UNMIK gati marrëveshjen teknike me EULEX
UNMIK-u dhe EULEX do të nënshkruajnë një Marrëveshje Mirëkuptimi gjatë këtij muaji, për të sqaruar aspektet teknike të ristrukturimit të UNMIK-ut dhe marrjes së përgjegjësive nga ana e EULEX-it. Lajmi bëhet i ditur nga Radio Evropa e Lirë.
“Po punojmë për disa detaje, siç e dini EULEX ka njoftuar zbarkimin, përderisa ne po vazhdojmë rikonfigurimin. Sa i përket marrëveshjes së mirëkuptimit presim, që të nënshkruhet brenda këtij muaji”, ka thënë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie.
Siç bën të ditur kjo radio, grupe punuese të OKB-se dhe të BE-së janë duke punuar tash sa kohë në Neë York dhe Bruksel për të arritur formulën se si të zbarkohet EULEX, ndërkohë që edhe pse mision evropian EULEX pritet të jetë nën ombrellën e OKB-së. Analistët polikë janë skeptikë se një formulë e tillë veprimi mund të gjendet shpejt në OKB dhe BE, meqë vetë këto organizma kanë ndasi sa i përket Kosovës.
Ndërkohë, Andy McGuffie nga Zyra Civile Ndërkombëtare është optimist se edhe pse me vonesë, EULEX dhe mekanizmat tjerë do vendosen në Kosovë si e parasheh plani i Ahtisaarit. “Është e qartë se ka ndryshime në praninë ndërkombëtare, ICO po rekruton staf shtesë dhe aktualisht kemi 146 njerëz, edhe ne po ndryshojmë meqë po shtojmë numrin. Dhe s’ka dyshim se edhe organizatat tjera ndërkombëtare do të lëvizin sipas planit, përfshirë këtu edhe EULEX-in”, tha McGuffie.
Ndërkohë, nga mbi 2000 pjesëtarë sa do t’i ketë misioni evropian i sundimit të ligjit, deri tani në Kosovë kanë arritur jo më shumë se 350. Ky numër pritet të rritet në muajin shtator, kur në një masë të madhe do të ketë zvogëlim të personelit të UNMIK-ut.
“Pjesë e rikonfigurimit është edhe zvogëlimi i stafit dhe ndryshimi i lokacionit. Kjo nuk ka të bëjë me transferin e kompetencave, por me ristrukturimin e mënyrës se si punon misioni. Do të ketë zvogëlim të konsiderueshëm në disa fusha”, tha Geekie.
Ndryshe, zyrtarë nga EULEX-i thonë se ky mision nuk mund të veprojë para se të zbarkohet plotësisht stafi prej mbi 2000 oficerësh që do të mbikëqyrin fushën e sundimit të ligjit. Muajt e ardhshëm shihen si muaj kur do ketë lëvizje serioze të operacionalizimit të misionit të BE-së, i cili do të mbikëqyrë policinë, drejtësinë dhe doganat. /REL/