ka këmbëngulur se këto para i përkasin kreditorëve shqiptarë, ndaj edhe duhet t'iu kthehen atyre. Kryeprokurori ka kërkuar ndërhyrjen zyrtare të kreut të shtetit, Alfred Moisiu, dhe ish-kryeministrit Fatos Nano për realizimin e një marrëveshjeje që do të kthente paratë, por deri tani, duket se asgjë nuk është bërë në këtë drejtim.
SKEDA E NJË BOSI PIRAMIDASH
Lefter Cenaj është 61- vjeç dhe ka lindur në qytetin e Vlorës. Ai u bë i njohur si një nga bosët e shumë firmave piramidale të përhapura në vend. Kompania “Cenaj&CO” e ka nisur veprimtarinë e saj në vitin 1995, kur filloi të mbledhë para në formën e huamarrjes nga publiku i gjerë dhe të mashtrojë me premtimin, se do të hapte aktivitete të mëdha që do të kishin fitim të trefishtë. Por në fillimin e vitit 1997, kjo firmë u fundos, ashtu sikurse dhe shumë firma të tjera piramidale. Në këtë mënyrë ai arriti të mashtronte pothuajse 26 mijë njerëz, të cilët i besuan jo vetëm kursimet e jetës së tyre por edhe shitën shtëpitë në kërkim të një jete më të mirë. Shuma që këta njerëz i dhanë Lefter Cenajt ishte më shumë se 54 milionë dollarë amerikanë. Por menjëherë pas shpërthimit të skandalit dhe dështimit të firmave piramidale ai u arratis nga Shqipëria. Lefter Cenaj u shpall në kërkim ndërkombëtar më 6 prill 2000, në bazë të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, pasi Gjykata e Shkallës së Parë kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale të mashtrimit me shuma të mëdha nëpërmjet firmave piramidale.
Vendimet e “Piramidave”
Vehbi Alimuça
Në mars 2001 Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e dënoi me pesë vjet burg, në dhjetor të po të njëjtit vit, Gjykata e Apelit jep 20 vjet burg
Shemsie Kadria
Në janar të vitit 2001, Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi me 17 vjet burg, në qershor 2001 Gjykata e Apelit e lë në fuqi këtë dënim. Kadria është liruar nga burgu më shumë se një vit më parë
Fitim Gerxhalliu
Në janar të vitit 2001 Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 20 vjet burg, në qershor të po atij viti, Gjykata e Apelit e dënoi 11 vjet burg
Gani Kadria
Në janar të vitit 2001 Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 20 vjet burg, Gjykata e Apelit 10 vjet burg
Maksude Kadena
Në shkurt 2001 Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me pesë vjet burg. “Sudja” ishte e para që kreu dënimin dhe më pas mori lirinë
Bashkim Driza
Në muajin korrik të vitit 2002, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 16 vjet burg
Arben Çepelja
Në muajin korrik të vitit 2002, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 12 vjet burg
Ferdinand Kamberi
Në muajin nëntor 2002, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 18 vjet burg
Mustafa Leka
Në vitin 2002 Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 20 vjet burg
Lefter Cenaj
Në shkurt 2003, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 10 vjet burg
Arrestimi në Greqi
Sipas hetimeve, Lefter Cenaj ka arritur të largohet nga Shqipëria në shkurt të vitit 1997, disa ditë para se trazirat të shpërthenin në të gjithë vendin. Pesë vite më vonë, më 28 shkurt 2002, policia greke e arrestoi ish-bosin shqiptar, pasi akuzohej për mashtrim nga autoritetet helene. Në momentin e arrestimit me një bashkëpunëtoren e tij greke, në llogarinë bankare të Lefter Cenajt është gjetur një shumë parash të depozituara në një kohë të shkurtër. Drejtësia greke e ka hetuar dhe dënuar Lefter Cenajn për pastrim parash. Ai ka qëndruar për pesë vite në qelitë greke dhe tashmë do të vuajë dënimin shqiptar.