Ka perënduar koha kur kërcente prifti nga belaja

“Ai që mjekon krahët e një skifteri, ka përgjegjësí për kthetrat e tij” - V.Hygó -
Të mbajnë Ramën misionar, ka të majtë që s’u bëhet vonë ta lënë të katandisur Shqipërínë. Se, ç’lind nga macja, gjuan për minj. Ithtarët e konfliktit nuk e pranojnë humbjen. Nuk njohin sovran ata që e quajnë “çiflikun” e tyre Shqipërínë.
E frymëzuar nga filozofia e urrejtjes, e majta ka praktikuar konfliktin. Ka krijuar kundërshtí me këdo e për çdo gjë. Veçse, nuk ka më frikacak se krimineli. Prandaj komunizmi dënonte me supozim. Si t’i sherbente atij lufta e klasave pa krijuar armiq imagjinarë? Lufta e klasave duhej forcuar, edhe kur askush s’i kundërvihej. Si “forcë lëvizëse”, ajo u bë themeli i regresit. Të gjithë u detyruan të miratonin gjëmat e saj. Kur të dënonte partia, sikur të kish ndëshkuar Qielli. Banda e xhelatëve e bëri popullin t’i kundërvihej edhe vetes. Si antinjerëzor, komunizmi i edukoi njerëzit të përlaseshin me njëri-tjetrin. Meqë s’i kënaqte me mirëqënie, i bënte të “lumtur” duke u treguar se kish më keq. Çërçilli tha: “Edhe socializmi ka anë të mira: shpërndarjen e barabartë të mjerimit!”. Njerëzit ndiheshin në “parajsë”, duke parë ferrin. Duke martirizuar të pafajshëm, diktatura i bëri qytetarët të harronin mjerimin. Kështu u “justifikua” ajo mizori ndaj njerëzve më fisnikë. Konflikti social u bë permanent. Të gjithë duhej ta pranonin atë si një nevojë për të arritur “lumturinë”. Niçe ka thënë: “Ai që jeton me anë të luftës ndaj një armiku, ka interes të ketë gjithnjë armiq në jetë”. Ndoshta prandaj diktatura nisi të dyshonte edhe te vetja. Të hante, pra, dhe bijtë e saj. Ashtu si diktatori, dhe vetë tirania u bë skizofréne. Ajo filloi të kishte frikë nga zëri i kukuvajkës. Tmerrohej nga harmonia e njerëzve. Qetësia e tyre e shqetësonte.
Megjithatë, socialistëve u duket sikur janë distancuar nga konflikti. Sikur janë bërë “demokratë”, “europianë”. Kurse janë e kundërta. Kanë mbetur skllevër të mentalitetit të dhunës, të urisë, të shpifjes e të gënjeshtrës. Dyfytyrësí është bërë morali i tyre i ri. Edhe kur qenë në pushtet, e luftuan opozitën si armike. Të mundur, shumë rrallë e kanë pranuar fitoren e kundërshtarit. Po kanë arsye për të qënë konfliktualë? Në vend të vinte nga viktimat, konflikti buron rishtas nga vetëdijet e çoroditura të xhelatëve. Gjithë personat e policisë sekrete, ata të edukimit me anë të “dajakut”, po e mbajnë veten heronj, meqë i shërbyen sistemit, ku “kërcente prifti nga belaja”. Taní kanë gjetur të tjera metoda për të siguruar privilegjet e pamerituara. Të gjithë i kanë parë si janë sjellë në Kuvend. Si kanë qeverisur me banda? Si janë treguar përbuzës ndaj tolerancës fisnike të viktimave. E tj. Frikacaku bëhet shpesh më trim se duhet. Ndoshta prandaj Seneka ka thënë: “Guximi i pavend është një nga llojet e frikës!”