E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Provimin e Kualifikimit e dhanë 2287 mësues

 

Sipas ministrit të MASH, Pollo, provimi i kualifikimit ndikon në rritjen e rrogës dhe gradave të mësuesve

 

Reforma për kualifikimin e mësuesve ka vendosur në konkurs 2287 mësues, të cilët kanë dhënë provimin më datë 29 mars. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Arsimit, Genc Pollo i cili thekson se provimi për kualifikimin do të ndikojë jo vetëm në rritjen e pagave të mësuesve, por edhe për rritjen e gradave të tyre. "Dje u zhvillua me sukses, në të gjitha Drejtoritë Arsimore Rajonale, testimi i 7% të totalit të mësuesve për marrjen e shkallëve të Kualifikimit, që çon në një pagë më të lartë",- pohon Pollo, duke shtuar se kjo reformë po instalon një përvojë profesionale të aplikuar në vendet perëndimore, e cila e nxit mësuesin për të përmirësuar aftësitë profesionale, por nga ana tjetër e motivon dhe financiarisht atë. Ndërkohë ai bëri të ditur se pas një jave, mësuesit do të kenë rezultatet e tyre të testimit. Mësuesit që rezultojnë të suksesshëm, do të kenë ngritje në kategori profesionale dhe rritje page. "Mendoj se shpenzimi buxhetor për rritjen e pagës bazohet tërësisht në meritën profesionale të mësuesve dhe është tregues i përdorimit me frytshmëri të parave të taksapaguesve për arsimin e arsimtarët, si prioritet i yni",- tha Pollo. Sipas tij, kualifikimi i mësuesve në vitet e ardhshme do të ketë dhe zhvillime të tjera profesionale, që bazohen në strategjinë e zhvillimit profesional të mësuesve, të tilla si: trajnimi i bazuar në standardet e mësuesit në punë, si dhe vlerësimi me anë të sistemit të krediteve. "Një strategji e tillë kualifikimi do të pasojë që këtë vit për drejtuesit e shkollave, për të mundësuar një administrim sa më profesional",- shpjegon Pollo. Ndërkohë bëhet e ditur se procesi i testimit me shkrim për efekt kualifikimi, i cili filloi në orën 10 në të gjitha qarqet dhe përfundoi në orën 12, është zhvilluar normalisht në të gjitha Drejtoritë Arsimore Rajonale të vendit. Nga 2.387 kandidatë gjithsej të regjistruar për provimin me shkrim, iu nënshtruan procesit të testimit 2.287 mësues, ose 7% e numri të përgjithshëm të mësuesve të sistemit parauniversitar.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›