E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: “Shqipëria hyn në stad tjetër, detyrimet edhe më të mëdha”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Parlamenti grek miratoi ditën e mërkurë me shumicë të konsiderueshme votash Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, duke përmbyllur kështu procesin e ratifikimit nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Kjo i hap rrugën hyrjes në fuqi të MSA-së dhe vendimit të qeverisë shqiptare për të aplikuar për statusin e vendit kandidat. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, shpreh falënderimet e saj jo vetëm për Parlamentin grek, por për të 25 vendet anëtare, të cilat, duke vlerësuar pozitivisht përmbushjen nga qeveria shqiptare të detyrimeve që dikton procesi i integrimit, i dhanë vendit tonë mundësinë për të bërë një hap përpara në rrugën drejt Evropës. Edhe Ministria e Jashtme përshëndeti ratifikimin e MSA-së nga Greqia. Kjo Ministri theksoi se kjo është “një dëshmi e qartë e mbështetjes që Greqia fqinje, ashtu si dhe vendet e tjera komunitare mike, i japin kursit të reformave të ndërmarra në vend, si dhe një inkurajim i fuqishëm për thellimin e tyre në të ardhmen”. Në një dalje publike, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka pranuar se tashmë Shqipëria do të ketë monitorim më të shpeshtë nga BE-ja si dhe detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje do të jenë më të shumta. Po ashtu, ajo bëri publike se së shpejti Ministria e Integrimit do të bëjë publike edhe përfitimet që do të kenë shqiptarët nga Marrëveshja e Asocim-Stabilizimit, kjo do të bëhet, sipas saj, nëpërmjet një spoti publicitar në mediat shqiptare. Bregu, ndër të tjera, tha: “Sigurisht që nuk do të ishte e mundur përmbyllja e kësaj faze dhe hyrja në fuqi e MSA-së nëse qeveria shqiptare nuk do të kishte sjellë rezultate bindëse të realizimit të reformave kyçe para faktorit ndërkombëtar. “Track records”- i (ecuria e reformave) ynë është më i miri në rajon për reformat dhe për anën ligjore krahasuar edhe me vende të cilat kanë aplikuar tashmë për statusin e vendit kandidat. Gjithsesi, duhet të përgatitemi për hapat e mëtejshëm, pasi detyrimet sa vijnë e shtohen”, - tha ministrja, duke informuar rreth situatës së re që pritet të krijohet dhe që do të sjellë nevojën për ndryshime legjislative, pasi qeveria shqiptare duhet të përgatitet të marrë pjesë në vendimmarrje në Këshillin e Stabilizim-Asocimit, Komitetin e Stabilizim-Asocimit, Komitetin Parlamentar për Stabilizim-Asocimin. Të trija këto struktura ndërkombëtare do të ndihmojnë për implementimin e detyrimeve që do të rrjedhin nga fazat e mëtejshme të procesit. Ndërkaq, Këshilli i Ministrave ka miratuar para pak ditësh krijimin e njësive të integrimit evropian, si struktura të veçanta në nivel drejtorie, në përbërje të të gjitha ministrive, njësi këto që do të merren me bashkërendimin dhe monitorimin e programimit të ndihmës komunitare si dhe mbështetjen teknike të mbledhjeve të grupeve të përhershme të punës. Bregu iu përgjigj interesimit të medias se çfarë do të ndodhë pas ratifikimit të MSA-së nga vendet e BE-së, duke thënë se “pas 2 vjet e gjysmë nga nënshkrimi më 12 qershor të 2006-ës, BE-ja përmbyll procesin e ratifikimit të MSA-së me Shqipërinë (Greqia është vendi i fundit që ratifikon MSA-në), afat kohor ky normal i krahasuar me vendet kandidate. Pas dorëzimit të instrumentit të ratifikimit nga të gjitha vendet që e kanë ratifikuar, (Gjermania, Franca dhe Greqia ende nuk kanë dorëzuar instrumentin e ratifikimit) bie marrëveshja Interim dhe brenda një periudhe shumë të shkurtër hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit si marrëdhënie kontraktuale mes Shqipërisë dhe BE-së”, - përfundoi ministrja e Integrimit.
Ky lajm është publikuar: 16/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›