. Ashtu si djalli, edhe socialistët dinë të shfrytëzojnë rastin. Si adhurues të sovranit, i bëjnë këtij “varrin”, duke pështytur mbi standardet që ky arrin. Socialistët nuk kanë skrupuj moralë. Lidhen bisht më bisht si minjtë, vetëm kur u kërcënohet “kolltuku”. Ja si po mblidhen taní puthadorët të shpëtojnë Ali Babánë. Ithtarët e “Politikës së re” duan të saldojnë “misionarin” e mashtrimeve të vjetra. Kush do të guxojë t’u kundërvihet, ka për t’u shpallur armik e tradhëtar, në mos antikombëtar. Sepse, të papenduarit për krimet, justifikuesit e mizorísë, nuk ka si të pranojnë humbjen e zgjedhjeve. Cili guxon t’u thotë “humbës!” atyre, që kanë hequr zvarrë në klone ithtarët e lirisë dhe kanë varur në litar poetët? S’i mund të pranojnë arritje standartesh ata që sovranin e lanë në rrugë të madhe, vetëm pse nuk kërceu me daulle, sa herë që i duhej të votonte për ta? Si mund të njohin ata standarte të një sovrani, që u përmbysi “parajsën” e krimit? Socialistët e kanë në gjak shpirtin e konfliktit. Nuk mund të jenë ata në kësi rastesh paqësorë, konsensualë, tolerantë dhe solidarë, siç e kërkon demokracia. Të molepsur nga paragjykime klasore, ata lëngojnë nga frikëra imagjinare. Ndoshta prandaj duan me çdo kusht e me çdo çmim pushtet. Prandaj punuan me dekada për t’i inkriminuar njerëzit. T’i bënin ata të mos kishin kurrë guxim të ngrinin zërin! Si mund të presin verdiktin e një sovrani, ata që e katandisën sovranin të mallkonte nënën që i kishte lindur? Jo! Ata e shohin elektoratin si një tufë votuesish, që u shërben të duken “demokratë”. Kot nuk e bënë ata bashkautor në krim. Jo! Ata krijuan me degradimin atë kapital të ndyrë moral, tek i cili mbështetën shpresat e mbijetesës së tyre politike. “Shenjtorët” e rebelimit komunist, s’ka si të pranojnë t’i gjykojë turma, që shihte me terror edhe në gjumë “qoftëlargun”. Këta “liberalë” kërkojnë sot t’u dhurohen mandate deputeti, kur urdhërohen të kalojnë në opozitë! Të largojnë kryetarin. Të zbatojnë statutin. Të pranojnë se kanë gabuar. Të paçliruar nga deliri i “çiflikut” të grabitur, mezí e gjetën një sharlatan që di t’ua fshehë ç’kanë vjedhur. Kurse elektorati i tyre po u kërkon t’i vënë një tjetër kalë “karrocës” ! Ndoshta prandaj taní që kanë vënë ré se sovrani i njeh mirë, se nuk po mund të vjedhin vota me daulle,( a me kallashë ), kanë nxjerrë nga mënga prej prestigjiatorësh mosnjohjen e zgjedhjeve, ilegjitimitetin e pushtetit të dalë prej tyre. Dhe, nëse këto nuk pijnë ujë, kanë armën e bojkotit, bllokimit, braktisjes së Kuvendit. Pa kanë edhe vendimin për t’u vetëshpallur fitimtarë. Socialistët e çmojnë si pasurí konfliktin, e trashëguar nga etërit e tyre mizorë. Prandaj: për sa kohë që konfliktualiteti i tyre do të rrjedhë si ujë i ndotur në shpirtrat e tyre të prishur, Shqipëria do ta ketë ca të vështirë ecjen në rrugën drejt njohjes së standarteve të arritura. Por puna demokratike e forcave të djathta dhe zhdukja e frymës së konfliktit me koalicionet moderne, s’ka për të lejuar që miqtë e Shqipërisë të dyshojnë në arritjen e standarteve në të gjitha fushat e jetës demokratike! Le të bëjnë ç’të duan me Ramën! Fryma e tyre e konfliktit nuk e ndal dot uraganin e fitores së sovranit!...
...