E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci, si sfidë e dinjitetit ushtarak"

 

 

Ajo çka ndodhi në Gërdec për ushtarakët qe një dhimbje e dyfishtë. Së pari, ishte ajo që ndjeu çdo gazetar i ndershëm shqiptar dhe, së dyti, ndjenja e bashkëfajësisë me politikën vrastare në këtë tragjedi të pashembullt. Strukturat drejtuese të Ushtrisë kanë pjesën e vet të përgjegjësisë. Ai është ndoshta shembulli më i keq i nënshtrimit të verbër të institucioneve të pavarura të shtetit ndaj strukturave të Ekzekutivit (Qeverisë) dhe me aq shumë pasoja tragjike për qindra e mijëra familje dhe vendin në tërësi.

Janë thënë e vazhdojnë të thuhen shumë gjëra për rolin e ushtrisë në këto tragjedi, që nga ajo që nuk ka marrë pjesë apo nuk është pyetur fare, e deri në atë që ajo vetë indirekt e ka përgatitur atë. Rrjedha e ngjarjeve po nxjerr në shesh se, edhe pa gjë ajo nuk është. Jo vetëm fakti që ndodhi një tragjedi e karakterit ushtarak, por edhe dijenia që Shtabi i Përgjithshëm kishte për atë, urdhrat për të vënë në dispozicion të Gërdecit mjete logjistike e personel ushtarak pa menduar thellë pasojat e saj e bëjnë atë pjesë të kësaj fajësie, kur misioni i saj është që të parandalojë e ruajë këtë vend nga çdo lloj tragjedie të tillë.

Sido e ngado që ta vërtitësh çështjen "Gërdeci" është një aspekt apo projekt i veprimtarisë së ushtrisë dhe, së pari, Shtabi i Përgjithshëm (ShP) i saj nuk mund t'i shmanget përgjegjësisë morale qoftë edhe minimalisht.

Si ish-ushtarak dua të them se ushtria jonë pavarësisht rrethanave kurdoherë ka manifestuar vlera të larta profesionale, por mbi të gjitha morale, për të cilat edhe sot ka aq shumë nevojë ushtria. Dikur edhe një veprim i gabuar i kuadrove ushtarakë ndaj një qytetari apo ushtari bëhej problem deri në nivelet më të larta të përgjegjësisë, kurse sot një tragjedi si "Gërdeci" me përmasa e pasoja kaq të mëdha, mundohen ta kalojnë me kaq lehtësi në politikën qeveritare të ditës po se po, por edhe në SHP të Ushtrisë. Çdo lloj përcaktimi që mund t'i bësh këtij qëndrimi, është i pamjaftueshëm.

I shpreh këto mendime me shumë keqardhje e dhimbje, sepse edhe pse në lirim, pas gati 27 vjetësh në radhët e saj më duket se më përkasin edhe mua vetë. I kemi kushtuar tërë jetën ushtrisë që në fëmijëri e jemi edukuar me një karakter e dinjitet të fortë. E na vjen keq kur ndodh ndryshe. Si kudo, edhe në Shqipëri, ushtria ka nxjerrë jo vetëm kuadro të denjë në drejtimin e vet, por edhe burra shteti, presidentë, ku veç të tjerash ka spikatur dinjitet dhe ndershmëri për këtë gjë. Shembulli i Z.Alfred Moisiu është ilustrimi më i mirë i këtij mendimi, por Gërdeci - qe një sfidë e dinjitet ushtarak i munguar i atyre që drejtojnë sot.

 

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›