Çfshihej pas gostisë për MO-në?
Dita e 13 gushtit të vitit 2008, që përkon me 7-vjetorin e MO-së, (Marrëveshja e Ohrit) mund të analizohet në disa rrafshe. Por më e rëndësishmja, dhe që përbën praktikisht një skandal, është ajo që u fsheh pas gostisë së organizuar nga zyrtarët.
Pikërisht më 11 gusht të vitit 2008 në qeveri u votua, Ligji për "Branitellat". Sipas versionit maqedonas, bëhet fjalë për “mbrojtësit maqedonas” të Maqedonisë në vitin 2001. Sipas projektligjit, ata do të gëzojnë shërbim mjekësor falas, përparësi në punësime, banesë sociale për familjet e të rënëve dhe invalidët maqedonas, para të thata në dorë, arsim falas për anëtarët e tjerë të familjeve të tyre, pension familjar, kompensim për risocializim, lapidare ku kanë rënë “mbrojtësit” e Maqedonisë dhe ndarje të çmimeve republikane për të rënët dhe invalidët. Këto janë vetëm pika të propozim-ligjit për të drejtat e “mbrojtësve maqedonas”, që të mërkurën me shumicë votash u miratua në Komisioni e Përgjithshëm të Qeverisë.
Po në të njëjtën ditë, Presidenti firmosi ligjin e injorimit dhe të sakatimit të gjuhës shqipe. Sikundër me mungesën e tyre në përvjetorin e MO-së, Presidenti dhe Kryeministri Maqedonas dhanë sinjalin se për ta, përfundimisht, nuk figuron Marrëveshja e Ohrit.
Në atë gosti, binte në sy një element: kryetari i partisë shqiptare në qeverinë e Shkupit, nuk ishte fare në qejf. Sigurisht, mosprania e Gruevskit dhe e Cervenkovskit, votimi i ligjit vetëm për "branitellat”, e të tjera të këtij lloji, ia vështirësojnë propagandën z.Ahmeti. Kësisoj ai ndodhet në një moment delikat. Nuk e di se çfarë përgjigje mund të japë z.Ahmeti lidhur me votimin në qeveri nga ana e partisë së tij, të ligjit për “branitellat” dhe injorimin e Dëshmorëve shqiptarë dhe Invalidëve të Luftës dhe dhjetëra ligje të tjera që nënçmojnë kapacitetet e shqiptarëve.
Do të kishte kuptim që Marrëveshja e Ohrit të festohej nëse do të ishte implementuar tërësisht ashtu siç u vendos më 13 gusht të vitit 2001. Kjo marrëveshja duhej implementuar që në vitit 2004. Tani, nëse dikush kërkon të tallet, është problem tjetër, por e vërteta është se Marrëveshja e Ohrit është shndërruar në instrument për diskriminimin e shqiptarëve.
Nuk ka ligj për simbolet kombëtare shqiptare, nuk ka ligj për përdorimin zyrtar të ligjit të gjuhës shqipe, nuk ka ligj për dëshmorët dhe invalidët e luftës, nuk ka përmasimin të statusit juridik dhe politik të shqiptarëve, nuk njihet shteti i Kosovës, nuk ka çështje etnike shqiptare, nuk ka bashkimin të komunave shqiptare në Kërçovë, etj.
Por çfarë paska? Zvogëlim të buxhetit për MO-në, ligj ekzemplar për "branitellat", rregullore fameke të Parlamentit, ligj që parandalon natalitetin e shqiptarëve dhe stimulon natalitetin maqedonas, ligj që diskriminon përdorimin e gjuhës shqipe, ligje që riciklojnë konceptin e shtetit etno-centrik, ligje që shkërmoqin kauzën kombëtare të shqiptarëve.
Me një fjalë, shqiptarët po mbeten pa përfaqësim politik dhe institucional, megjithatë gosti-haremi i Gruevskit dhe Cervenkovskit nuk mund të ketë gjithnjë instrumente hipnotizimi diskriminues.