E Shtunë, 31 Tetor 2026

Censura pas Apollo 11

Ata që kanë lindur më 20 korrik 1969, domethënë atë ditë që astronauti amerikan dhe i pari njeri i Tokës, Neil Armstrong vuri këmbë në Hënë, janë në mesmoshë - plot 40 vjeç. Të tjerët, me vite jetë sa gjysma e vërsnikëve me ngjarjen historike, janë 20 - vjeçarë. Këta, tek nxënë dijet shkencore dhe teknologjitë e sotme përtej përrallës, jo pa habi pyesin: Edhe para 40 vjetëve paska pasur teknologji sa të përballonte dërgimin e njeriut në Hënë e kthimin e tij në Tokë?!

Ne i pamë ata heronj legjendarë, edhe dyzet vjet më vonë, të flasin ekraneve. Por, nga  shqiptarët, ajo ngjarje shtangëse, mbahet mend ndryshe. 40 vjet më parë, aq të rrallë ishin aparatet televizive ndër ne sa, ta zëmë, për të ndjekur një ndeshje futbolli, shtëpitë e atyre fatlumëve që zotëronin këtë pasuri luksi bardhezi, ktheheshin në sallë kinemaje. Zbritjen e njeriut në Hënë, fare pak njerëz e kanë ndjekur nga ekrani, ndërsa gazetat botuan lajme të thatë sa një kuti shkrepseje. Ata që fshehurazi dëgjonin radiot e huaja, morën informacion më të bollshëm, rrëfenin hollësira të çuditshme rreth fluturimit, që nuk i gjeje dot në gazetat, revistat dhe televizionin e varfër shqiptar, si orë transmetimi dhe përmbajtje programore.

Gjatë misionit dramatik katër ditor, nisjes për në Hënë më 20 dhe kthimit në Tokë më 24, gara në fushën e fluturimeve kozmike, midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, në Shqipëri shihej si ndeshje midis dy ideologjive në bjerrje e sipër: Kapitalizmit dhe Revizionizmit. Nostalgjikët shqiptarë, të Bashkimit Sovjetik, që lakmonin të pëshpërisnin fshehurazi këngën “Podmoskovnije veçera” (Mbrëmje në rrethet e Moskës), u bënë përhapës të një lajmi gojor paralel, se, sovjetikët kishin çuar në Hënë një sondë me krah robotik, i cilit grreu tokë hënore dhe, në të njëjtën kohë që amerikanët sollën tokë hënore me njeri, sovjetikët e mbartën me teknologji. Ashtu, në Shqipëri, brenda rrethesh njerëzish të ditur e me më shumë informacion, proamerikanët e drojtur dhe prosovjetikët kurajozë, mburrnin sukseset shkencore nga këndvështrime të kundërta. Nostalgjikët e sovjetikëve, aventurën e amerikanëve e quanin diçka shkencore të madhe, por aspak njerëzore, siç edhe cilësohej sistemi i tyre: po sikur dy kozmonautët, Neil Armstrong, dhe Edwar Aldrin që zbriti nga moduli “Eagle” (Shqiponja), 18 minuta pas tij, të kishin mbetur përgjithmonë në Hënë, ndërsa Michael Collins, që i priste në anije duke i ardhur Hënës përqark, të përplasej edhe ai diku mbi tokën hënore?! Kurse sondën sovjetike me krah robotik, e veçonin si sukses teknologjik, mbi të gjitha për humanizmin që mishërohej nga komunizmi, edhe pse i tradhëtuar. Ja, thoshin ata, razultati është i njëjtë, amerikanët sollën tokë hënore, edhe rusët sollën po të njëjtin dhe. Proamerikanët dallonin sfidën e NASA, sepse thoshin që, duke e çuar njeriun në Hënë, teknologjia synon të jetë më e përsosur, nga që nuk është parësore hedhja e raketës në hapësirë, por kthimin e njeriut shëndosh e mire në Tokë.

Kjo ngjarje habitëse veçse amerikane, i pati kthyer njërëzit më fytyrë përpjetë, përkundruall prushit qiellor dhe satelitit të zbehtë, netëve të errëta verore. Ata donin të dinin më tepër se sa një lajm rreth uljes së njeriut të parë në Hënë, që Armstrong e quajti “Një hap i vogël për njeriun, një kapërcim i madh për njerëzimin”. Kjo kërshëri e papengueshme dhe shtjellimet amatore kush ishte më përpara në shkencë, pati mbërritur te Enver Hoxha, e cila siç u pa, e shqetësoi. Atëherë botoheshin revista “Shkenca dhe Jeta”, “Zëri i Rinisë” e cila në çdo dy javë publikonte një faqe me shkrime dhe lajme për shkencën, si dhe revista “Pionieri” që jepte njoftime të thjeshtëzuara. Por, edhe kaq pak, dukeshin shumë, sepse druhej që, me to bëhej kundërpropagandë në dëm të politikës revolicionare të Partisë së Punës të Shqipërisë me masat. Nuk vonoi shumë e, kryeredaktori i gazetës “Zëri i Rinisë” dhe ai i “Shkenca dhe Jeta” thirrën në mbledhje të mbyllura gazetarët e tyre. Ata, shkurt dhe qartë, thanë se, drejtoria e shtypit në Komitetin Qendror, me porosi të Enver Hoxhës, kishte urdhëruar prerë, të mos botohej më asnjë lajm mbi sukseset shkencore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Sovjetik, sepse, ashtu, Shqipëria mburr imperializmin amerikan dhe revizionizmin sovjetik në popull. Shtypi duhet të propagandonte vetëm “revolucionin tekniko - shkencor në Shqipëri, të udhëhequr nga direktivat e Partisë dhe mësimet e shokut Enver, si dhe të shkruhej për shpirtin krijues të novatorëve e racionalizatorëve tanë, për ndërtimin socialist të vendit”. Dhe, ai urdhër u zbatua: kurrë më nuk u botua asnjë rresht i vetëm për fluturimet kozmike amerikane e sovjetike, ndërsa iu dha hapësirë e pamatë publikimi shpërthimit të bombës së parë atomike kineze. Nga mbyllja e plotë e vendit dhe ngulfatja e plotë e informacionit, lexuesit nuk dinin më nëse amerikanët patën dërguar Apollo të tjera me njerëz për në Hënë, pas Apollo 11? A shkoi tjetërkush, pas Neil Armstrong, Edward Aldrin dhe Michael Collins? A u kthyen të gjallë apo mbetën atje? Për shqiptarët, censura mbi shkencën më të përparuar të botës, e bëri Amerikën si anën e padukshme të Hënës - errësirë e përhershme dhe e parrokshme. Kush të mos e besojë këtë, le të futet nëpër bibliotekat tona, të shfletojë me durim shtypin e gati tridhjetë viteve, dhe s’ka për të ndeshur asnjë rresht të vetëm! Sipas asaj politike botimi, në Amerikë nuk ndodhte asgjë e mirë, veçse shfrytëzim i pashpirt i proletariatit, dëgjenerim i rinisë në sistemin e kalbur kapitalist, ndërmerreshin luftëra dhe Shqipëria duhet të mprehte vigjilencën e gatishmërinë ushtarake për t’i bërë ballë sulmit të mundshëm të imperializmit amerikan dhe Bashkimit Sovjetik revisionist, e të fitonte ndaj të dyve!

Pas Apollo 11, censura qe një çmenduri e madhe, dhe zgjati sa një brez njerëzor.  Hapësirës udhëtonin stelitë si yje, mbi Shqipëri kishte pllakosur terri i thellë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›