E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cenohet siguria e barnave, rrezikohet shëndeti i popullatës

 

Urdhri i Farmacistëve ka paraqitur pranë Avokatit të Popullit ankesat për shkeljen dhe parregullsi në tregun farmaceutik

Akuza

 

 

Cilësia, siguria dhe efikasiteti i barnave po cenohet duke vënë në rrezik jetën e pacientëve. Madje në farmaci shërben personel që nuk ka arsimimin përkatës duke rrezikuar shëndetin e popullatës. Këto janë disa nga ankesat e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, sipas të cilit, Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë asnjë reagim. Kështu, Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari para pak javësh ka paraqitur pranë Avokatit të Popullit, ankesat në lidhje me shkeljet që po bëhen në tregun farmaceutik. Lidhur me këtë situatë, Avokati i Popullit i ka kërkuar dikasterit të Shëndetësisë të japë shpjegime për pretendimet e Urdhrit të Farmacistëve.

Ankesat

Urdhri i Farmacisteve të Shqipërisë i bën të ditur Avokatit të Popullit se i ka dërguar Ministrisë së Shëndetësisë disa shkresa për ndihmës farmacistë të cilët punojnë me diploma të falsifikuara, apo emërime të padrejta dhe pa arsimin përkatës, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ndërkohë ankesat vijojnë edhe për ndryshimin e Ligji Nr.9323, datë 25.11.2004 "Për barnat dhe shërbimin farmaceutik" në dëm të këtij shërbimi dhe konkretisht. Kështu, ndryshimi këtij ligji konsiston në faktin se kërkohet të hiqen kriteret gjeografike dhe demografike për hapjen e farmacive ndërkohë që sipas Urdhrit të Farmacistëve, në të gjitha vendet e Bashkimit Europian zbatohen këto dy kritere të rëndësishme. "Kërkohet të hiqet përvoja e punës pas mbarimit të universitetit, ndërkohë që në të gjitha vendet e BE, nuk mund të ushtrojë profesionin e pavarur dhe të licencohet si drejtues teknik asnjë farmacist që nuk ka kryer stazhin",- bëhet e ditur në ankesën e Urdhrit të Farmacistëve. Gjithashtu, licencimi i aktivitetit të farmacive nga autoritetet lokale, sipas ankuesit, përbën një tjetër tendencë të shkatërrimit të hallkave të shërbimit farmaceutik dhe humbje të kontrollit të tij të sanksionuara në disa nene të ligjit ekzistues. Ndërkohë edhe heqja e autorizimit për importimin e barnave të regjistruara përbën sipas ankuesit, skandalin më të madh për konsumatorin, duke cenuar sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin e barit.

Kërkesat

Sipas pretendimit të ankuesit, nëse të gjitha konstatimet e mësipërme, por edhe ndryshimet e pritshme të ligjit ekzistues që do të realizohen, jeta e pacienteve dhe konsumatorëve vihet në rrezik, pasi të gjitha këto sjellin mos garantimin e cilësisë dhe sigurisë, efikasitetit të barnave. Kështu, për të gjitha këto ankesa, Arjan Jaupllari ka kërkuar ndërhyrjen institucionale të Avokatit të Popullit, me qëllim që të ndërmjetësohet për të rregulluar këtë situatë që është krijuar, sipas ankuesit nga mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional midis Urdhrit të Farmacisteve dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Mbështetur në ligj, Avokati i Popullit bën me dije se ka të drejtë të kërkojë shpjegime nga çdo organ i administratës qendrore dhe vendore, si dhe të marrë çdo dosje apo material që ka lidhje me hetimin. "Na dërgoni shpjegimet tuaja për sa pretendon ankuesi në objektin e kësaj ankese. Cilat janë shkaqet e moskthimit të përgjigjeve me shkrim, për sa Urdhri i Farmacistëve ka kërkuar në vijimësi, për konstatimet e vërejtura gjatë ushtrimit të aktivitetit të këtij shërbimi",- i drejtohet Avokati i Popullit para pak javësh dikasterit të Shëndetësisë, duke kërkuar gjithashtu se si e argumentojnë nevojat e ndryshimeve të ligjit ekzistues, ndërkohë që sipas Urdhrit të Farmacistëve, këto ndryshime nuk plotësojnë standardet që kërkon koha dhe standardet e BE-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›